Home / Ekonomia / “Vihet në dyshim financimi kinez për Rrugën e Arbrit – A është tërhequr Exim Bank”?

“Vihet në dyshim financimi kinez për Rrugën e Arbrit – A është tërhequr Exim Bank”?

aNga Bujar KAROSHI
“Exim Bank është tërhequr nga financimi për Rrugën e Arbrit”. Kështu tha më 22 shtator në emisionin “Një natë me Xhaxhiun” në “News 24”, Geri Selenica, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Studime Strategjike. “Para dy javësh, theksoi Selenica, unë i kam bërë të ditur qeverisë shqiptare që Exim Bank, e cila mori përsipër financimin e rrugës, e refuzoi”.
Kjo deklaratë e Selenicës nuk konfirmohet nga burime pranë qeverisë apo pranë saj. Në fillim të muajit shtator, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë një interviste në emisionin “Tonight”, pyetjes së gazetares Ilva Tare se “çfarë pritet për të filluar Rrugën e Arbrit?”, ai tha se “jemi në një komunikim të vazhdueshëm më kompaninë kineze, e cila ka marrë tashme zyrtarisht kontributin tonë me informacion dhe studime për segmentin që do të ndërtojë. Është duke përgatitur ofertën përfundimtare e cila do të negociohet për 60 ditë, ashtu siç e kërkon ligji”. Pyetjes se kur vjen oferta dhe a ka një afat për të, Haxhinasto theksoi se “Ne jemi në pritje. Normalisht brenda muajit shtatorit ajo duhet të vijë dhe pastaj janë edhe 60 ditë të tjera negociimi.
Tare e pyeti ministrin nëse mund të kishte një tërheqje të kompanisë kineze, por ai e kundërshtoi me argumentin se lidhur me afatet e ofertës nuk preferonte të ishte kategorik në data dhe të jepte konkluzione.
Një ditë më pas, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Eduart Seitaj, në një prononcim për ATSH-në, tha se “Kompania kineze “China State Construction” do të paraqesë brenda muajit shtator ofertën përfundimtare për ndërtimin e 26.94 kilometrave në Rrugën e Arbrit”. Ai theksoi se “qeveria shqiptare është në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë e paraseleksionuar. Sipas tij, kompania kineze ka sjellë një gjurmë të propozuar të rrugës, e cila është miratuar nga ana jonë”.
“Po presim propozimin final përsa i përket anës teknike të çështjes, domethënë gjurma finale, punimet që do të kryhen, preventinimi i këtyre punimeve dhe kostimi dhe propozimi për nivelin e pagesës për përdorimin e rrugës dhe për pjesëmarrjen e shtetit për garancitë apo pagesat që do ti bëjë shteti koncensionarit”, theksoi Seitaj për Agjensinë Telegrafike Shqiptare..
Mes këtyre lajmeve kontradiktore, ne kontaktuam me zotin Geri Selenica, i cili e rikonfirmoi atë që kishte thënë në emisioni e televizionit Neës 24.
Dua të sqaroj që në fillim, tha Selenica, që unë nuk kam thënë që është tërhequr “ China State Construction”, kompania që ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës, por kam thënë që është tërhequr Exim Bank, e cila kishte marrë përsipër ta financonte projektin”.
“Rruga e Arbrit nuk është një investim për të thithur investime kineze, tha ai. Që kjo rrugë të jetë e justifikueshme për investimin e Exim Bank, duhet që aty të kalojnë mbi 15 mijë makina në ditë me një pagesë prej 5 Eurosh për makinë për 12 vite rrjesht, kështu që ky investim nuk është i pranueshëm për palën kineze”.
Selenica, i cili njëkohësisht është edhe përfaqësues i disa firmave të mëdha kineze në fushën e infrastrukturës dhe energjisë, tha se qeveria shqiptare ka gabuar me përllogaritjet e rrugës duhet të kërkojë investime nga Kina. “Ajo është një rrugë e rëndësishme, tha Selenica, dhe duhet ndërtuar sa më parë, por për të fare mirë mund të gjenden burime nga buxheti i shtetit dhe nuk është e nevojshme të merren investime nga Kina”.
Gjatë një prononcimi për gazetën “Rruga e Arbërit”, Selenica theksoi se gjatë procesit të negocimit me bankën kineze janë bërë gabime të mëdha. Së pari, theksoi ai, është gabim përgatitja e një ligji të posaçëm që ia jep ndërtimin e rrugës një firme të vetme kineze, kur fare mirë mund të bëhej një tender dhe kostoja e rrugës do të ishte shumë më e ulët. Ai theksoi se nga burimet e tij, Bechtel Enka mund ta bënte këtë rrugë me shumë më pak financim. Por pyetjes që a lejohet që financimet e Exim Bank t’i përfitonte një firmë tjetër europiane, por saktësoi se në tender mund të merrnin pjesë firma të tjera kineze, dhe për këtë ai përmendi raste të ndryshme në Serbi dhe Mal të Zi, kur në tenderat e financuar nga bankat kineze marrin pjesë disa firma kineze.
Selenica vuri në dyshim edhe ajo çka është thënë deri më tani në lidhje me negocimin për këtë çështje. Së pari ai thotë se IRR, ose ndryshe ajo që quhet Koeficienti i Rikthimit të Investimit, me ligj u është e ndaluar bankave kineze ta japin me më pak se 13.5% për një periudhe 8 vjeçare, ndërsa për rastin e rrugës së Arbrit është folur që IRR do të jetë 5%, por ndërkohë është janë rritur vitet nga 8 në 12.
Gjatë një intervistë në gazetën “Rruga e Arbërit” në prill të këtij Viti, Koço Kokëdhima, deputet i Partisë Socialiste, për të cilin thuhet se është i angazhuar në negocimin me kompaninë kineze “China State Construction, theksoi se “interesi i kredisë do të jetë 3 për qind dhe IRR 5 për qind, pra 8 për qind, që e sjell këtë propozim të palës kineze dhe ato garancitë që ne si shtet dhe qeveri duhet të japim për këtë investim, në nivele shumë të arsyeshme dhe shumë konkurruese, në kushtet e sotme të ekonomisë botërore”. Sipas Kokëdhimës, propozimi i mëparshëm i kompanisë kineze, mbi të cilat kishte filluar negocimin qeveria e z. Berisha, e kishte interesin e huasë 8.5 + 1 për qind, dhe IRR 14.5 për qind. Të dyja së bashku 24 për qind.
Por ndërkohë, qeveria akoma nuk ka dhënë një deklaratë rreth kësaj çështje.
Faruk Kaba, drejtuesi i Infratransprojekt, i cili ka hartuar projektin në një pjesë të konsiderueshme të rrugës së Arbrit, tha për gazetën përmes emailit se “nuk e di që Exim Bank ka hequr dorë nga financimi. Sigurisht, kompania kineze mund të gjejë edhe financues të tjerë, por edhe për këtë nuk kam informacion. Informacioni i fundit që kam patur ka qenë ai, sipas së cilës, kontrata me kinezët do të firmosej në dhjetor dhe punimet do të fillonin në janar”.
Ne iu drejtuam përmes emailit për këtë çështje edhe tre deputetëve të Dibrës, Ulsi Manja, Përparim Spahiu dhe Sherefedin Shehu. Të tre deputetët nuk kanë informacion për tërheqjen e Exim Bank.
“Unë nuk kam informacion direkt, por përfshirja e Exim Bank është e kushtëzuar me koncesione të tjera: Skavica ose Porti i Shëngjinit. Prandaj, në mos ka hequr dorë nuk do të ketë ndonjë zhvillim pozitiv teë shpejtë, sepse kjo histori ka filluar që në kohën e PD-së”, shkruan në përgjigjen e emailit deputeti i PD, Sherefedin Shehu.
Ndërsa deputeti i LSI, Përparim Spahiu shkruan se “Ajo që di është një marrëdhënie intensive mes palëve për të konkluduar në marrëveshjen përfundimtare të çështjes. Është ngritur grupi punës që në Korrik dhe çdo gjë është në linjë me parashikimet! Ka kontakte të vazhdueshme me kompaninë përmes ambasadës së Kinës në Shqipëri. Shpresojmë që çdo gjë të mbyllet shpejt dhe punimet të fillojnë në Janar, sipas parashikimeve!”.
“Nuk kam dijeni për sa më shkruani, thotë deputeti i PS së Dibrës, Ulsi Manja, por para pak ditësh me rrugë zyrtare, si deputet, u jam drejtuar zyrtarisht me shkresë nga Kuvendi për të marrë informacion nga tre Ministrat që ngarkon ligji për të negociuar për kontratën, për të ditur se çfarë po bëhet dhe deri ku ka ecur problemi. Jam në pritje të një informacioni zyrtar, të cilin sigurisht do ta vë në dispozicion sapo ta kem”, thotë ai.
Duket se rreth kësaj çështje do të vazhdojë misteri, së paku edhe këto muaj të 2015-ës. Ndërkohë, e gjendur përballë mungesës së financimeve të huaja në infrastrukturë, qeveria duket se po i drejtohet burimeve të brendshme.
Ishte ministri Haxhinasto, i cili gjatë fjalës së tij në Kongresin e Dytë Ndërkombëtar të Rrugëve që u mbaj në Tiranë më 24-25 shtator 2015, ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së firmave shqiptare në ndërtimin e rrugëve në Shqipëri. Ai theksoi se është një sfidë “angazhimi i biznesit, për të pasur një partneritet mes sektorit privat dhe atij publik, për të realizuar vepra të rëndësishme në infrastrukturë. Investimi ka shumë mundësi të kthehet në veprat e infrastrukturës, se sa mbajtja e parave nëpër banka”, tha ministri Haxhinasto, duke u shprehur i gatshëm dhe i hapur ndaj biznesit që kërkon të përfshihet në infrastrukturë.
Por lidhur me financimin e Rrugës së Atbërit zyrtarisht akoma nuk ka një përgjigje përfundimtare. Sipas ligjit të miratuar më 16 Prill nga Kuvendi i Shqipërisë, tani është koha që kompania kineze “China State Construction” duhet të dorëzojë ofertën përfundimtare.
Sipas ligjit “procedura e negocimit për lidhjen e kontratës ndiqet nga Komisioni i Negocimit të Kontratës, kryesuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe me anëtarë, përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Shtetit”. (Neni 2)
“Projektkontrata, e shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati prej 60 ditësh nga nisja e negociatave, i dërgohet për nënshkrim Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrit të Financave dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes” (Neni 2).
“Nënshkrimi i kontratës, thuhet në nenin 3 të ligjit, bëhet nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Ministri i Financave dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes pas dorëzimit të projektkontratës dhe relacionit përmbyllës të negociatave nga komisioni negociues. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Ministri i Financave dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes mund t’i kërkojnë komisionit negociues rishikimin e projektkontratës” Ndërkohë, “Komisioni i Negocimit të Kontratës duhet të rinegociojë dhe t’u paraqesë për nënshkrim ministrave projektkontratën, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave brenda afatit kohor prej 30 ditësh, duke filluar nga data e kthimit”.
Pas miratimit të kontratës nga tre ministrat, Komisioni i Negocimit të Kontratës harton projektligjin e miratimit të saj dhe ia dërgon për miratim Këshillit të Ministrave brenda një afati 10 ditor. Më pas, Kontrata do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.
Sidoqoftë, ditët në vazhdim do të vendoset përfundimisht se si do të ecet me këtë proces. Mes akuzave për korrupsion, lajmeve mbi tërheqjen e bankës nga financimi apo nëse do të vazhdohen negociatat me kompaninë kineze apo do të gjenden burime financiare nga biznesi privat apo buxheti i shtetit janë shumë pak interesante për banorët e qarkut të Dibrës. E rëndësishme për ta është që puna në terren të vazhdojë. Për çështjet e tjera shteti ka institucione që mbajnë përgjegjësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.