Home / Arte / Libri / Klasikët dhe Lana Del Ray

Klasikët dhe Lana Del Ray

Nga Alda Bardhyli

Ti mund të lexosh Scott Fitzgerald apo Viktor Hygo teksa hapësira e dhomës tënde është e mbushur me tingujt e Maurice Ravel. Duket sikur pianoja shoqëron mendimet e Fitzgerald nga një faqe në tjetrën, dhe kjo nuk ndodh se ata janë të dy francezë. Nën këtë muzikë ti mund të humbasësh në “Shtëpinë e shpirtrave” të Gogolit, teksa ndjek “Lolitën” e Nabokovit apo teksa trishtohesh nga fati i një gruaje ruse si Ana Karenina e Tolstoit. George Eliot, Jane Austin, Çehov, Dostojevski mund të ndihen po aq lehtë nën piano. Ashtu si Homeri apo Platoni, ata nuk mund t’i lexosh teksa në sfond dëgjon Lana Del Ray. Një nga pyetjet që shtrohet shpesh në biseda apo revista letrare sot është fati i klasikëve … Si mund të endesh me javë në faqet e Balzakut, ndërkohë që jeta jote nuk u ngjason më viteve 1800? Dukesha Dë Lonzhe mund të mësojë se ka gjithnjë një formë për të hequr trishtimin për një burrë, duke e hedhur vështrimin te një tjetër, por fustanet e saj të gjata nuk mund t’i veshësh dot sot në zyrë. Dinjiteti i Ariadnës së Çehovit mund të duket si një kohë e humbur, në vite si këto të sotmet, ku dashuria është shpërndarë në qiell si një eter. Në asnjë libër të letërsisë së sotme bashkëkohore nuk mund ta gjesh Ariadnën, këtë grua kaq të ndjeshme që e izolon veten për një burrë. A mund ta imagjinojmë sot John Fanten, që teksa pi skoç në një bar, mendon se si mund të kishte shkuar marrëdhënia e tij me Kamilën, nëse nuk do ta kishte shkruar “Pyes pluhurin”. Por nën ndjesinë e shkrimit, do të kishte lënë në dhomën e thjeshtë makinën e shkrimit për të kaluar mbrëmjen tek ajo. Është një qytet i tërë ku mund të ndiesh frymëmarrjen e klasikëve. Gjen aty Moppasan, Radiguet, Voltaire, Condrad, Manzonin, Hemingway, Kafkën, Gogolin … të bindur që pavarësisht kohës që rend aq shpejt, do të ketë sërish duar që do t’i prekin. Nuk do të jenë ndalesa vetëm për të prekur sadopak lumturinë, por për të marrë prej andej palcën e funksionimit të jetës njerëzore. Është një botë e tërë e ndërtuar brenda një qyteti, që zgjerohet çdo ditë dhe i jep jetë botës sonë të madhe. Një botë që është krijuar ashtu e bukur, nga shpirtra të trazuar në kohë të tilla, që krijuan aty përsosmërinë për të tashmen tonë. Turgenjevi do të jetë gjithnjë aty, për të treguar se esenca e së jashtëzakonshmes është pikërisht tek ajo që ndodh brenda teje dhe vetëm që andej mund të shohësh më mirë. Leopardi nuk do ta lërë asnjëherë këtë qytet. Pavarësisht sesi shpesh duket sikur humb nga qytete të tjera të mëdha që mbushen çdo ditë me botime të reja bashkëkohore, ky qytet s’mund të jetë asnjëherë i padukshëm. Ashtu si me çdo gjë dhe me klasikët koha thjesht na bën të shohim më qartë rolin e tyre. Ata do të jenë gjithnjë aty, duke na befasuar në çdo rilexim, e duke parë sesi personazhet e shkruar kohë më parë rimishërohen çdo ditë në kohët tona. Ata do të jenë aty, si një pasqyrë për të na treguar kush jemi e ku kemi mbërritur. Do të jenë si një shtëpi e ëmbël, ku ti do të doje të kaloje mbrëmje të tëra, pa dashur të agojë … Rritja e numrit të botimeve të reja bashkëkohore nuk mund t’i zbehë klasikët, pavarësisht pikëpyetjeve që vihen shpesh bri emrave të tyre … Thjesht në sfond do të shkonte më shumë heshtja se zëri i Lana Del Ray …

Leave a Reply

Your email address will not be published.