Home / Europa / Francë, viktima e shkatërrime nga vërshimi i ujërave

Francë, viktima e shkatërrime nga vërshimi i ujërave

Stuhi të dhunshme, e pastaj drama. Vërshimi i furishëm i ujërave solli vdekje e shkatërrim në Bregun e Kaltër të Francës, ku bilanci fillestar i jetëve të humbura ishte 12, për t’u fiksuar më vonë sipas pohimeve të vetë presidentit Francois Hollande në 16 të vdekur e 3 të zhdukur.

Të paktën 5 prej vitkimave janë mbytur ndërsa përpiqeshin të shpëtonin makinat nga uji. Njërin prej rasteve e rrëfen vetë kryebashkiaku i lokalitetit Mandelie la Napule.

“Kishin zbritur në garazhin e banesës për të siguruar automjetin, por në atë moment mbërriti dallga e përmbytjes. Ai arriti të dilte nga makina, ajo jo”, tha zyrtari.

Trupi i pajetë i gruas do të gjendej vetëm në mëngjes. Tre vdekje të tjera pranë Kanës u regjistruan po në automjete, të cilat vërshimi i ujërave i zuri në mes të rrugës.

Një person tjetër humbi jetën në afërsi të një parkimi, ndërsa tre trupa të pajetë u gjetën në një shtëpi pushimi. Raportet në mediat lokale flasin për makina po në zonën e Kanës, të cilat uji i ka tërhequr deri në det.

Një duzinë trenash, sipas kompanisë hekurudhore Sncf, mbetën të bllokuar në stacione në juglindje të vendit, me qindra pasagjerë në bord.

Me shira të rrëmbyer e përmbytje të rrezikshme u përballën të djelën edhe disa prej qyteteve kryesore të Karolinës së Jugut në Shtetet e Bashkuara. Qindra vetë janë evakuuar në shtetin jugor amerikan pasi uji arriti, sipas Reuters, deri në lartësinë e shpatullës.

Guvernatorja Nikki Haley foli për reshje të një intensiteti të tillë që mund të pritet të ndodhin vetëm një herë në 1 mijë vjet. Këtë e ilustroi edhe me rritjen më të madhe të nivelit të ujit në lumin Kongari, që nuk verifikohej prej vitit 1936.

“Në ultësirat e vendit, këto janë nga ato reshje që bien një herë në 1 mijë vjet. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që s’kemi parë shira të tilla në ato zona prej një mijë vjetësh. Kaq e rëndë është gjendja. Kjo është situata me të cilën përballet aktualisht Karolina e Jugut”, deklaroi Haley.

Shirat e rrëmbyer dhe vërshimet e ujërave në këtë shtet dhe në Karolinën e Veriut kanë marrë të paktën 8 jetë njerëzish. Katër prej vdekjeve ishin pasojë e aksidenteve rrugore të lidhura që të gjitha me motin e keq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.