Te ndryshme

Védrine: Ribashkimi gjerman e ka përmbushur misionin

Ish-këshilltari më i afërt i Presidentit Miterrran bën një bilanc pozitiv të 25 viteve të Gjermanisë së ribashkuar. Edhe pse në disa pika pohon se ka pasur vështirësi e mosdakordësi, Gjermania e ka përballuar më së miri këtë sfidë. Ai flet edhe për aktualitetin .

Helmut Kohl dikur ishte shprehur kështu: I vetmi homolog nga kancelaritë e BE-së, që mbështeste pa kurrfarë rezerve Ribashkimin gjerman, ishte kryeministri spanjoll, Felipe González. Të gjithë të tjerët e shihnin me skepticizëm atë që po ndodhte në Gjermani para 26 viteve – kur ra Muri – e atë para 25 viteve, që do të shënonte më pas pikën kulmore të arritjeve të saj politike. Ligji Themelor, Kushtetuta (në gjermanisht njihet siGrundgesetz dhe në kohën e Ribashkimit ishte simbol i RFGJ-së) papritur do vlente edhe në Dresden, Shverin, Erfurt dhe Magdeburg (kryeqendra të Lindjes së Gjermanisë).

Në një bisedë me “Deutschlandfundk”, Hubert Védrine, ish-ministri i Jashtëm francez flet për atë kohë. Gjatë kohës së Ribashkimit të Gjermanisë, ai ishte një nga këshilltarët më të rëndësishëm të ish-Presidentit francez, François Mitterrand.

***

  1. Védrine, çfarë menduat në atë kohë para ceremonisë së Ribashkimit?

Ky proces mori shumë vite. François Mitterrand (Fransua Miterran) qysh në tetor 1981, në një takim historik që kish pasur me Helmut Shmidt (ish-kancelar i RFGJ-së) e kishte shpjeguar këtë perspektivë të Ribashkimit që do të ndodhte një ditë. Qëkurse Gorbaçov kishte ardhur në pushtet, tashmë e dinim se ky proces do të përshpejtohej, pasi ai kishte thënë se nuk do të përdorte dhunë, për të mbajtur në këmbë regjimet komuniste. Ne nuk e dinim se kur do të ndodhte kjo. Por ne e kishim çuar ndër mend, se si ky proces do të përfundonte në të mirë të gjermanëve, tonin dhe të paqes në Europë. Kur ndodhi pastaj, ne ishim të kënaqur edhe pse shpesh pati edhe zëra të vetmuar kundërshtues. Në përgjithësi, ne e rregulluam dhe e menaxhuam atë shumë mirë. Unë për vete ruaj kujtime shumë të mira për atë ngjarje.

Por në Francë ka pasur edhe shumë rezerva…

Jo, maksimumi rreth kushteve dhe kohës në të cilën do të duhej të ndodhte. Pasi kjo e fundit ishte e vështirë të përcaktohej e të zbatohej. Në planin e famshëm me dhjetë pika, ish-kancelari Kohl foli në fund të tetorit 1989 edhe për një proces, që do të duhej të zgjaste me vite. Partnerët në Uashington apo në Paris menduan se do të duhej të kishim edhe për disa vite një Gjermani Lindore e një Perëndimore. Gjërat më pas, në janar, u përshpejtuan shumë qartazi. E për shembull, u krye vizita e François Mitterrand dhe e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker, në Berlinin Lindor. Pati ca mosdakordësi edhe në një pikë tjetër. Për t’u vënë re është, megjithatë, se të gjitha këto pengesa u tejkaluan. Ribashkimi i Gjermanisë shkoi më së miri, para së gjithash, nëse e krahason me shkrirjen e ish-Jugosllavisë. As jugosllavët, e as europianët apo amerikanët, nuk ia dolën mirë në atë proces. Ne në atë kohë kishin edhe disa pikëpyetje: Unë në ato ditë shkova drejt Polonisë, i ftuar në një kolokium mbi çështjen e kufirit apo linjës “Oder-Najse”. Polakët tashmë na janë mirënjohës që François Mitterrand e shtroi këtë çështje. Meqë ra fjala, Genscher e pati mbështetur Mitterrand në këtë çështje, duke dalë kundër kancelarit. Në Gjermani, disa e cilësuan Mitterrand si “agresiv”, ngaqë ai – sipas tyre – e bëri këtë pyetje shumë herët. Kështu pra, kishte ndryshime mendimesh e mosdakordësi të kësaj natyre. Por ato u sqaruan.

Nga viti 1990 deri në 2015: Si mund të përshkruhet bilanci politik i këtyre 25 viteve të Gjermanisë së ribashkuar?

Shkëlqyeshëm. Gjermania e ka përballuar këtë sfidë në mënyrë të shkëlqyeshme. Unë e di se kjo në rastin konkret, në aspektin gjeografik dhe atë social, nuk ia ka dalë tërësisht dhe se ka qenë e vështirë. Por Gjermania është zhvilluar në mënyrë të shkëlqyer. Reformat e qeverisë “Schröder” sollën në Gjermani një dinamikë të re, e vitet e mandatit të zonjës Merkel, që e kanë orientuar Gjermaninë në mënyrë shumë të zgjuar, kanë sjellë qëndrueshmëri. Unë vetë nuk kam asnjë kritikë ndaj Gjermanisë. Si francez, më vjen keq që Franca nuk ka ndërmarrë të njëjtat përpjekje për reforma. Gjermania ka lënë pas një rrugë shumë të suksesshme.

Është Gjermania paksa dominante në Europë?

Ekonomikisht është dominante, por falë punës së saj dhe reformave që ka kryer. Të tjerët nuk kanë asnjë arsye për ta kritikuar Gjermaninë.

Zoti Mélenchon, nga e majta dhe zonja Le Pen djathtas, akuzojnë Gjermaninë për diktat, hegjemoni, një Europë gjermane. A thonë ata atë çka mendojnë shumë francezë?

Jo. Ndoshta disa prej tyre mendojnë kështu si ata, por ata nuk duhet të merren seriozisht. Kjo është shumë e ekzagjeruar. E pastaj shihni pak: Në negociatat për Greqinë për shembull, si dhe për çështjen e buxhetit , Gjermania ka përfaqësuar linjën me të cilën ne kemi rënë tërësisht dakord, në Traktatin e Lisbonës e tekstet shoqëruese. Të flasësh për diktat në këtë rast, është absurde.

Por toni e bën muzikën: A ju pëlqejnë juve tonet që vijnë nga Berlini?

Unë nuk kam gjë për të kritikuar. Maksimumi, ndryshimi i kursit në politikën e energjisë dhe atë atomare: shumë herët, e hartuar keq dhe panegociuar paraprakisht. Pasojat: Gjermania do të djegë më shumë qymyr e do të prodhojë më shumë emisione CO2. Unë po e them këtë për t’ju treguar se jam i aftë të bëj edhe kritika. Në aspektin gjeopolitik, më vjen keq që Gjermania në rajonin e Sahelit (është një zonë ekoklimatike dhe biogjeografike e tranzitit mes Shkretëtirës së Saharasë në veri dhe savanës sudaniane në jug), nuk po angazhohet më si më parë. Franca atje është aktive në kuptimin e sigurisë së mbarë Europës dhe në lidhje me kërkesën e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjermania mund të bënte më shumë, dhe askush nuk do ta kritikonte Gjermaninë për këtë. Unë u këshilloj miqve të mi gjermanë, të mos u jepnin kurrfarë peshe mendimeve të izoluara të krahëve ekstremë politikë në Francë. Shumica e francezëve ka me të drejtë një imazh pozitiv për Gjermaninë dhe e dallon shpejt dhe e vlerëson atë që Gjermania ka arritur.

Si e vlerësoni rolin e Angela Merkelit në krizën aktuale të refugjatëve?

Gjermania ndonjëherë ka vendosur vetëm, por edhe të tjerët. Ne duhet ta forcojmë së bashku sistemin e Shengenit. Duhet ta harmonizojmë të drejtën për azil. Reagimet nga Gjermania, edhe pse kanë ndryshuar nga dita në ditë, unë për vete i vlerësoj si më të mira se të të tjerëve. Vetëkuptohet se europianët mund të pranojnë më shumë azilkërkues. Gjë me të cilën unë nuk po paramendoj emigracionin për arsye ekonomike.

Franca po angazhohet në luftën në Siri. Përse vetëm dhe jo në krye të një operacioni europian?

Për këtë ju nuk duhet të pyesni Francën, por europianët e tjerë. Franca ka thënë gjithmonë se regjimi i Asadit është po aq i tmerrshëm sa edhe IS-i. Nisur nga realizimi dhe që të operojmë sa më efektivisht, edhe Franca i është bashkuar linjës së qëndrimeve amerikane me synim: si fillim të përqendrohemi në luftën kundër IS-it e më pas të përpiqemi të ndryshojmë regjimin në Siri. Përse vendet e tjera në Europë, veç Britanisë së Madhe nuk duan të bashkohen me këtë iniciativë, nuk e di. Duhen pyetur.

Përshtati në shqip: Armand Plaka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button