Opinion

Një kryeministër i akuzuar në Rumani

Si bartës i shpresave e mori ai pesë vjet më parë kryesimin e Partisë Socialdemokrate të Rumanisë. Në vitin 2012 ai hyri në pallatin qeveritar, tani ai është një kryeministër që pret ta largojnë nga posti: Victor Ponta, dikur nxënës shembullor i të Majtëve, që e kapën që kishte kopjuar dhe tani në bankën e nxënësit më të keq. Rënia e politikanit, që shpesh e kishte shpëtuar veten nga situata të vështira me gjysmë të vërteta, tani nuk ndalet më. Akoma shumica e kolegëve të partisë së tij po e mbështet. Por po bëhet gjithnjë e më vështirë për njeriun që në popull e thërrasin “Pinok”.

Humbje e titujve akademikë

Jo vetëm karriera politike, edhe karriera akademike e Pontas karakterizohet nga një sërë tërheqjesh dhe disfatash. Pak pas marrjes së postit të kryeministrit, atij iu desh të hiqte nga biografia titullin e Masterit, të cilin nuk e kishte marrë kurrë. Edhe titullin e doktorit ai e dorëzoi në 2014 pak a shumë vullnetarisht, pasi e kapën që kishte kopjuar. Udhëheqësi i temës së dizertacionit të Pontas ishte mësuesi i tij politik, ish-kryeministri socialdemokrat Adrian Nastase. Ai Nastase që për shkak të korrupsionit e dënuan me disa vjet heqje lirie dhe që u lirua me kusht vitin e kaluar.

Politikisht, gërvishtjen e parë Ponta e mori pak pas ardhjes në pushtet, kur në verë 2012 u përpoq me të gjitha mjetet që ta rrëzojë nga posti Presidentin e atëhershëm të Rumanisë, Traian Basescu. Përpjekja e Pontas dështoi keqas – megjithatë ai qëndroi në pushtet. Partia e tij dhe lidhjet e vjetra në Parlamentin e Rumanisë garantonin mbijetesën e tij politike, sepse ishte përgatitur goditja tjetër: zgjedhjet presidenciale në nëntor 2014.

Schwartz Robert Kommentarbild App
Robert Schwartz komenton

 

Dështim edhe si kandidat për President

Plani i PSD qe i thjeshtë dhe të gjitha sondazhet e mbështesnin: Ponta dukej se qe kandidati me shanset më të mira për postin e lartë në shtet. Me të si President më në fund do të merrte fund bashkëjetesa me një President konservator. Me një fushatë të fëlliqur nacionaliste elektorale, Ponta u përpoq ta diskreditonte konkurentin e tij liberal, Klaus Iohannis, para së gjithash për shkak të përkatësisë së këtij në minoritetin gjerman të Rumanisë. Por llogaria sërish doli e gabuar: Ponta humbi në raundin e dytë të zgjedhjeve, tha publikisht se nuk e përjashtonte dorëheqjen – dhe mbeti kryeministër.

Tani kundër tij është hapur proces gjyqësor për shkak të dyshimit se ka falsifikuar dokumentat, ka kryer evazion fiskal dhe ka larë paratë. Një kërkesë të përsëritur nga Presidenti që të japë dorëheqjen, ai e refuzoi energjikisht. Dëmin e imazhit për vendin e tij Ponta e llogarit pa u shqetësuar. Të martën e ardhshme në Parlament do të votohet për një mocion votëbesimi të opozitës liberale kundër qeverisë. Ka ardhur koha që deputetët të marrin përgjegjësinë e tyre dhe ta lirojnë kryeministrin nga barra e postit. Shansin për t’u larguar me dinjitet nga skena politike, Ponta e ka hedhur dëm me kohë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button