Ekonomia

Formula e re: Pension social plus 1% për çdo vit

Formula – Formula e re është: Pensioni social + 1% për çdo vit që kanë kontribuuar përfituesit në skemën e sigurimeve

63 vjeç – Rritja e moshës së grave deri në vitin 2032, kur duhet të shkojë 63 vjeç, do të bëhet me dy muaj në vit

Maksimal – Pensioni maksimal me skemën e vjetër ishte sa dyfishi i pensionit minimal, me formulën e re nuk ka kufizim

Drafti në Komisionin e Ekonomisë. Hiqet pensioni i pjesshëm. Nga 1 janari, 5 mijë pensione sociale

Veliaj Pensionet

Hiqet pensioni i pjesshëm nga skema e sigurimeve shoqërore, ndërsa pensioni bazë zëvendësohet me pensionin social. Ky ndryshim radikal i formulës së llogaritjes së pensioneve vjen me projektligjin e ri, që e ka prezantuar dje, në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

Formula e re

“Sipas formulës së re të llogaritjes së pensioneve, duke filluar nga data 01.01.2015 e në vazhdim, nuk do të ketë pension të pjesshëm”, deklaroi Veliaj. Me ndryshimet e parashikuara në nenin 32, shpjegon ministri, realizohet heqja e tavaneve, të cilat kufizonin marrjen e një pensioni më të lartë se dyfishi i pensionit minimal dhe më të madh se 75% e pagës mesatare neto në tri vite të njëpasnjëshme në dhjetë vitet e fundit të punës. “Këto tavane krijonin padrejtësi, kishin dobësuar ndjeshëm lidhjen midis pensionit e kontributit dhe dekurajonin pagimin e kontributeve me paga të larta, duke u bërë shkak për evazion dhe fshehje të pagave”, tha Veliaj. “Për rivendosjen e parimit kontributiv dhe forcimin e tij, në këtë projektligj parashikohet ripërcaktimi i formulës së përllogaritjes së pensionit, duke zëvendësuar pensionin bazë me pensionin social dhe duke rritur atë pjesë të pensionit që lidhet drejtpërdrejt me madhësinë dhe vitet e kontributeve të paguara. Ky ndryshim do të bëjë që, krahasuar me sot, të rriten thuajse të gjitha pensionet”, u shpreh Veliaj për të mirat e këtyre ndryshimeve në ligj. Në fakt, zëvendësimi nga pensioni social i pensionit bazë, që ishte në skemën e vjetër, do të thotë një ulje për të ardhurat e pensionistëve të rinj që hyjnë në skemë, pasi masa e pensionit social është më e vogël se ajo e pensionit bazë. Gjithsesi, shtesa e kontributeve (ndryshimi në formulë), do të sjellë rritje të masës së pensionit.

Pensioni social

Pensioni social parashikohet t’u akordohet qytetarëve shqiptarë mbi moshën 70 vjeç. Pra, kësaj kategorie i shtohen edhe 5 vjet punë krahasuar me ligjin ekzistues. Një tjetër kusht është që përfituesit duhet të mos kenë të ardhura të tjera të përfituara nga pasuritë, trashëgimitë, të ardhura nga investimet etj., pra kur vërtetohet se nuk kanë mjete të tjera alternative për jetesën. Vendosja e kufirit moshor prej 70 vjetësh është bërë, sipas hartuesve të ligjit, për arsye që qytetarët të inkurajohen të marrin pjesë në skemë, nëpërmjet pagimit të kontributeve dhe përfitimit të një pensioni më të madh dhe më dinjitoz. Gjithashtu, në këtë dispozitë parashikohet që pensioni social mund të jetë i pjesshëm, për atë kategori personash që kanë të ardhura nga burime të tjera, por niveli i tyre mujor është më i ulët se masa e pensionit social. Pra, këtu lind një kategori tjetër “pensioni” shumë e ulët. Kriteret e përfitimit të tij do të caktohen nga Këshilli i Ministrave. Sipas hartuesve të projektligjit, bazuar në të dhënat nga regjistri i shtetasve dhe regjistri i pensioneve, numri i përfituesve parashikohet që në vitet e para të jetë rreth 5000 persona me një kosto vjetore prej rreth 400 milionë lekësh në vit, të cilat do të financohen nga të ardhurat e përgjithshme nëpërmjet buxhetit të shtetit.

Kontributet

Projektligji njehson pagën minimale kontributive me pagën minimale në shkallë vendi dhe përcakton rregulla strikte për indeksimin e pagave kontributive. “Për efekt të llogaritjes fillestare të pensioneve, duke filluar nga data 01.01.2015 e në vazhdim, do të bëhet ripërcaktimi i koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësueshme, përcaktimi i një page referuese për vjetërsinë e punës në ish-kooperativat bujqësore, eliminimi i dyshemeve administrative që krijonin shkëputje në llogaritjen e pensioneve fshat-qytet”, tha Veliaj. Sipas këtij ndryshimi, pritet të ketë rritje të kontributeve. Aktualisht, paga minimale për llogaritjen e kontributit është 19 mijë lekë, ndërsa paga minimale për punësim është 22 mijë lekë. Diferenca është 3 mijë lekë dhe mbi të llogaritet 21.4% i derdhjes së sigurimeve shoqërore për pensionin e pleqërisë, që do të thotë se është rreth 670 lekë në vit. Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ekonomisë u zhvillua pa praninë e PD-së. Reforma e pensioneve nuk është bërë për shumë vite, sepse mungonte konsensusi politik. Për deputetin Anastas Angjeli, kjo reformë, dhe pse e vonuar, është shumë e domosdoshme. Ai deklaroi se skema aktuale është drejt falimentimit, ka shumë padrejtësi dhe problematika.

Në 2056-n 

Mosha e pensionit shkon 67 vjeç për burrat dhe gratë

Mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të dyja sekset në vitin 2056. Ministri Veliaj njoftoi se do të bëhet rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të dyja sekset në vitin 2056. “Argumentet për këtë janë: Është rritur ndjeshëm koha e gëzimit të pensionit si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë. Aktualisht, në Shqipëri koha mesatare e gëzimit të pensionit për të dyja gjinitë është 21.4 vjet, 19.2 vjet për meshkujt dhe 24.2 vjet për femrat. Pra, koha e gëzimit të pensionit për femrat është 5 vjet më e lartë se e burrave për dy arsye kryesore: jetëgjatësia më e madhe e femrave se e meshkujve, si dhe dalja në pension pleqërie më herët se meshkujt”, tha Veliaj. Më tej ai shtoi se kjo kërkohej edhe nga grupet e të drejtave të njeriut, sepse dalja në pension para kohe është dalje nga tregu i punës para kohe. Në shumë vende të BE-së, argumentoi ministri, mosha e daljes në pension është e njëjtë për të dyja gjinitë.

Ndryshimet 

• Hiqet kufizimi tavan për pensionin. Njehsohet paga minimale kontributive me pagën minimale në shkallë vendi.

• Rritje graduale e kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane, deri në 2018-n.

• Shfuqizimi i formulës së llogaritjes së pensioneve të zonave rurale dhe përdorimit i së njëjtës formulë, si për të tjerët.

• Inkurajohet vazhdimi i punës, pas mbushjes së moshës në pension, duke rritur shtesën për shtyrje pensioni në 0.5% për muaj.

• Të gjithë individët, që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për përftimin e një pensioni, do të përfitojnë një pension social

Zamir Alushi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button