Home / Arte / Libri / Librat e rinj

Librat e rinj

Michel Houellebecq

“Nënshtrimi”

Përktheu: Edit Dibra

Botimet:”Skanderbegs books”

Kopertina-Nenshtrimi_front-(1)Francë, viti 2022. Pra, shtatë vjet pas 7 janarit tronditës të këtij viti, kur sulmi terrorist mbi revistën satirike “Charlie Hebdo”, ndodhi po ditën e publikimit të “Nënshtrimit”. Libri u shit qysh në orët e para në mënyrë marramendëse, si rrallë ndonjë autor francez deri më sot dhe vazhdon ende të jetë ndër librat më të shitur e më të përfolur në botë. Por tani, atij personazhit vanitoz, të lodhur e të lektisur, që endet dukshëm në veprat e Houellebecq (këtë herë me emrin Fransua, një profesor letërsie në Universitetin e Sorbonës), do t’i duhet të përshtatet me regjimin e ri islamik, i ardhur në pushtet pas zgjedhjeve presidenciale në Francë që drejtohet tashmë nga Muhamed Ben Abesi, politika e të cilit po nis ta dizenjojë atdheun e tij me një mjedis krejt tjetër – norma, veshje, sjellje, martesë, të drejta, seks, familje, shkollim – nga ai që është mësuar deri tani profesori ynë.

Veronica Roth

Katra
Përktheu: Taulant Hatia
Botimet: “Morava”

Fillimisht Veronica Roth nisi ta shkruante Divergjenten nga perspektiva e Tobias Itënit, një djalë nga Vetëmohuesit, që përjetonte tensione të forta me të atin dhe që donte të çlirohej nga grupimi i tij. Pas tridhjetë faqesh, ngeci, sepse rrëfimtari nuk i dukej i përshtatshëm për historinë që donte të tregonte.

Katër vjet më vonë, iu kthye përsëri kësaj historie, gjeti personazhin e duhur, një vajzë nga Vetëmohuesit, që dëshironte të njihte veten. Por, Tobiasi nuk u zhduk kurrë, ai hyri në histori si Katra, trajneri, shoku, i dashuri i Trisit. Ai ka qenë gjithmonë një personazh që ajo ka dashur ta eksplorojë më tepër, për shkak të mënyrës sesi shfaqej në çdo faqe të librit. Më së shumti është një personazh i fuqishëm për shkak të mënyrës me të cilën i kapërcen kundërshtitë madje, në disa raste, del edhe më i fortë prej tyre. Seria e ndjek Trisin nga çasti kur ajo merr në duar kontrollin e jetës dhe identitetit të vet dhe me këto histori, mund të ndjekim edhe Katrën, ndërsa bën të njëjtën gjë.
Pjesa tjetër, siç thuhet, është vetëm histori.

Michel Houellebecq

Thërrmijat elementare
Përktheu: Edit Dibra
Botimet: “Skanderbeg Books”

Dy gjysmëvëllezër janë karakteret gati të vetmuara të këtij rrëfimi. Mishel Zherzinski, një shkencëtar superan dhe Brunoja, një mësues i pafat. Ata janë të dy frute familjesh të ndara dhe po aq ndarje dhe vetmi u derdh edhe shoqëria, pjesë e së cilës janë. Brunoja e gjen shpëtimin te seksi, shpesh edhe duke abuzuar. Misheli është ithtar i shkencës, një biolog i joshur nga profesioni i tij asisoj, sa nuk arrin të ndërtojë dot një jetë të tijën personale. Për të dashuria mbetet një mirazh i ftohtë dhe i largët. Por, sa për ta shtënë lexuesin në dromca shprese, Michel Houe llebecq u jep mundësinë personazheve të tij që ta rrokin atë që mund të quhet dashuri.

Por në qendër të botës, mëshon idenë e tij të përjetshme autori, është seksi dhe jo dashuria, e cila, duke qenë aq ideale, është vetëm një vagulli në këtë shoqëri konsumizmi dhe kalkulimi.

Lesley Lokko

E gjora vajzë e pasur

Përktheu: Shpresa Osmeni
Botimet: “Toena”

Tri shoqe të lidhura nga një miqësi e vërtetë që në bankat e shkollës. Niki është vajza e një miliarderi, e cila kërkon dashuri dhe vëmendje nga i ati; Tori, e mbytur nga pesha e kujtimeve, është në kërkim të vetvetes; Kerin është e varfër, me një familje të çoroditur, por me një inteligjencë dhe vullnet të përkryer. Të tria vajzat rriten duke mësuar të mbështeten në forcat e veta, të dashurojnë marrëzisht, por edhe të reagojnë ndaj keqkuptimeve. Në jetën e tyre ndërhyn Estela, një prostitutë e bukur, e pushtuar nga ndjenja e hakmarrjes. Çfarë mund të ketë të përbashkët Estela me tri vajzat? Çfarë synon hakmarrja e saj? Dhe çfarë fsheh në të vërtetë Xhimi Harte, babai i Nikit? Me romanin “E gjora vajzë e pasur”, Lesley Lokko ka sjellë një histori plot ndjenja dhe pasione, duke ndërthurur fatet e protagonistëve të saj mes Londrës, Parisit, Nju Jorkut dhe Zimbabvesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.