PD: Qeveria po heq sigurinë e barnave për interesat e klientelës
Partia Demokratike, përmes deputetit Tritan Shehu ka deklaruar këtë të hënë se, projektligji i ardhur nga qeveria për ndryshimin në ligjin për “barnat dhe shërbimin farmaceutik” cënon rëndë sigurinë medikamentoze.
“Ky ndryshim kërkon heqjen nga ai ligj, në nenin për importin e medikameteve te prodhuara në vendet e Ballkanit, të detyrimit “që ato të qarkullojne në një nga vendet e BE”. Ky “liberalizim” godet frymën e ligjit, eliminon kriteret e cilësisë se medikamenteve të qarkulluara tek ne, mbi të cilat bazohet ai”, ka deklaruar Shehu.
Sipas tij, argumentimi i Ministrisë së Ekonomisë me marrëveshjen e CEFTA-s është i gabuar, pasi ajo ka të bëjë me tregtinë e lirë, që nuk preket.
Standardet dhe koefiçenti i sigurisë, ka vijuar deputeti i opozitës, janë diçka tjetër për të cilën përgjigjet së pari Ministria e Shëndetësisë para popullësisë.
“Ky ndryshim në ligj, nëse realizohet duhet paraprirë detyrimisht me të tjerë elementë që sigurojnë cilësinë e atyre medikamenteve edhe tek ne, njëlloj si në vendet e BE-së. Në këto kushte, ne kërkojme që më parë të ngrihet një komision i posaçëm i përbërë nga specialistë vendas dhe të huaj, të zyrtarizuar nga EMA ose OBSH, për të përmirësuar: ligjin tonë në drejtim të sigurisë së medikamenteve të prodhuara në vend, të importuara nga vendet e Ballkanit, si dhe për të forcuar kapacitetet tona kontrolluese e laboratorike”, ka thënë Shehu.
Ai ka shtuar se, për prodhimin vendas duhen përcaktuar mekanizmat e plota të sigurisë.
“Në kushtet aktuale, kur tregu farmaceutik në vendin tonë është në konfuzion, kur mungojnë kapacitetet e plota kontrolluese të medikamenteve, nuk duhet realizuar një ndryshim ligjor i tillë pa u implementuar me parë mekanizmat e kontrollit. Siguria medikamentoze nuk mund të preket as për premtime politike ndaj vendeve të tjera, as për ulje artificiale të kostos dhe as për interesa grupimesh të ndryshme”, ka shtuar Shehu.