Kronika

Ina Rama rrëzohet nga Gjykata Administrative

Ish-kryeprokurorja do të apelojë vendimin për t’u rikthyer në gjyqësor. Avokati: Vendimi politik

Ina Rama

Ish-kryeprokurorja Ina Rama vazhdon betejën me drejtësinë për t’u rikthyer në gjyqësor, megjithëse shënon disa “humbje”. Krahas refuzimit nga KLD-ja, Rama është rrëzuar edhe nga Gjykata Administrative, e cila nuk e ka pranuar kërkesën civile. Sipas padisë, ish-numri një i akuzës qendrore kërkon në rrugë gjyqësore që të detyrohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë ta emërojë në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Gjykata rrëzoi edhe kërkesën për dëmshpërblimin nga ana e KLD-së të vonesës prej dy vitesh, gjatë së cilës ish-Prokurorja e Përgjithshme ishte në pritje për t’u emëruar në gjyqësor, si dhe dëmshpërblimin e saj, pasi sipas zonjës Rama ishte fyer nga anëtarët e KLD-së gjatë mbledhjes. Përfaqësuesi i ish-Prokurores së Përgjithshme, avokati Fatmir Braka, tha se do t’i drejtohet menjëherë Gjykatës Administrative të Apelit pasi e shikon këtë vendim si të pambështetur në provat e depozituara në Gjykatë. Ky vendim, tha zoti Braka, është politik, ashtu sikundër paralajmëroi një javë më parë, kur tha se edhe pse nuk mund ta paragjykonte vendimin që do të jepte Gjykata, e shikonte si të dyshimtë influencën e KLD-së në Gjykatën Administrative.

Sipas padisë, Rama thekson se pas kërkesës që nga janari 2013, ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe asnjë komunikim nga KLD se përse çështja e saj nuk u fut në rend dite, edhe pse gjatë kësaj kohe, KLD ka zhvilluar dhjetëra mbledhje dhe miratoi gjyqtarë për vendet vakante në Gjykatën e Apelit. Ajo ka komentuar në padi edhe për kreun e KLD-së, për të cilin tha se komentet e tij se kërkesa e saj është e paligjshme, nuk është e vërtetë. Duke iu referuar vendimit që rrëzoi kërkesën e saj, ish-Prokurorja e Përgjithshme thotë se KLD duhet të vendoste për emërimin në Gjykatën e Apelit jo vetëm në referim të ligjit, por nisur edhe nga vendet vakante në këtë gjykatë. Në referim të argumentit të KLD-së se zonja Rama duhet të konkurronte për në Apelin e Tiranës, pasi më herët ka qenë e emëruar tek Apeli i Krimeve të Rënda, ish-prokurorja replikon duke e konsideruar si një sfidë e hapur ndaj ligjit nga KLD. Nëse do të ishte e nevojshme të konkurronte, kjo mund të ndodhte, ironizon ish-Prokurorja e Përgjithshme, vetëm nëse për të njëjtin vend në Apel do të mund ta kërkonin dy ish-Prokurorë të Përgjithshëm. Madje shton se vetë anëtarët e KLD në këtë vendim janë në konflikt interesi të qartë, të cilët vijojnë të jenë gjyqtarë në Shkallën e Parë apo në Apel, e disa të tjerë janë kandidatë për t’u emëruar e për të konkurruar për në Apelin e Tiranës.

“Këta anëtarë të KLD-së, qartazi shprehin rrethana të pavërteta dhe denigruese për personin e paditëses, duke qenë se ky Këshill, po e shqyrtonte më në fund kërkesën e paditëses pas më shumë se 1 viti, duke qenë i provuar fakti se kërkesa është dërguar zyrtarisht nga paditësja në datën 14.01.2013! Janë pikërisht të njëjtët anëtarë, të cilët kanë pasur përpara në mbledhje kërkesën e përsëritur të paditëses Ina Rama dhe janë shprehur e kanë komentuar mbi përmbajtjen e saj”, thuhet në kërkesëpadinë e zonjës Ina Rama, e cila është rrëzuar në Gjykatën Administrative.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button