Te ndryshme

Agatha Christie: Në gjurmët e “Mbretëreshës së detektivëve”

Ajo renditet te shkrimtaret dhe autoret më të suksesshme në botë në gjininë e romanit kriminal dhe atij policor. Interesi për punët e saj, por edhe jetën e misteret e saj, vijon të jetë një atraksion e madje frymëzim i vërtetë për shumë adhurues të saj, edhe sot e kësaj dite

Përshkrimet e Agatha Christie-t rrallë ndodh që të shoqërohen pa superlativa: ajo është autorja më e përkthyer (librat e saj janë shtypur me një tirazh mbi 4 miliardë kopje dhe janë përkthyer në mbi 100 gjuhë) e më e shitur e të gjitha kohërave. Pjesa e saj e planifikuar të luhej në vitin 1952, në Westend në Londër “Gracka e miut” mban rekordin si pjesa më e gjatë e pandërprerë aktoriale në botë. Vetëm Shekspiri dhe Bibla duket se janë vepra më të mëdha sesa të gruas që lindi më 15 shtator të para 125 viteve më parë e që është cilësuar si “Mbretëresha e romanit policor”.

Para së gjithash, janë planet apo fantazia kriminale e personazheve të krijuara prej saj, për të cilët fansat e Christie-t vijojnë t’i lexojnë edhe sot e kësaj dite plot endje romanet e saj, e që gjejnë në çdo brez edhe më shumë adhurues.

Askush nuk është tërësisht i pafajshëm në romanet e Christie-t, gjithkush ka një të fshehtë, një sekret dhe në kërkim të vrasësit, të gjithë dalin në dritë. 66 romane kriminale të shkruara sipas kësaj recete – ndër to edhe “Vrasje në Orient-Express”, “Vdekje në Nil”, “Vrasje në pasqyrë “, “I keqi nën diell”, “Fundjava e fundit” (më pas “Dhjetë zezakët e vegjël” apo dhe “E më pas, asgjë”)” por edhe “Në orën 16.50 nga Padingtoni”. Në këto raste ajo krijoi figura si Hercule Poirot dhe Miss Marple.

Festa e qytetit ku ajo lindi 

Qyteti i saj i lindjes, Torquay, ku Agatha Mary Clarissa Miller erdhi në jetë në vitin 1890, e festoi 125-vjetorin e ditëlindjes së autores së famshme me një festival nëntëditor, duke sjellë një nivel krenarie te çdo banor i saj. Veç leximeve, diskutimeve, seminareve dhe shfaqjeve teatrale me pjesët e saj, këtë radhë u çel edhe një fotoekspozitë me imazhe deri më tani të panjohura të Agatha Christie-t, marrë nga arkiva e saj familjare.

“Imazhi që kanë njerëzit në kokë për Agatha Christie-n, është ai i një zonje në moshë të shkuar, që i ngjason Miss Marple”, thotë drejtoresha e Festivalit, Anna Farthing: “Por ekspozita dhe festivali e trajtojnë Agatha Christien në rininë e saj. Unë mendoj se historia e jetës së saj mund të jetë shumë frymëzuese për shumëkënd”.

Misteri i jetës së saj 

Në fakt, Christie jetoi një jetë shumë aktive dhe u largua nga kjo botë në moshën 85-vjeçare: Ajo u martua, pati një vajzë, u nda, u martua sërish, udhëtoi në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Karaibe. E ndërkaq, shkroi gjithnjë, përveç historive të saj interesante me detektivë, edhe pjesë teatrale, romane dashurie dhe histori të shkurtra. Për një farë kohe, ajo punoi aq shumë, saqë dukej si një makinë që prodhonte sallam pa ndërprerje.

“Një jetë e tërë”, thotë Farthing – dhe një nga ato nga të cilat Christie, një vëzhguese e hollë, tërhiqte edhe frymëzim për punën që bënte. “Ajo shfrytëzon shumë lidhje të njohura nga vendlindja”, thotë Farthing, “dhe karaktere që u rezistojnë kohërave”.

Ndërsa në libra, të paktën në fund merret vesh se si përfundojnë historitë, një enigmë e pazgjidhur mbetet gjithsesi, jeta e shkrimtares: në vitin 1926, Christie ndodhej në qendër të një misteri, i cili mund të ketë ardhur prej njërit nga romanet e saj. Në dhjetor të atij viti, Christie u zhduk pas një zënke me të shoqin për plot njëmbëdhjetë ditë.

Autovetura e saj u gjet më pas e braktisur, e nga vetë Christie nuk u gjet asnjë gjurmë. Vëmendja publike arriti kulmin, zhdukja e saj ishte në faqet e para të gazetave si e famshmja “New York Times”. Madje kolegë të saj të famshëm si Arthur Conan Doyle, u angazhuan personalisht në gjetjen e saj.

E në fakt, Christie, nuk u gjet si pasojë e aksionit të madh të kërkimit, por fare rastësisht nga punonjësit e një hoteli në Yorkshire, ku ajo ishte regjistruar nën një emër fals. Të shoqin që shkoi ta merrte, ajo nuk e njohu më. Çfarë kishte ndodhur vërtet, ajo nuk mundi dot t’i jepte shpjegim, e Christie nuk foli më për atë episod.

Nuk e njohu kurrë tavolinën e as zyrën 

Pavarësisht prodhimtarisë së saj të bollshme letrare me më tepër se 66 romane policore dhe 14 tregime të shkurtra, shkrimtarja e madhe nuk mësoi apo nuk donte t’ia dinte se çfarë ishte një tavolinë. Ajo kurrë nuk pati një zyrë, dhe “Vrasje në Orient Express”, për shembull, e ka shkruar në një dhomë hoteli. Në të vërtetë, ajo shkroi ku t’i vinte për duarsh: në kuzhinë, dhomë gjumi, në udhëtim. Dhe për të shkruar romanet e saj të famshme, shpesh përdorte një procedurë të kundërt; përshkruante fillimisht skenën e krimit, me detajet përkatëse dhe më pas çdo gjë tjetër, përfshirë këtu edhe protagonistët.

Më 12 janar 1976, Agatha Christie vdiq në moshën 86-vjeçare në Wallingford. Ajo u shoqërua në banesën e fundit në Cholsey në Oxfordshire.

Për rreth katër dekada pas vdekjes së saj në vitin 1976, interesi për veprat e jetën e Christie-t, vijon të mbetet i pandërprerë. Adhuruesit e saj mund të gëzohen tashmë sërish, sepse për ta ka një lajm të ri, të mirë: Në Hollywood, producenti Ridley Scott po punon për një ekranizim të veprës së saj madhore “Vrasje në Orient-Express”. Regjinë do ta ketë Kenneth Branagh dhe e trajtuar në një frymë moderne, ai pritet të ngjallë shumë interes.

Përgatiti: Armand Plaka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button