Kronika

Prokurorët, hua për blerje trualli dhe apartamentesh prej mijëra eurosh

Të dhënat gjatë vitit 2012 dhe 2013

Deklarimet e pasurisë 

Prokuroria e Pergjithshme

Krerët e prokurorisë vazhdojnë të jenë të mbytur në borxhe! Të gjithë, ata të akuzës qendrore, të Krimeve të Rënda dhe të Prokurorisë së Tiranës, kanë marrë kredi për blerje apartamentesh, ndërsa disa prej tyre kanë deklaruar edhe shtëpi pushimi në plazh. Gazeta “Shqip” ka marrë deklaratat e tyre të pasurisë për vitet 2012 dhe 2013, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ka të ardhura pagat, të tjerë qiratë e lokaleve në zona të ndryshme të Tiranës. Madje, një prokuror ka blerë kuota në një shoqëri bankare, ndërsa të tjerë kanë preferuar të blejnë troje.

Adnan Xholi

Drejtori i hetimit, kursime vetëm nga pagat

Drejtori i hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Adnan Xholi, konsiderohet si numri dy i akuzës qendrore, pas kreut të saj, Adriatik Llalla. Më parë, Xholi ka qenë prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pikërisht në sektorin antimafie. Në vitin 2012, ka kursyer rreth 13 milionë lekë të vjetra, nga paga si prokuror dhe si pedagog i jashtëm në një universitet privat. Madje, edhe bashkëshortja e tij ka kursyer duke qenë me punë në Prokurorinë e Tiranës. Në deklaratën e pasurisë, Xholi ka përmendur se ka edhe një kredi për blerje apartamenti, në shumën e 50 milionë lekëve të vjetra, ndërsa ka një këst mujor 23 mijë lekë në muaj. Në vitin 2013, të ardhurat i janë shtuar. Në këtë vit, ai ka pasur rreth 30 milionë lekë të ardhura nga shpërblimet e pagës së tij dhe të bashkëshortes. Ndërkohë që vazhdon të shlyejë kredinë e marrë për apartamentin.

Altin Binaj

Kreu i antikorrupsionit, shtëpi pushimi në Orikum

Kreu i njësisë antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme analizon të gjitha çështjet e korrupsionit në vend. Ai është emëruar në këtë detyrë në vitin 2013, ndërsa më parë ka qenë edhe drejtues i Prokurorisë së Durrësit apo edhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë. Sipas deklarimit të pasurisë, Altin Binaj ka deklaruar për vitin 2012 vetëm një depozitë bankare me 700 mijë lekë, si kursime të tij dhe bashkëshortes. Ka deklaruar pagën e tij, në atë kohë si drejtues i Prokurorisë së Durrësit, me 1.9 milionë lekë, të bashkëshortes 500 mijë lekë, si dhe pensionin e nënës. Për vitin 2013, ka deklaruar rreth 1 milion lekë kursime familjare. Ndërkohë, ka shtuar pasurinë, duke blerë për 15 mijë euro një apartament 56 metra katrorë në Orikum të Vlorës. Apartamentin thotë se e ka blerë nga të ardhurat personale dhe familjare të grumbulluara në vite.

Petrit Fusha

Kryeprokurori i Tiranës, mijëra euro nga qiraja

Kreu i Prokurorisë së Tiranës ka pasur në vitin 2012 një shtesë prej 5800 eurosh, të cilat kanë prejardhje nga qiraja e një lokali. Si të ardhura të tjera ka deklaruar pagën e tij mujore prej 1.1 milionë lekë, ndërsa për vitin 2012 ka përfituar në vit rreth 54 mijë euro, sërish nga qiraja e lokalit në Bathore. Po në këtë vit, ka shlyer rreth 35 mijë euro kredi, ndërsa i kanë mbetur edhe 108 mijë të tjera, ndërsa ka paguar edhe rreth 1.1 milionë lekë për shlyerjen e një tjetër kredie.

Në vitin 2013, Fusha ka deklaruar se ka shitur një truall rreth 300 metra katrorë në Farkë të Madhe me një vlerë rreth 2 milionë lekë, ndërsa për gjithë këtë vit i është shtuar gjendja në kesh në 3.7 milionë lekë, nga shitja e truallit dhe paga e tij si prokuror. Sërish ka rreth 54 mijë euro të ardhura në vit nga qiraja e lokalit, ndërsa ka vazhduar të shlyejë kreditë, prej 33 mijë eurosh dhe 1.3 milionë lekësh.

Shpëtim Kurti

Prokurori i Tiranës, pazar me makinat dhe trojet

Zv.drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Kurti, është emëruar në këtë post vitin e kaluar, ndërsa gjatë 10 viteve të fundit ka qenë prokuror në kryeqytet. Në kohën që akuza e Tiranës drejtohej nga Vexhi Muçmata, tashmë deputet, sërish ka qenë zv.drejtues i Prokurorisë, post të cilin e “humbi” kur në krye të akuzës u vu Ina Rama. Sipas deklarimeve të pasurisë në vitin 2012, rezulton se ka shitur një autoveturë 7 mijë euro dhe ka blerë një tjetër autoveturë me vlerë 6 mijë euro.

Gjatë të njëjtit vit, Kurti rezulton të ketë blerë një truall

200 metra katrorë për vlerën e 5.5 milionë lekëve. Ai ka shkruar në deklarimet e tij të pasurisë se të ardhurat për blerjen e këtij trualli i ka pasur kursime familjare nga pagat.

Ndërkohë, në vitin 2013 ka deklaruar rreth 1.8 milionë lekë të ardhura nga paga e tij dhe e bashkëshortes.

Arben Nela

Zv.drejtuesi i Prokurorisë në Tiranë, hua 40 mijë euro

Zv.drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arben Nela, është në grupin hetimor të vrasjes së bankierit Artan Santo, ndërsa është transferuar në kryeqytet në kohën që akuza qendrore drejtohej nga Ina Rama. Sipas deklarimit të pasurisë në vitin 2012, rezulton se ka një depozitë bankare në emër të bashkëshortes së tij 860 mijë lekë, ndërsa ka pasur kursime 200 mijë lekë. Në këtë vit ka pasur 2.3 milionë lekë të ardhura nga paga e tij dhe e bashkëshortes, ndërsa ka edhe një depozitë prej 1602 eurosh. Sipas deklarimit të pasurisë, prokurori Nela ka marrë rreth 40 mijë euro hua në vitin 2012, të cilat duhet t’i shlyejë deri në vitin 2017. Në vitin 2013, ka sërish të njëjtat të ardhura nga paga e tij dhe e bashkëshortes, ndërsa ka blerë një apartament me vlerë 52 mijë euro, nga të cilat 40 mijë euro i ka marrë borxh dhe 12 mijë euro i ka pasur kursime familjare. Rezulton se ka shlyer rreth 10 mijë euro të huas për një vit.

Deniona Katro

Familja i dhuron apartament shefes së Task-Forcës në Tiranë

Drejtuesja e njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës është emëruar prej pak javësh në këtë post. Ajo ka qenë më parë në Prokurorinë e Durrësit, si prokurore e thjeshtë, ndërsa në postin aktual është ende e komanduar nga kryeprokurori Llalla.

Sipas deklarimit të pasurisë, kjo drejtuese ka deklaruar për vitin 2012 një apartament 86 metra katrorë në Durrës, ku dhe banon prej 20 vitesh. Thotë se këtë apartament ia kanë dhuruar prindërit dhe ka një vlerë rreth 4.4 milionë lekë. Si të ardhura për vitin 2012 ka deklaruar pagën e saj dhe të ardhurat nga mësimdhënia në një universitet privat.

Për vitin 2013 ka deklaruar se ka kesh në shtëpi 300 mijë lekë, ndërsa sërish ka të njëjta të ardhura personale nga paga e saj dhe nga mësimdhënia.

Eugen Beçi

Kreu i Krimeve të Rënda pazar me autovetura

Prej dy vitesh, Prokuroria e Krimeve të Rënda drejtohet nga një ish-gazetar, ndërsa gjatë detyrës ka drejtuar një sërë hetimesh për banda kriminale apo edhe për trafiqe të ndryshme. Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka deklaruar për vitin 2012 rreth 300 mijë lekë të ardhura, ndërsa ka pasur të ardhura nga paga e tij prej 1.5 milionë lekësh dhe 631 mijë lekë nga paga e bashkëshortes, si nëpunëse në Bashkinë e Tiranës. Ka marrë një kredi rreth 50 milionë lekë me këst mujor 23 mijë lekë.

Në vitin 2013, ka deklaruar se ka pasur kursime 500 mijë lekë, ndërsa ka përfituar 800 mijë të tjera nga shitja e një automjeti. Me këto të ardhura ka blerë një automjet tjetër në vlerën e 950 mijë lekëve, ndërsa sërish ka të ardhura pagën e tij dhe të bashkëshortes. Ka vazhduar të shlyejë edhe kredinë për apartamentin.

Blerim Tominaj

Zv.drejtuesi i Krimeve të Rënda blen lokal në Bllok

Zv.drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është në këtë detyrë prej pak muajsh. Më parë ka qenë prokuror në Tiranë, ku ka hetuar edhe vrasjet e 21 janarit 2011. Ky prokuror ka deklaruar për vitin 2012 rreth 48 mijë lekë, ndërsa shkruan se ka si të ardhura pagën e tij, 1.2 milionë lekë të vjetra, pagën e bashkëshortes 448 mijë lekë dhe përfiton 350 mijë lekë qira lokali. Ka marrë dy hua, 8 mijë euro dhe 3 mijë euro, për të blerë një lokal në zonën e Bllokut në Tiranës.

Në vitin 2013 ka pasur kursime nga pagat 138 mijë lekë, ndërsa sërish thotë se ka të ardhura rrogën e tij dhe të bashkëshortes, si dhe qiranë e lokalit. Edhe në këtë vit, ka marrë 10 mijë euro hua për blerjen e lokalit.

Henrik Ligori

Zv.drejtuesi i Krimeve të Rënda blen kuota në një shoqëri

Një nga drejtuesit më të vjetër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sipas deklarimit të tij të pasurisë në vitin 2012, ka rreth 1 milion lekë kursime, ndërsa ka marrë një kredi prej 43 mijë eurosh për blerjen e një automjeti. Ka gati 4.7 milionë lekë të ardhura nga paga e tij dhe e bashkëshortes, deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Zëvendësprokurori i Krimeve të Rënda, Henrik Ligori, ka deklaruar për vitin 2013, rreth 3 milionë lekë të ardhura nga kursimet, ndërsa ka investuar rreth 1 milion lekë për blerje kuotash në një shoqëri bankare. Ndërkohë, ka deklaruar se për këtë vit ka pasur si të ardhura gati 4 milionë lekë, nga paga e tij dhe e bashkëshortes, ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Ka pagur rreth 3700 euro për kredinë e marrë për blerje automjeti.

Sokol Çobo

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button