Bota

SHBA/OKB – G7 dhe vendet e Gjirit premtojnë 1,8 miliardë dollarë për refugjatët

G7 dhe vendet e Gjirit janë angazhuar dje të japin 1,8 miliardë dollarë për financimin e agjencive të OKB-së që ndihmojnë refugjatët sirianë.

“Ne kemi rënë dakord për dhënien e 1,8 miliardë dollarëve për agjencitë e ndihmës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht agjencinë e OKB-së për refugjatët dhe Programin Ushqimor botëror”, deklaroi për shtypin ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier.

Ky angazhim u njoftua në Nju Jork pas një takimi të ministrave të Punëve të Jashtme të G7-s, (Britani e Madhe, Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni dhe SHBA) me homologët e tyre të Kuvajtit, Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ministrive të tjera të vendeve evropiane.

Vendimi u mor pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon deklaroi se agjencitë humanitare të OKB-së kishin mungesa, në hapjen e seancës së përvitshme të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Komuniteti ndërkombëtar po përballet me krizën më të rëndë të imigracionit që prej Luftës së Dytë Botërore ndërkohë që numri i të zhvendosurve dhe refugjatëve si pasojë e konflikteve të shumta në botë ka arritur nivel rekord prej 60 milionë persona.

Një prej shkaqeve kryesore të krizës së imigracionit, lufta në Siri, do të jetë sërish në qendër të asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Rusia do të drejtojë një takim të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar mjetet për të luftuar kundër grupit të Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button