Kryeartikull

Ligji, VIP-at dhe Policia

Nga Mustafa Nano

Ka qarkulluar ditët e fundit në të gjitha website-t e rrjetet sociale një video, në të cilën duken fytyrat e dy policëve që kanë ndaluar një makinë dhe dëgjohet një bisedë e bërë mes këtyre policëve dhe grahësit të makinës, që kish qëlluar të ishte “kockë e fortë”.

Djali i makinës u bëri karshillëk policëve që e kishin ndaluar për tejkalim shpejtësie dhe hyri me ta në një debat plot “yçkla” ligjore e juridike. Është e sigurt se, sikur të bëhej një anketim për të marrë vesh se kush ishte fituesi i këtij debati, të gjithë do të thoshin se fituesi ishte djali që ishte brenda në makinë. Ai ishte një qytetar që guxoi t’i kundërvihej një sjelljeje arbitrare dhe kish njohuritë e informacionin e duhur për t’u thënë policëve se nuk kishin asnjë të drejtë ta ndalonin, e aq më pak ta gjobisnin. Dhe në fund, pikërisht për shkak të kompetencës që demonstroi, me të cilën shastisi në radhë të parë vetë policët, ai “doli pa lagur”. Nuk e gjobitën. Veçse nuk u mor vesh pse policëve u shkoi mendja të bënin një lidhje mes kompetencës së qytetarit që po u tregonte atyre se ç’thoshte Kodi Rrugor në nenin ‘X’ e nenin ‘Y’, dhe prindërve të tij që, sipas policëve, duhet të ishin të rëndësishëm. “I kujt je ti?”, e pyetën atë në fund. Djali ua tha se i kujt ishte dhe rezultoi se ai ishte i “askujt”, d.m.th. nuk e kish babanë VIP. Por policët kanë qenë të vetmit që, për shkak të topitjes prej rrethanave, nuk e morën vesh që ai ishte i “askujt”. Ndryshe, mund ta kishin gjobitur. Është kështu që ndodh rëndom. Apo jo?

Në komentet e bëra, disa ishin ndalur tek ana tjetër e medaljes dhe thoshin se policit nuk mund t’i kundërvihesh, se urdhri i policit duhet zbatuar pa një pa dy, e vetëm më pas mund të kërkohet e drejta në instanca të tjera, se ky debat midis qytetarit e policit e komprometon keqas idenë e një shteti apo policie, serioze. Hm, mund të shihet edhe kështu, por duhet thënë se qytetari në rastin në fjalë mbeti korrekt deri në fund. Iu kundërvu policëve, por nuk kishte në sjelljen e tij asnjë teprim. Ai dukej që ishte një shtetas i rregullt. Pastaj, nuk duhet të ngarkojmë me faj qytetarin për atë debat.

Normalisht, qytetari nuk mund të debatojë me policin, por është polici që nuk duhet t’ia japë këtë shans (polici nuk të lejon fare të flasësh në raste të tilla apo t’i afrohesh, thjesht të bën me dije mbi kundërvajtjen, të vë gjobën dhe të thotë “rrugë e mbarë”). Policët tanë e kanë bërë të udhës, dhe kjo është një traditë e qëmotshme jona, që të shtrohen në muhabet me kundërvajtësit. Ky është tipari i një policie që e ka mendjen të vërë gjoba, më saktë të nxjerrë ndonjë lek për xhepin e vet, e jo t’i dalë për zot ligjit. Një polic korrekt dhe i ndershëm nuk bën muhabet fare me asnjë qytetar kundërvajtës, e aq më pak mund të vihet të interpretojë Kodin Rrugor e të negociojë gjobën, dhe është vetëm kompleksi i fajit dhe ndërgjegjja e ndotur që i bën policët tanë të tjerrin llogje me ata që, sipas tyre, janë kundërvajtës.

Te kjo video, siç nënvizova edhe më sipër, më bëri përshtypje edhe ajo pyetja e fundit e njërit prej policëve: I kujt je ti? Është pyetje tipike shqiptare, që ndër ne bëhet shpesh me synimin për të marrë vesh se cilës tribu i përket bashkëbiseduesi, me ç’fe është, është nga jugu a nga veriu etj., etj., por në këtë rast pyetja buronte nga droja se mos qytetari ishte i biri i ndonjë robi me post. Policëve tanë u dridhen leqet e këmbëve nga njerëzit që kanë një status publik, që kanë ndikim a pushtet. Dhe në këtë pikë mund të jap edhe dëshmi personale.

Kur më ndalojnë policët e qarkullimit rrugor dhe kohët e fundit kjo gjë ka filluar të më ndodhë sërish (pas zgjedhjeve të vitit 2013, për një kohë të gjatë, policët nuk para të ndalonin në rrugë kotmëkot, dhe kjo gjë ishte një nga shenjat e ndryshimit të policisë), filmi është po ai, i njëjtë, i mërzitshëm. Polici më del përpara me dorën e ngritur, me të cilën mban tabelën dhe më urdhëron të ndalem diku aty pranë. Unë ndalem, polici më vjen nga pas, unë vetë ndërkohë kam hapur xhamin e makinës, dhe vihem në pritje. Polici më afrohet me një pamje serioze, gjë që unë kam mundësi ta vë re nga pasqyra, dhe kur ndodhet pranë meje, përkulet pak për të më parë në sy.

Kuptohet që më njeh (nuk e di pse më është fiksuar në kokë që të gjithë policët shohin shumë TV. Gati-gati kam filluar të besoj se duhet të jetë kriter rekrutimi. Duhet të jetë e lezetshme që t’i nxjerrin ndonjë kandidati për polic portretin tim, e t’i thonë: E njeh këtë? Dhe vetëm pasi t’u thotë se “po, e njoh, është gazetar i majtë”, juria a komisioni t’i japë OK-in: ik, e meriton të jesh në policinë e republikës), kuptohet që më njeh pra, dhe menjëherë zbutet. E fillon duke më thënë: “Nuk ju pashë; nuk e dija që ishit ju, zoti Nano”. Dhe e mbyll: “Ju kërkoj ndjesë”. Mes këtyre dy momenteve është një bosh i mbushur me pahir me fraza mirësjelljeje që synon të krijojnë një klimë konfidenciale mes meje e tij, të llojit “Ç’kemi?”, “Jeni lodhur?”, “Ka ca kohë që nuk ju kemi parë në TV” etj., etj.

Besoj se e njëjta gjë u ndodh të gjithë atyre që janë të njohur për publikun. Mund të ketë njerëz të sërës së VIP-ave që i shijojnë ngjarje të tilla, dhe kjo është logjike, pasi kemi të bëjmë me një situatë, në të cilën ndihen të rrethuar me vëmendje e të privilegjuar. E të ndihesh i privilegjuar është shenja e qartë e të qenët i pushtetshëm. Tani, t’i gëzohesh pushtetit në këto rrethana e në këtë farë feje është një gjë banale, por ndonëse është kështu, pikërisht ngaqë është kështu, është dhe një gjë humane.

Por nuk dua të flas për këtë anë të problemit. Dua të flas për policinë. Ju thashë, ca kohë pas zgjedhjeve kjo nuk para ndodhte. Ose që të jem më i saktë, mua nuk më ka ndodhur dhe këtë gjë e mora si shenjë të një ndryshimi për mirë. Kjo gjë u shoqërua edhe me ca prova të tjera të policisë në marrëdhëniet me botën e VIP-ave, siç kanë qenë gjobat për kundërvajtje që u janë vënë në mes të Tiranës një numri deputetësh. Ishin ngjarje të bukura këto. Nuk para ka ndodhur këtyre anëve që një deputeti, e në përgjithësi një njeriu me pushtet, t’i vihet gjobë a t’i tregohet vendi nga polici. Nuk para ka ndodhur, ngaqë polici këtyre anëve, qysh nga kohët otomane, ka qenë në shërbim të njerëzve të pushtetit, e jo në mbrojtje të rregullave a të ligjeve.

Mirëpo, policët në këto momente të ballafaqimit me njerëz me pushtet (të të dyja krahëve, duhet thënë) kanë vepruar me urdhrin e nën mbrojtjen e shefave të tyre, përfshirë ministrin e Brendshëm, ndoshta edhe Kryeministrin. Me gjasë, kjo mund të ketë një efekt edukativ dhe e vërteta është se një efekt edukativ e ka pasur (policët morën mesazhin se qytetarët duhen trajtuar në mënyrë të barabartë para ligjit, deputetët filluan t’i druhen disi policisë, e për rrjedhojë, vetë qytetarët zunë të jetojnë me idenë se ata vetë do të ishin tash e tutje më të pambrojtur se më parë në rrethana kundërvajtjeje), por duhet thënë se kjo gjë ka ndodhur me frymë aksioni e me logjikë propagandistike. Fakti është se ka ca kohë që policët i janë rikthyer avazit të parë. Atyre u është rikthyer frika e droja prej VIP-ave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button