Kryeartikull

Do zgjasë bashkëjetesa e të ndarëve

Nga Aleksandër  Çipa

Ndryshimet në kabinetin qeveritar nuk janë thjesht një problem refuzimi apo kërkese mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Kjo është një çështje e rëndësishme për të nesërmen vijuese të qeverisjes mes dy krerëve të fuqishëm të së majtës aktuale në vend. Ndryshimet emërore janë aspekti më i thjeshtë dhe nuk lidhen fort me emrat ministrorë që Kryeministri do nga ortaku i tij qeverisës, Meta. Kjo është brendi komplekse e marrëdhënies, e cila hapur po hyn në një etapë të re dhe që dukshëm lexohet se nuk është më ajo e vitit 2013.

Marrëveshja strategjike bashkuese e tyre mund të jetë ajo formalisht, por në ecurinë implementuese të këtyre dy vjetëve janë shfaqur shumë probleme dhe po krijohet një kapitull i ri. Se sa të lirë janë në protagonizmin e tyre dy ortakët e së njëjtës qeverisje, kjo tashmë po zhurmon diskutime gjithandej. E vërteta është se mes tyre nuk ka mbetur ajo besnikëri e fillimit, sikundër edhe nuk po trashëgohet e njëjta ambicie rilindëse. Mjafton të ngresh disa pyetje që lidhen me lëvizjet, deklaratat, ecejaket dhe thumbat nga foltoret e ditëve të fundit mes deputetëve dhe folësve socialisto-LSI-stë dhe ndërton lehtësisht versionin e një thellësie dasish mes dy palëve të ortakërisë qeverisëse. Madje, në kontekst me situatën e gjeneruar prej zbulim-rimbulimit të aferës CEZ, verifikon se sa brerje të brendshme korrupto-politike ka fituar e pësuar koalicioni. Sidoqoftë, le të mbetemi te një pyetje retorike e shumartikuluar nga diskutues e komentues të qeverisë aktuale: Nëse në një version, të pamundshëm, Kryeministri Edi Rama nuk do t’i ndryshojë ministrat e vet, a do ta bëjë këtë Ilir Meta sikundër e bëri dikur me ish-kryeministrin Sali Berisha?!

Kjo dilemë e paqenë, është shuar rrufeshëm në takimin e djeshëm mes Kryeministrit me Kryetarin e Parlamentit. Ndryshimet në kabinetin “Rama” janë të pashmangshme. Të dy ortakët e tanishëm janë shumë herë më të ndryshëm se ortakët e mandatit qeverisës 2009-2013. Ish-kryeministri Berisha edhe pse u largua pas tetë vjetësh nga pushteti, ende vijon me këmbëngulje lartësori të mos e pranojë pensionin politik. Ndërsa “ortaku i ortakërive të kundërta”, zoti Meta, shijoi gjatë këtij muaji një furtunë të re akuzimi dhe goditjeje publike, e cila nuk e ka shuar ende efektin e vet. Mirëpo, goditjet morale, tradicionalisht nuk e ndëshkojnë elektoralisht Ilir Metën. Ky është një absurd që mbahet në fuqi përmes riciklimesh në karrierën e tij.

Momentalisht, ai është më i fortë partiakisht në aleancën me Edi Ramën, por më i dobët se kurrë moralisht, në raport me qytetarët. Ndoshta është politikani që në rrjetet sociale dhe në diskutimin informal publik, përmbledh akuza dhe përgojime, të cilat shprishin çdo imagjinatë dhe masë akuzash të ngjashme me ndonjë sivëlla apo shëmbëllak në rajon. Megjithatë, ai mbetet ortaku përcaktues dhe i fortë përballë Edi Ramës, i cili ka një strategji krejt të ndryshme, por që ndoshta injoron faktorin kohë. Ilir Meta mbetet i fortë për shumë arsye; përcaktues për shkak të mjeteve që përdor jo vetëm në politikëbërje, por në mënyrën se si e ndërton influencën brenda së majtës. Ka gati dy vjet që koalicioni qeverisës i së majtës, nuk prek asnjë shprehje për atë çka ka ndryshuar ose jo, në brendinë bashkuese apo ridasuese të saj. Një pakënaqësi e madhe i bashkon dy forcat e koalicionit dhe një pakënaqësi po më e madhe e ndan rishtazi PS-në në brendësi të anëtarësisë së saj.

Ilir Meta nuk luan me ortakët e padëshiruar vetëm si kokëfortë apo i “fortë prej malori”, por si lojtar që i dhuron përqafimin “flori dhe vëlla” anëtarit të pakënaqur të familjes tjetër partiake. Socialistët e pakënaqur nga Edi Rama me kohë rrjedhin të strehohen te LSI e Metës. Ndërkohë që në konstituimin e drejtuesve të këshillave bashkiakë dhe ndarjen e posteve për qeverisjen e njësive administrative dhe sidomos të qarqeve, po riciklohet një antagonizëm i heshtur mes socialistëve dhe LSI-stëve, duke u mundësuar ripërsëritja e historive të dikurshme të aleancave të çuditshme lokale mes degëve partiake. Në jo pak raste është përfolur aleanca fluide LSI-PD apo edhe me aktorë të tjerë partiakë me përkatësi heterogjene.

Të gjitha këto pjesëza dhe ndodhi periferike, janë reflektim i një kapitulli të ri që po hyn në jetë në marrëdhënien politike mes dy forcave të së majtës. Kjo rrethanë dhe sidomos kjo brendi e ndërgjegjes së trazuar mes dy aleatëve, lë të çelur portën e trazirave të ardhshme në qeverisje dhe në koalicion. Sikundër krijon mundësinë për një riciklim të historisë së korrupsionit, rikapjes së strukturave dhe pushteteve, si dhe të zvarritjes së mëtejshme të të ashtuquajturave reforma që mund të shkaktonin sadopak “rilindje”. Kjo formë dhe sidomos ky kapitull i ri marrëdhënieje mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, ka për të qenë shumë më i vështirë. Ky kapitull sa mund të quhet një pretendim i fundit, po aq edhe kërcënim i rikthyer për besimin ndaj shtetit dhe barazisë para ligjit. Kërcënimi bëhet edhe më shembës për besimin e shoqërisë që po rizhytet në një tejzgjatje të realitetit tranzicionist, apo që gjeneron “rikapjen” përmes stuhive të rreme të “antikapjes”.

Loja e faktit të kryer, për emrat e ndryshuar ministrorë të kabinetit qeverisës, mund të realizohet dhe imponohet vetëm prej dy protagonistëve Rama-Meta, por aktorët dhe subjektet e së majtës, pas këtij kapitulli, kanë për të gjeneruar një sjellje dhe qëndrim të ri të ndryshëm. Në kohën e afërt, në jetën parlamentare dhe sidomos në sjelljet politike të individëve dhe grupeve të përfaqësimit e të interesit, do të ketë lëvizje e surpriza që vetë dy udhëheqësit do t’i sikletosin. Kjo është e pashmangshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button