Libri

Ann Beattie – Librat e zemrës

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër? 

“Memphis Movie” nga Corey Mesler; “Paragon Park”, nga Mark Doty; “Kinder than Solitude” nga Yiyun Li; “Duke parë fotografitë”, nga Gordon Baldwin dhe Martin Jurgens; “Qeni metafizik: Poezi” nga Pasha Frank Bidart; “Tregime nga Nju Jorku” të Elizabeth Hardwick. Revistat që duhet të lexoj janë futur mes këtyre librave si petë byreku.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Ndoshta “Falja” nga McEwan.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Mund të përmend disa: “Muzgu i Superheronjve” dhe “Rosaku yt është rosaku im”, nga Deborah Eisenberg; “Rruga thellë në xhungël”, nga Thom Jones; “Oksigjeni”, nga Ron Carlson; “Hithrat” dhe “Virgjëresha shqiptare” nga Alice Munro; “Vajza e shëndoshë”, nga Andre Dubus; “Në hendek”, nga Annie Proulx; “Bruns”, nga Norman Rush; “Arratia” nga Joy Williams; “Juaji” nga Mary Robison; “Qeni i martesës”, nga Amy Hempel; “Gruaja e zjarrfikësit”, nga Richard Bausch; “Lapërdhari”, nga Richard Ford; “Ndihma” nga Robert Stone; “Nuk ka vend për ty, i dashur”, nga Eudora Welty; “A janë këto milje vërtet”, nga Raymond Carver; “Këtu ka vetëm njerëz të tillë”, nga Lorrie Moore; “Nata e fundit”, nga James Salter; “Sarah Cole: Një lloj histori dashurie”, nga Russell Banks; “Gjahtarët në dëborë,” nga Tobias Wolff; Përmbledhja e Rebecca Lee “Rrëqebulli”.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Shkrimet e Copa Gay Talese-s. Çdo gjë të shkruar nga Jeremy Denk apo Susan Orlean. Romanet e Patrick Modiano-s dhe John Banville-s. Tregimet e Elizabeth Spencer-it dhe Alice Munro-së. Esetë e Annie Dillard, veçanërisht “Për momentin”, pa harruar Joan Didion. “Natyra lëngon” nga Joy Williams; “Të kallësh shtëpinë në flakë” nga Charles Baxter. “Të ëndërrosh pranë librit” nga Elaine Scarry. Shkrimtarët John Jeremia Sullivan, Phillip Lopate, Charles d’Ambrosio. Esetë në “Dijetari amerikan” janë zakonisht të shkëlqyera. Biografitë e Robert Richardson. Shumë poetë të mëdhenj, mes të cilëve Charles Wright, Louise Glück, Charles Simic dhe CK Williams. Edhe komentet mbi librat në “Times Literary Supplement” janë me të vërtetë të mira.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Më shumë se çdo gjë tjetër lexoj romane dhe tregime, përveç ndoshta, librave të gatimit. Nuk para lexoj libra me mistere, pasi nuk e kuptoj kurrë se çfarë ndodh.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Librat e mirësjelljes, por vetëm ato të vjetrat. I parapëlqyer për mua është “Libri i ri i plotë i mirësjelljes” nga Amy Vanderbilt (botim i vitit 1962).

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Pas vitesh të tëra shqyrtimi, dal në përfundimin që të gjithë kanë mangësitë e tyre. Por unë mendoj se znj. Ramsay, edhe pse për shumë arsye të forta do të protestonte, të mos e quajmë “heroinë”. Dikur mendoja se mënyra se si lexuesi mëson për vdekjen e saj, ishte tepër radikale. Pastaj fillova të informohem për vdekjet krejtësisht të papritura të miqve të mi nëpërmjet subjekteve të email-it, gjë që më duket edhe më befasuese.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer? 

Babait tim i pëlqenin librat e financës dhe si të kurojmë dhembjet e shpinës. Nëna ime lexonte shumë, sidomos librat e bibliotekës mbi Afrikën, biografitë dhe misteret e autores Agatha Christie. Shpesh vinte te dera e dhomës sime të gjumit me libër në njërën dorë dhe kuti me çokollata në tjetrën, dhe thoshte: “Nëse të duhem për ndonjë gjë, më gjen te nr. 7”. (Ajo kishte një batanije elektrike. Se si nuk e shkriu çokollatën, një perëndi e merr vesh.) E kishte zakon të më lexonte me zë të lartë, por si tani, edhe atëherë, po s’më pëlqeu menjëherë ajo që dëgjoj, dal nga dhoma. (Mund të shtrohem të lexoj një libër, por nuk mund ta detyroj veten të dëgjoj një tjetër kur lexon.) Ajo dhe unë ia lexonim me zë të lartë njëra-tjetrës librin “Spiuni që erdhi brenda nga i ftohti” më shumë se një herë. Kur isha fëmijë më pëlqente “Kopshti sekret” dhe librat me Meri Popins dhe (nëse nuk gaboj me titullin) “Bertrami dhe Rinoqeronti zevzek”. Mendoja që në thelb fjala “rinoqeront” ishte qesharake dhe ndërkohë që nuk e lexoja librin sërish, ia ngulja sytë titullit. Më vjen keq që nuk e kam ende, edhe pse nuk mund të jetë aq i mirë sa e mbaj mend. Më pëlqenin librat komikë. Edhe ato broshurat e vogla si të gatuajmë ëmbëlsira me reçel ​​dhe 20 receta emocionuese për gatime me fasule. I merrja gjithmonë nga sirtari i kuzhinës dhe i studioja. Ilustrimet më pëlqenin vërtet shumë.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër? 

Jo. Unë lexoj shpejt dhe fshehurazi, kështu që kush do ta merrte vesh?

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?

Do të ishte zhgënjyese të mendoje se kjo që jam sot ia detyroj vetëm një libri.

 Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

 “Një tjetër Ti”. (Another You)

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai? 

Unë kurrë nuk këmbëngul që njerëzit të lexojnë diçka (edhe pse u kam dërguar kopje). Në njëfarë mënyre nuk besoj se do të dërgoja ndonjë libër të veçantë në Shtëpinë e Bardhë. Në fillim do të duhej ta bisedonim.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar? 

Unë do të ftoj Michael Silverblatt dhe kërkojini atij të sjellë dy të tjerë.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

“Romanca e lumtur”, “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Ndërkohë që nuk mendoj se Robert Frost ishte poet i keq, rrallë mund t’i kuptoj gjërat që shkroi.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Harry Mathews.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

“Kremtimi i negatives”, nga John Loengard; “Vendi i Antracitit” nga Jay Parini; “The Blue Strawbery Cookbook”, nga James Haller; “Për librin që është trupi i të dashurit,” nga Gregory Orr; “Lolita”; mes shumë të tjerëve edhe “Moon Deluxe” nga Frederik Barthelme. “Gatsby i Madh”. “Pothuajse i padukshëm”, nga Mark Strand (rilexoj dy ose tri poezi pothuajse çdo ditë). Librin e Steven Millhauser, “Edwin Mullhouse,” sepse e hap vetëm për të rilexuar një faqe që e admiroj në veçanti, pastaj heq dorë dhe ia nis nga fillimi. “Point Omega”, nga Don DeLillo. “Dashnorja e Vitgenshtajnit,” nga David Markson. Unë gjithmonë kam kopje shtesë për t’i bërë dhuratë.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

“Në rrugë”.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Le të shpresojmë të jetë përkthyer në anglisht ndonjë libër i ri nga Patrick Modiano.www.revistasaras.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button