Te ndryshme

El Hierro – A është ky ishulli më i gjelbër në botë?

Më i vogli dhe më i izoluari ndër Ishujt Kanarie, ai ka një mënyrë të kombinimit të energjisë ujore dhe të erës që mund ta lejojë atë, që një ditë ta marrë të gjithë energjinë nga burime të rinovueshme. Në gusht, ishulli kaloi dy orë pa përdorur stacionin e naftës, por ky mund të jetë fillimi i një transformimi më të madh.

Për më shumë se 30 vjet, El Hierro ka ëndërruar të përdorë vetëm burimet e veta. Dhe këtë vit, ai ndërmori një hap të madh përpara. Në fund të qershorit, ndërtesa e re hidro-erë, Gorona del Viento, hyri në funksion dhe në korrik dhe gusht përmbushi rreth gjysmën e nevojave të ishullit për energji.

Kjo do të thotë se ishulli me 10,000 banorë po u ofron atyre një shans për t’u çliruar nga përdorimi i naftës që vjen nga 200 kilometra larg.

Në korrik, Gorona del Viento kurseu 300 tonë të karburanteve fosile, por kjo pritet të rritet në 500 tonë për muaj së shpejti, që do të thotë 40,000 fuçi nafte më pak dhe 19,000 tonë dioksid karboni më pak në atmosferë në vit.

Sistemi ka pesë turbina me erë me një kapacitet të përgjithshëm 11.5 megavatë dhe dy rezervuarë uji, njëri 700 metra mbi nivelin e detit dhe tjetri në bregdet. Rezervuarët janë të lidhur me njëri-tjetrin me dy tubacione nga 3 kilometra.

Përdoret ujë i pastër në vend të ujit të detit për t’u siguruar që të mos ndoten rrjedhat nënujore nëse ka përhapje të ujit të kontaminuar. Çfarë është unike, është mënyra sesi funksionojnë së bashku era dhe uji.

“Kur ne marrim mjaftueshëm erë, prodhojmë elektricitet dhe e shpërndajmë atë në rrjet. Çfarë mbetet, e përdorim për të pompuar ujë nga një rezervuar më i ulët tek ai më i lartë pastaj, kur era bie, ne e lëmë ujin të rrjedhë në turbinat hidraulike dhe gjenerojmë sërish elektricitet për popullatën”, thotë Juan Gil, kryeinxhinier në Gorona del Viento.

Në varësi të erës dhe fuqisë së ujit, sistemi vazhdimisht ndryshon nga mbledhja te lëshimi i ujit. Synimi është të shkohet më larg se përdorimi 50 për qind me 50 për qind i energjisë së rinovueshme dhe gjeneratorëve të naftës.

Pritet që stacioni energjetik të arrijë të mbulojë 70 deri në 80 për qind të konsumit total.

Juan Pedro Sanchez, një inxhinier industrial, i cili punon si këshilltar në Gorona del Viento, parashikon rritjen e përdorimit të impiantit deri në 100 për qind për të mbuluar plotësisht nevojat e ishullit. Koha gjatë së cilës Gorona del Viento mund të vazhdojë prodhimin e energjisë ujore, përcaktohet nga volumi i rezervuarit më të vogël.

Megjithatë, ligji spanjoll thotë se kostot e energjisë elektrike duhet të jenë në të gjithë vendin të njëjta, ndaj faturat nuk janë ulur. Ishulli do të përfitojë pasi autoritetet thonë se shteti spanjoll do t’i japë ishullit një kompensim prej 5-7 milionë eurosh në vit.

Por, ka edhe nga ata që janë kundër idesë së energjisë së gjelbër, të cilët arsyetojnë se paratë mund të ishin përdorur për diçka tjetër si zhvillimi i turizmit që në El Hierro është thuajse inekzistent.

Shumë të tjerë mendojnë se pavarësia e ishullit nga energjia botërore do t’i kursejë atij, në mos para, telashet.

“Ky ishull ishte i braktisur, i lënë pas dore dhe i harruar nga autoritetet qendrore. Deri në fillim të vitit 1970, El Hierro kishte elektricitet nga muzgu në mesnatë, dhe vetëm në kryeqytet dhe në dy qytete të tjera”, thotë një vendas.

Atëherë, nëse kushtet e detit ishin të këqija, ishulli shkëputej nga pjesa tjetër e botës për ditë ose javë. Një tjetër problem, ishte mungesa e ujit. Ishulli vuante nga thatësirat dhe njerëzit ishin të detyruar të emigronin në ishujt fqinj dhe në Kubë, Argjentinë dhe Venezuelë.

Tani ishulli po ndërmerr shumë iniciativa të gjelbra. Një numër gjithnjë e në rritje shkencëtarësh të huaj dhe politikëbërësish, po e vizitojnë El Hierron për të mësuar më shumë rreth Gorona del Viento.

Ishulli është vendi i duhur për këdo që pëlqen natyrën dhe vetminë. El Hierro nuk është i vetmi ishull që synon të përdorë energji të vetëmjaftimit.

Që nga viti 2008, banorët e ishullit skocez Eigg, kanë filluar përpjekjet për të ulur përdorimin e karburanteve fosile, duke përdorur burime të qëndrueshme. Rreth 100 persona jetojnë në ishullin Eigg dhe tani elektriciteti i tyre përftohet nga energjia ujore, e erës dhe ajo diellore.

Po ashtu, ishulli Samso në Danimarkë, me një popullsi prej 4000 personash, e prodhon të gjithë energjinë nga burime të rinovueshme dhe synon që të mos përdorë karburante fosile deri në vitin 2030. Energjia e gjelbër duket se do të jetë e ardhmja e planetit tonë, herët ose vonë.

*Burimi: BBC.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button