Libri

Kim Mehmeti/ Klasikët – Shumë libra se kanë merituar harresën

Faik Konica e Gjergj Fishta “shpikën” të menduarit e të shkruarit shqip, krijuan vlera gjithëshqiptare, por të vlefshme edhe për ata që duan të dinë të vërtetën për shqiptarinë.

Në vitet ’80, Italo Calvino ngriti një pyetje: Pse duhen lexuar klasikët?

Të shtrosh pyetjen se pse duhen lexuar klasikët, është njësoj si të pyesësh pse duhen parë pikturat e autorëve të renesancës, barokut, rokokosë … si dhe pse duhen dëgjuar veprat muzikore të Moxartit, Bethovenit, Bahut … Klasikët duhen lexuar, sepse kumti i tyre ka se çfarë t’i thotë të sotmes. Dhe jo vetëm veprat e klasikëve, por çdo vepër letrare vdes atëherë kur thënia e saj bëhet e pakuptimtë, kur nuk ngjall te ne asnjë ndjesi dhe kur asgjë e jona nuk ndërlidhet me atë që libri shpalos. Andaj veprat e klasikëve janë edhe galeri ku janë ekspozuar dimensionet e gjithënjerëzores. Thjesht, klasikët janë shenja që tregojnë rrugët nga ka ecur kjo gjini njerëzore, si dhe rrëfim i racës sonë për vetveten. Parë nga ky këndvështrim, përpos bukurisë artistike, veprat e klasikëve janë edhe vëllime të tërësisë voluminozë të “historisë” dhe “enciklopedisë” imagjinare. Dhe pa këto vëllime, nuk do të ishin të plotë as librat e historisë dhe as enciklopeditë e mirëfillta që rrëfejnë për të kaluarën, për vlerat dhe për thesarin e begatë të trashëgimisë njerëzore.

Çdo rilexim i një klasiku është lexim zbulues si herën e parë, te ju si ndodh?

Në bibliotekat tona ne i radhisim dhe i ruajmë librat që i kemi lexuar dhe ato që duam t’i lexojmë! Pra, raftet e bibliotekave tona janë përplot me librat që do të donim t’i rilexonim, ngaqë duam të ringjallim të përjetuarën gjatë leximit të parë të tyre, si dhe të zbulojmë të pazbuluarat! Dëshira për ta rilexuar një vepër është e përafërt me joshjen ta rivizitosh vendin ku ke qenë. E thashë edhe më lart se, jo vetëm veprat e klasikëve, por çdo vepër letrare ka jetëgjatësi vetëm aq sa e vazhdon komunikimin me lexuesin, vetëm aq sa ia del të përcjellë një botë dhe një kumt që i mungon lexuesit! Në fund të fundit, leximi i veprës së mirëfilltë letrare i ngjan notimit nëpër një hapësirë ujore, e ku nga aftësitë zhytëse të notuesit varet se sa ai do të shohë edhe atë që fshihet në thellësi, nën syprinën e ujit. U takon atyre të cilët nuk u rikthehen vendeve që njëherë i kanë vizituar, sado që të më lidhin kujtime të bukura me atë hapësirë, ngaqë e di se e përjetuara dikur dhe diku, nuk mund kurrë të ripërjetohet. Andaj edhe shumë rrallë u rikthehem librave që i kam lexuar. Por, dua t’i kem në bibliotekën time, mbase për arsye të njëjta pse i ruaj fotografitë e udhëtimeve: që të më rikujtojnë nga kam bredhur dhe çfarë kam përjetuar, e mbase që edhe pasardhësit e mi të mund të kompletojnë kalendarin tim jetësor si lexues. Që në moshë të re e kam kuptuar se njeriu nuk lexon për të mësuar, por për të shijuar, se leximi është shëtitje e çlodhje, e mësimi është detyrim dhe mundim. Dhe nëse është kështu, unë ngutem të lexoj sa më shumë vepra të palexuara dhe të mos humb kohë me ato që njëherë e dikur i kam lexuar. Pra, dua të pasurohem me sa më shumë përjetime dhe dua të gjej prehje që do të më mundësojnë një rrugëtim të lehtë jetësor.

A duhet të ketë moshë leximi i klasikëve … duket sikur disa libra i lexon më mirë në moshë më të pjekur. Ju i ndani librat e rinisë nga ato që lexoni tani?

Kuptohet, jeta ka stinët e veta dhe jo në të gjitha stinët e saj njeriu ushqehet njësoj. Njësoj siç nuk mundet njeriu të lexojë e të shkruajë në moshën foshnjore, po ashtu ai nuk mund që në moshën fëmijërore dhe në rini të hershme, të komunikojë me librat, që përpos njohjes së shkronjave, kërkojnë edhe njohjen e alfabetit jetësor. Pastaj, jo cilido autor dhe në cilëndo moshë mund të shkruajë cilindo libër, dhe jo cilido lexues dhe në cilëndo moshë mund ta lexojë siç duhet cilëndo libër. Ka klasikë që komunikojnë me çdo moshë, por ka edhe nga ata që janë vetëm për lexues të “pjekur”. Tani thuajse nuk do të mund t’i lexoj librat e rinisë, por nuk e di sa i riu i atëhershëm tek unë do të kishte mundur t’i lexonte librat që lexoj sot. Ai adoleshenti tek unë, që dikur mahnitej nga librat e Remarkut dhe nga rrëfimet e Sheherezadës, prej moti nuk ekziston dhe ky i sotmi, vështirë se do të kishte mundur t’i rilexonte librat e fëmijërisë. Por librat që ke lexuar gjatë fëmijërisë dhe rinisë, janë shkallët që të ngjisin drejt leximit të mëvonshëm dhe janë librat që kurrë nuk mund t’i harrosh.

Cili është klasiku juaj i preferuar?

Nuk kam pasur ndonjë klasik që më ka përcjellë gjatë tërë jetës, si ndonjë yll polar. Por ka pasur autorë, që në moshë të ndryshme, më kanë mrekulluar me veprat e tyre. Duke filluar nga Shekspiri e deri te Prusti, veprat e të cilëve i kam lexuar në moshë të re.

Në historinë e letërsisë shqipe, si do t’i veçonit klasikët?

Letërsia jonë ka moshë më të re sesa brezi i lexuesve dhe autorëve të parë shqiptarë, ngaqë lexuesit e parë shqiptarë kanë lexuar në gjuhë të huaja, njësoj si edhe shkrimtarët e parë shqiptarë që kanë shkruar në gjuhë jo amtare. E them këtë jo vetëm që ta arsyetoj vetveten pse kam lexuar aq shumë vepra të klasikëve botërorë dhe aq pak të shkrimtarëve tanë, por që ta qartësoj qëndrimin tim se klasikët tanë unë nuk i veçoj vetëm sipas veprimtarisë së tyre letrare, që nuk është edhe gjithaq e begatë, por sipas “shpikjes” së të menduarit dhe shkruarit shqip. Dhe si të tillë, për mua ishin dhe mbeten Faik Konica e Gjergj Fishta. Pra, ata krijuan vepra dhe “shpikën” të menduarit e të shkruarit shqip, krijuan vlera gjithëshqiptare, por të vlefshme edhe për ata që duan të dinë të vërtetën për shqiptarinë. Pra, këta të dy janë ndër të paktët që plotësojnë kushtin tim për të qenë klasik: të jesh autokton dhe t’i takosh kohës sate, por edhe të mbetesh i gjithëbotshëm dhe i gjithëkohshëm.

Flitet shumë për një rënie të leximit të klasikëve … Mendoni se klasikët janë në kohët e tyre më të këqija?

Disa nga klasikët nuk janë në kohët e tyre më të këqija, por dalëngadalë mbeten jashtë kohës. Thjesht ka shumë libra që nuk e kanë merituar harresën, por nuk ka libra që ia vlen të mbahen mend, e që janë harruar! Njësoj siç besoj se nuk ka libra të pavlefshëm, ngaqë në mos më shumë, janë të rëndësishëm për autorin e tyre, por ka libra që jo në çdo kohë kanë të njëjtën vlerë. Ne duhet ta kuptojmë se edhe disa veprave të klasikëve, vjen dita kur u “skadon” afati i përdorimit.

Cilat për ju ishin vitet e arta të këtyre leximeve?

Vitet e arta të këtyre leximeve ishin ato kur jetohej e udhëtohej ngadalë e jo si sot, me 200 kilometra në orë. Pastaj vite të arta të leximit në përgjithësi ishin ato kur leximi ishte lënda e parë e imagjinatës, e jo si sot, kur realja e tejkalon të imagjinuarën. Dhe të presësh që në këto rrethana të shtohet lexueshmëria, është njësoj si të shpresosh se përnjëherë do të bjerë numri i vizituesve të internetit dhe do të rritet ai i bibliotekave dhe muzeve.

Sa e ka dëmtuar komercialiteti letërsinë e mirë?

Sot, jeta e individit matet nëpërmjet asaj me cilin çmim ai e ka shitur kohën që posedon, e jo nëpërmjet përmbajtjes me të cilën e ka mbushur atë! Pra, ne jetojmë në kohën kur njeriu nuk matet nëpërmjet vlerave që ka, por nëpër thellësisë së xhepit. Madje, në shoqëritë tona, ku jetojnë kryesisht individë të parealizuar e të papërjetuar, është krijuar bindja se paraja është çdo gjë dhe dhuntitë e vlerat njerëzore asgjë. Në shoqëri të tilla, i pari që vdes është njerëzorja dhe arti, me në krye letërsinë. Kështu që ne jetojmë në kohën kur askush nuk burgos e nuk arreston shkrimtarë, jetojmë në kohë kur nuk ka libra të ndaluar, por kur “ndalohet” krijimtaria. Dhe ajo ndalohet, sepse jo vetëm se është “veprimtari” jofitimprurëse, por edhe jashtë interesimit të shoqërisë.  Dikur mbretërit lëvdoheshin me poetët që merrnin pjesë në darkat që shtronin ata, e sot poetët lëvdohen me ftesat për të marrë pjesë në darkat “mbretërore”, në darkat e drekat që shtrojnë të pasurit e politikanët. Dhe kjo i shpjegon të gjitha, përfshi edhe të vërtetën se kur prapanica e femrës bëhet pjesë e artit, atëherë edhe jashtëqitja që mund të shitet, çmohet më shumë sesa një vepër e mirëfilltë letrare, e të cilën nuk e blen askush. Pra kjo shpjegon se aty ku ka ngjarje kulturore janë martesat e divorcet e këngëtarëve që këndojnë me prapanicë e gjoks, se aty ku trupi e shpirti shiten si cilido mall tjetër, mos kërko letërsi e art.

Si e shihni letërsinë që bëhet sot në hapësirat shqiptare?

Artin në përgjithësi e kanë mbajtur në këmbë asketët. Letërsia e sotme shqiptare i ngjan lulishtes, të cilën e ka mbuluar bryma, apo edhe kopshtit të bukur, por për të cilin nuk kujdeset njeri. E them këtë, ngaqë nëse vëreni, ne thuajse nuk kemi gjeneratë të re krijuesish. Dhe nuk kemi ngaqë krijuesit e rinj të sotëm nuk u mjafton vetëm asketizmi, pra të durojnë vetminë dhe jetën e vështirë, por duhet të përballen edhe me ndjenjën se janë të përbuzur. E përbuzja është thuajse e përballueshme, ngaqë të duhet ta mohosh vetveten. Prandaj, krijuesit e rinj dorëzohen dhe në vend që të merren me krijimtari, në rastin më të mirë bëhen gazetarë. E nëse edhe kjo nuk u ec si duhet, bëhen politikanë apo edhe shërbëtorë të politikanëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button