Libri

Librat e rinj

BooksCamilla Läckberg

“Predikuesi”

Përktheu: Taqo Trajçe

Botimet: “Dudaj”

Çmimi: 1000 lekë

 Në bashkësinë peshkatare të Fjelbakës jeta është e veçuar, e qetë dhe, për disa, tragjikisht e shkurtër. Kishte pasur gjithnjë dyshime për një krim të shëmtuar pas zhdukjes së dy vajzave të reja në zonë rreth njëzet vjet më parë. Tani një djalë i vogël, duke luajtur, e konfirmon këtë të vërtetë të tmerrshme. Zbulimi i skeleteve të tyre, bashkë me kufomën e një viktime të re, e trondit thellësisht qytetin. Detektivi vendor, Patrik Hedstrom, që pret një fëmijë nga shoqja e tij Erika, vetëm mund ta marrë me mend se çfarë do të thotë të humbasësh një fëmijë. Kur zhduket një vajzë e dytë, vëmendja e Hedstromit përqendrohet te Hultët, një klan me keqbërës, fanatikë fetarë dhe kriminelë në armiqësi me njëri-tjetrin. Lista e të dyshuarve është e gjatë, por koha është e shkurtër – cili nga sekretet e errëta të kësaj familjeje do të sigurojë të dhënën jetike?

Shaban Murati

“Rusia Ballkanike”

Libri është një anatomi e veprimtarisë dhe strategjisë së politikës së jashtme dhe diplomacisë së Rusisë në Ballkan gjatë dy dekadave të fundit. Është përmbledhja më e plotë nga një autor shqiptar e analizave për politikën dhe marrëdhëniet aktuale të Rusisë me shtete të veçanta ballkanike dhe me rajonin në përgjithësi. Në libër vjen përvoja dhe vështrimi analitik i një autori, që ka ndjekur me dekada me radhë zhvillimet dhe ecurinë e politikës së jashtme dhe lëvizjet e diplomacisë ruse në Ballkan. Përqasja e hollë, që autori i bën problematikës ballkanike të diplomacisë ruse dhe ndërthurja e karakteristikave të përbashkëta të vendeve ish-komuniste të Rusisë dhe të Ballkanit, i jep librit një dimension të veçantë dhe të prekshëm. Analizat, interpretimet dhe konkluzionet, kanë një origjinalitet dhe kompetencë profesionale diplomatike dhe konceptuale, që e formësojnë librin me peshën e një manuali për këdo që është i interesuar për politikën e jashtme të Rusisë në Ballkan.

Douglas Kennedy
“Një gur zemrës”
Përktheu: Lindita Gjata
Botimet: “Dudaj”
Çmimi: 800 lekë

Amerikani Nik Hothorni, personazhi kryesor i romanit, udhëton drejt Australisë për të ngjyrosur paksa jetën e shpëlarë e pa ndonjë farë keqardhjeje që bënte në vendlindje. Ai pendohet menjëherë për udhëtimin turistik që bën, sepse asgjë e veçantë s’e tërheq atje. Megjithatë, në një çast, rrugëtimi bëhet papritmas më shumë se interesant: një farë mikpritjeje vendase shtrëngohet rreth tij dhe e detyron ta zgjasë qëndrimin “turistik” jashtë planit. Niku do të rrëfejë më pas një histori rrëmbyese, ku shënjohet mbi gjithçka lidhja e ngushtë mes ekzistencës së të papriturës në jetën e njeriut dhe forcës së brendshme, ndoshta të panjohur nga ai, për t’i bërë ballë.
Douglas Kennedy e ka nisur krijimtarinë e tij me romanin “Një gur zemrës”, shkruar më 1994-n. Ka shkruar njëmbëdhjetë romanë dhe tre prej tyre, “Çasti”, “Fotografia e madhe”, “Në ndjekje të lumturisë”, janë bestsellerë të përkthyer në 22 gjuhë të botës. Prej vitit 2007, ai është Kavalier i Urdhrit të Arteve dhe Letrave në Francë. Në vitin 2009 është vlerësuar me të parin “Grand Prix du Figaro” dhënë prej kësaj gazete franceze.

Odiseas Elitis
Poezi
Përktheu: Romeo Çollaku
Botimet: “Odeon”

Odiseas Elitis konsiderohet si një nga poetët e fundit grekë të brezit të viteve 1930, një nga karakteristikat e të cilit ishte dilema ideologjike ndërmjet traditës greke dhe modernizmit europian. Vetë ai e konsideronte pozicionin e tij në këtë brez si absurd, duke u shprehur se “nga njëra anë isha i kapur pas një brezi që përkulej në burimet e një grekërie dhe, nga ana tjetër, isha i pari i një brezi tjetër që pranonte teoritë revolucionare të një lëvizjeje moderne”. Me poezinë e tij ai imponoi format ortodokse të shprehjes letrare të rrymës së surrealizmit në shprehjen e ankthit shpirtëror të tij për përcaktimin e identitetit grek në lidhje me Perëndimin. Veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë të huaja. Vepra e tij ishte vazhdimisht e lidhur me surrealizmin, edhe pse Elitis u distancua herët nga surrealizmi “ortodoks” që vazhduan poetët grekë si Andreas Embirikos, Nikos Engonopoulos dhe Nikolaos Kalas. Ai u ndikua nga surrealizmi dhe huazoi elementet e tij, por që i përshtati sipas vizionit të tij poetik, pashmangshmërisht të lidhur me elementin lirik dhe traditën popullore greke. Një shpirt veçanërisht i shqetësuar u ndikua nga shumë poetë, por mbi të gjitha nga Dhionisios Solomos, Andrea Kalvos dhe nga Konstandin Kavafis.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button