Home / Arte / Teater / Xhuvani, një Hamlet femër në skenë

Xhuvani, një Hamlet femër në skenë

“Hamleti” rikthen më 10 tetor në skenën e Teatrit Eksperimental aktoren Luiza Xhuvani, nën regjinë e Enke Fezollarit

E veshur me rrobën e Hamletit, Luiza Xhuvani do të shndërrohet më 10 tetor në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” në personazhin që për vite të tëra na kujton fatin e një tragjedie. Ajo do të jetë Hamleti, duke sfiduar për herë të parë në skenën e një teatri shqip, një rol mashkullor, të luajtur nga një femër. Në teatro të ndryshëm të botës, Hamleti është interpretuar nga aktore femra, por në teatrin shqiptar kjo është hera e parë. Një tragjedi, për një aktore që jeta e përballi me një të tillë, e cila vjen në skenën e këtij teatri, me një rol jo të lehtë. Nën regjinë e Enke Fezollarit, “Hamleti” i Shekspirit do të vijë nën një koncept bashkëkohor, duke e zhvendosur figurën e Hamletit nga mashkull në femër, duke rritur dimensionin përfshirës të veprës dhe të personazhit. Luiza Xhuvani rikthehet në këtë shfaqje një vit pas interpretimit që bëri në monodramën “Zonjushë Margarita” nën regjinë e Kiço Londos.

Ajo është e vetmja aktore me përvojë në një staf të rinjsh, duke nisur nga regjisori dhe aktorët e tjerë, duke u kthyer kështu në një busull që ngre standardin e “Hamletit”. Regjisori Fezollari ka bërë një zhvendosje të konceptit të Hamletit nga Danimarka e viteve 1600 te Tirana e ditëve të sotme. Duke e kthyer nga një personazh që dhemb me tragjedinë e tij në një tjetër të huaj pa gjini. As burrë as grua. “Hamleti si një humanist i thellë dhe racionalist, vepron si princ i viteve 1600. Është një intelektual, një revolucionar në Danimarkën e kalbur dhe sidomos në një Europë, e cila po shembet, një Europë e cila nuk mund të zgjidhë problemet e saj, njerëzit janë duke u mbytur në Mesdhe, luftërat ekonomike … Kështu dhe Hamleti jeton në Danimarkë, e cila është e etur për luftë dhe pushteti është duke kryer krime. “Një Hamlet, i cili nuk do të ndryshojë për botën, por bota të ndryshojë për të. Një shoqëri ku vlerat e dashurisë janë si hipodromi apo si bursa. Me politikanë oportunistë, ku jetët njerëzore nuk janë veçse një parametër i luftës së tyre për pushtet. Ky është ferri që jeton Hamleti. Hamleti, njeriu i parë bashkëkohor, me ide dhe vlera. Kundër pushtetit të Klaudit dhe Polonit … ecën në shoqërinë e kalbur të “Danimarkës”, e sheh ai konceptin për këtë vepër. I ardhur nga një përvojë në teatrin grek ku punon prej vitit 2005, zgjedhja e tragjedisë angleze është një formë përmes së cilës ai i flet dhe aktualitetit. Pasi në thelb mesazhet e Shekspirit janë tepër aktuale.
Në role të tjera do të interpretojnë aktorët: Andi Begolli, Endri Çela, Julinda Emiri, Anderson Gurra, Ina Gjoni, Ermira Hysaj, Ermir Jonka, Ilia Kaçi, Kristian Koroveshi, Ina Morinaj, Xhino Musollari.

“Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja, më lart është vallë të durosh? / Hobe shigjetash fati të tërbuar / A të përballosh një det të turbullt helmesh / Me arm’ e fund t’u japësh. / Të vdesësh – të flesh / Jo më! – dhe me një gjumë të mbarosh / Çdo zemërderdhje, mijëra tronditje / Që trupi prej natyrës trashëgon / Ja një qëllim që duhet dëshiruar / Me gjithë shpirt – Të vdesësh – të flesh, të flesh? / E ndoshta të ëndërrosh! Ah! …” Ky monolog i famshëm i Hamletit do të interpretohet nga Xhuvani, e cila pritet të sjellë një Hamlet të munguar në skenën tonë. Një Hamlet që flet që me ecje e pa gjini dhe që rrit kuriozitetin nga vetë prania e Xhuvanit. Një vit më parë ajo u ngjit në këtë skenë e veshur si Zonjushë Margarita, me fustanin e zi të gjatë në një orë të gjatë leksioni mbi jetën. Fjalët e saj, “gjërat e bukura në jetë do t’ju ndodhin aq rrallë, por kur t’ju ndodhin duhet t’i mbani fort …”, ishin ato që i merrje me vete si një këshillë pas shfaqjes. Me interpretimin në monodramën e Roberto Athayde ajo u vlerësua si “Aktorja më e mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit “Apollon 2006”. Kjo vepër u shfaq edhe në teatrin “Argo” në Athinë, ku u prit me ovacione nga publiku dhe kritika. “Jam e lumtur që pashë këtë aktore të përsosur dhe me një regji të jashtëzakonshme. Ishte një punë e mrekullueshme dhe u entuziazmova për nivelin e lartë të teatrit shqiptar”, do të shprehej aktorja greke, Xheni Stavropulu, e cila e ka interpretuar këtë rol më herët. “Mbeta e mahnitur nga interpretimi i aktores. Duke ndjekur vendin tuaj këto vite, kam kuptuar që, në qoftë se kultura bëhet pronë e popullit, atëherë kemi këto rezultate. Në qoftë se kultura nuk është tregti, nuk e tregtojmë, nuk e përdorim, atëherë është ky rezultat. Kjo që pashë sonte tregon një kulturë që ka filluar që në fëmijëri”, do të shprehej aktorja tjetër greke, Titika Sariguli. Një figurë e njohur në kinematografi, Xhuvani ka një karrierë të pasur dhe si aktore në teatër, që duket se është një dashuri që s’do ta humbasë. Ajo ka interpretuar rolin e Margaritës te drama “Unë dhe Mefistofeli”, Klea te “Dhelpra dhe rrushtë” të Figueiredos, Nusja te “Dasmë gjaku” e Lorkës, Ledi Ana te “Rikardi III” i Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zherit, Misis Martin te “Këngëtarja tullace” e Ioneskos dhe Xhena te komedia “Valsi i Titanikut” e “Oportunesku” të Mushateskut, Maria te “Kopshti me dallëndyshe” i Cikliropulosit, Pietra tek “Armiku i Popullit” i Ibsenit, Nina te “Pulëbardha” e Çehovit, Rita te “Cilindri” i De Filipos me regji të Kastriot Çipit dhe Xheni te “Kapitulli i dytë” i Sajmonit, me regji të Mehmet Xhelili me të cilin fitoi Çmimin për Aktoren më të Mirë të Festivalit të Aktrimit, “Apollon 2004”, në Fier. “Hamleti” do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental më datën 10 tetor.

Leave a Reply

%d bloggers like this: