Home / Presidenciale / Presidenti Nishani përshëndet Samitin 100 të Udhëheqësve të Biznesit të Evropës Juglindore

Presidenti Nishani përshëndet Samitin 100 të Udhëheqësve të Biznesit të Evropës Juglindore

Presidenti-Nishani-përshëndet-Samitin-100-të-Udhëheqësve-të-Biznesit-të-Evropës-Juglindore-3-525x350Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i pranishëm në Takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po zhvillohet në Kroaci, përshëndeti sot Samitin 100 të Udhëheqësve të Biznesit të Evropës Juglindore.

Në fjalën e tij, Presidenti Nishani përgëzoi “për kthimin e kësaj nisme në një traditë, që përbën një mundësi konkrete dhe praktike në mbështetje të bashkëpunimit ekonomik dhe të bizneseve në rajon”.

“Në të njëjtën kohë dhe fare pranë, ne, Presidentët e tetë vendeve të Evropës Juglindore, pjesëtare të procesit të Brdo-Brijunit, jemi mbledhur me vizionin dhe vullnetin e përbashkët për të mbështetur politikisht, dhe nëpërmjet projekteve konkrete në infrastrukturë dhe energji, një nivel të ri të bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, me synimin e përbashkët, integrimin evropian. Pjesëmarrja e Kancelares Merkel i jep takimit tonë një dimension të veçantë dhe garanton suksesin e tij”, tha Nishani.

Presidenti Nishani përshëndet Samitin 100 të Udhëheqësve të Biznesit të Evropës Juglindore

Presidenti Nishani përshëndet Samitin 100 të Udhëheqësve të Biznesit të Evropës Juglindore

Sipas kreut të shtetit shqiptar, “politika dhe biznesi e masin suksesin e tyre me cilësinë e shërbimit që ofrojnë për qytetarët dhe me faktin se sa produkti i tyre u përgjigjet standardeve e pritshmërive të qytetarëve”.

“Realizimi i qëllimit të një biznesi të suksesshëm, fitimi, varet nga aftësitë tuaja sipërmarrëse dhe nga ambienti miqësor që krijojnë politikat e hartuara nga ne politikanët. Nga ky këndvështrim, suksesi juaj është edhe yni”, tha Presidenti Nishani.

“Vendet tona po punojmë fort për ndërtimin e infrastrukturës ligjore dhe fizike të standardeve evropiane, në nivel kombëtar, rajonal dhe më gjerë, me qëllim që, në përputhje me pritshmëritë tuaja, të lehtësojmë përpjekjet e përbashkëta për krijimin e një tregu të unifikuar dhe konkurrues. Në këtë linjë, konkluzionet tuaja duhet të udhërrëfejnë agjendën tonë për të marrë pjesën tonë të përgjegjësisë në mbështetje të biznesit”, u shpreh Presidenti Nishani.

Do të doja të shihja këtu edhe kompani që operojnë në Shqipëri, theksoi Nishani, duke shtuar se, “vendi im, i cili sapo fitoi statusin e vendit kandidat për në BE, ofron mundësi të mëdha, falë burimeve të shumta natyrore, bukurive bregdetare dhe malore, trashëgimisë së pasur kulturore, si dhe ambientit miqësor për investimet e huaja”.

“Shqipëria ka një popullsi të re, shumë vitale, të aftë t`i ofrojë tregut një fuqi punëtore konkurruese. Falë zbatimit të projektit “brain gain” janë rikthyer ekspertë cilësorë, të cilët e kishin lënë Shqipërinë më parë, duke sjellë me vete edhe kualifikimin dhe eksperiencën në vendet ku kanë jetuar”, u shpreh Presidenti i Republikës.

“Ekonomia shqiptare i rezistoi relativisht mirë krizës ekonomiko-financiare. Pozicioni gjeografik i ka dhënë Shqipërisë statusin e portës hyrëse për rajonin në mënyrë fare natyrale. Projektet madhore, si: Trans Adriatic Pipeline (TAP) dhe Korridori Adriatiko-Jonian janë bërë një domosdoshmëri nga pikëpamja gjeostrategjike, veçanërisht, pas krizës në Ukrainë”, deklaroi në fjalën e tij Presidenti Nishani.

Leave a Reply

Your email address will not be published.