Home / Intervista / Nuland: Duhen ngritur çështje dhe të burgosen ata që janë të korruptuar

Nuland: Duhen ngritur çështje dhe të burgosen ata që janë të korruptuar

“Jemi shumë me fat që Arvizu ka pranuar të qëndrojë”

Bledar Zaganjori

nuland

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland, ka deklaruar në një intervistë për “Top Channel”, se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë dhe se Shqipëria ka nevojë të pastrojë gjyqësorin nga korrupsioni dhe të korruptuarit. Nuland foli për investime të biznesit amerikan në Shqipëri, duke përmendur projektin TAP dhe kërkime për naftë në det. Ajo komentoi edhe deklaratën e sekretarit Kerry për vakancat e ambasadorëve. Zonja Nuland vlerësoi ambasadorin Arvizu dhe u shpreh se komentet e sekretarit i drejtoheshin Senatit, për shkak të bllokimit të emërimeve si pasojë e luftës së brendshme politike. Me zonjën Nuland bisedoi drejtori i informacionit në “Top Channel”, Bledar Zaganjori.

Zonja ndihmëssekretare, së pari, faleminderit për këtë mundësi.

Është kënaqësi, Bledar.

Jeni takuar me të gjithë aktorët politikë dhe ndoshta keni dëgjuar nga qeveria lidhur me synimet e tyre për reformat dhe integrimin europian, si dhe ankesat e opozitës për një numër çështjesh. Ku duhet të përqendrohen reformat e menjëhershme? Cila është këshilla e SHBA-së nëse mungesa e konsensusit bllokon reformat?

Së pari, Bledar, është e shkëlqyer që kthehem në Shqipëri. Kanë kaluar afro dy vjet nga vizita e fundit. Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi, në radhë të parë, për të përgëzuar popullin shqiptar për hapin e jashtëzakonshëm që ndërmorët dy javë më parë me statusin kandidat për në BE. E di që i gjithë vendi dhe të gjithë politikanët kanë punuar shumë fort për ta çuar Shqipërinë në këtë fazë. Është një votë e vërtetë besimi për përparimin tuaj dhe ne jemi shumë krenarë të jemi partneri juaj në të gjitha reformat që kanë qenë të nevojshme deri në këtë pikë dhe në reformat që ende keni përpara. Pra, më pyetët se për çfarë diskutuam sot. Mes gjërave për të cilat diskutuam sot, është marrëdhënia jonë ekonomike. Do të doja të shihja më shumë biznese dhe investime amerikane këtu. Do të doja të shihja më shumë bashkëpunim mes nesh në fushën e sigurisë së energjisë. Keni potencial shumë të madh dhe ne kemi shumë projekte për të cilat mund të punojmë së bashku: nga gazsjellësi TAP te reformimi i sistemit tuaj të tanishëm, te disa prej mundësive nga kërkimet në det. Sigurisht, folëm edhe për procesin në vazhdim të reformës në gjyqësor. Isha shumë e kënaqur të shihja që ekzistonte unanimitet kudo në spektrin politik, se kjo punë duhet të vazhdojë; që është ajo që pret dhe meriton populli shqiptar; kundërvënia ndaj korrupsionit, një sistem i pastër dhe transparent gjyqësor dhe ne do të vazhdojmë të jemi partnerët tuaj në këtë udhëtim.

Vijmë te lufta kundër korrupsionit. Korrupsioni ka qenë një prej vështirësive më të mëdha të Shqipërisë në 23 vitet e fundit. Siç ka deklaruar publikisht Komisioni Europian dhe qeveria e SHBA-së për vite me radhë (si dhe raporte të ndryshme ndërkombëtare), korrupsioni nga poshtë te nivelet më të larta të qeverisjes ka qenë problem i madh dhe, deri tani, ne nuk kemi gjurmë të mira të zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të zyrtarëve të të gjitha niveleve. Problemi nuk është vetëm politik, por ka të bëjë edhe me keqfunksionimin e sistemit të drejtësisë. Nuk kemi vetëm politikanë të korruptuar, por edhe gjyqtarë të korruptuar. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria në këtë rast? Sa e thellë duhet të jetë reforma në drejtësi? A mendoni se kemi nevojë të zëvendësojmë dhe ndëshkojmë vetëm të korruptuarit apo kemi nevojë të ndryshojmë të gjithë sistemin që nuk ka funksionuar?

Më lejoni të them se kundërvënia ndaj korrupsionit është një sfidë për cilindo vend të planetit; është sfidë edhe në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka nevojë t’ua them unë shqiptarëve që keni nevojë për një sistem më të pastër dhe më pak të korruptuar dhe që ka nevojë për më shumë punë këtu. Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, ajo që u këshillojmë të gjitha vendeve dhe që përpiqemi të bëjmë edhe në vendin tonë, është përpjekja për ta sulmuar korrupsionin nga disa kënde. Është e qartë që duhen ngritur çështje dhe të burgosen ata që janë të korruptuar, qofshin në sektorin e biznesit apo nëse janë zyrtarë publikë. Duhet të siguroni transparencën e kontratave; duhet të siguroni që të mos merret ryshfet. Ka shumë mënyra për ta sulmuar problemin; është ana e ligjzbatimit dhe drejtësisë, si dhe ka gjëra si e-governance, e cila e bën më të vështirë që njerëzit të marrin ryshfet, por është edhe nevoja kulturore, edukimi i popullsisë për të treguar tolerancë zero dhe për të raportuar korrupsionin e gjëra të ngjashme. Këtë punë mund ta bëni me sektorin e OJQ-ve, nëpërmjet edukimit, nëpërmjet mbështetjes komunitare. Pra, këshilla që u japim vendeve është t’i kundërvihen nga disa drejtime.

Në një thirrje të kohëve të fundit për mungesat që ekzistojnë në vende strategjike europiane, si Hungaria, Turqia, Republika Çeke, Moldavia dhe Shqipëria, sekretari Kerry tha: “Pa autoritetin e një ambasadori, nuk mund të angazhohemi plotësisht me zyrtarë të niveleve më të larta në vendet ku vlerat e përbashkëta demokratike janë në rrezik”. A është Shqipëria një prej këtyre vendeve?

Së pari, më lejoni të them që editoriali i sekretarit Kerry i drejtohej Senatit të SHBA-së, ku ne kemi duzina të tëra ambasadorësh që presin të marrin detyrën pas konfirmimit nga Senati dhe gjërat kanë ngecur në luftërat politike brenda Senatit. Ajo që donte t’i thoshte Senatit, është që SHBA-ja paguan një çmim kur kemi mungesa në nivel ambasadori. Siç është e qartë, në Shqipëri, kemi ambasadorin tonë të shkëlqyer Arvizu. Ka kohë të gjatë që është këtu. Zakonisht ambasadorët qëndrojnë për tre vjet. Jemi me shumë fat që ai është treguar i gatshëm të qëndrojë. Mendoj se ajo që donte të përcillte sekretari është që në të gjitha këto vende, ne punojmë për zhvillimin demokratik, punojmë në Shtetet e Bashkuara, punojmë për të edhe në Shqipëri. Gjërat për të cilat kemi biseduar tani – sundimi i ligjit, reforma gjyqësore, janë pjesë e saj.

Jeni në një tur të Ballkanit. Si e shikoni situatën e re në Maqedoni, ku shqiptarët po ankohen për diskriminim dhe ku Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar prej 13 vjetësh, pas krizës së madhe në atë vend?

Do të jem në Maqedoni të hënën. Siç e dini, jam në një tur të Ballkanit me një delegacion të disa agjencive. Në këtë udhëtim po vizitojmë pesë vende. Një prej arsyeve pse doja të sigurohesha që do të shkonim në Shkup, ishte sepse jemi të shqetësuar për tensionet në rritje. Të gjithë kemi punuar shumë si miq të Maqedonisë, për t’i ndihmuar të ndërtojnë një shoqëri të fortë shumë etnike, ku të drejtat në të dyja komunitetet janë të mbrojtura. Prandaj, pres me interes të dëgjoj nga të gjitha palët se si po shkojnë gjërat atje dhe se si mund të ndihmojmë. Folëm pak për Maqedoninë sot (këtu), si dhe në bisedat që pata në Malin e Zi. Të gjithë fqinjët janë po ashtu të interesuar të ndihmojnë.

Pyetja e fundit vjen nga miqtë e ambasadës amerikane në “Facebook”.

I duam shumë miqtë e faqes së ambasadës amerikane në “Facebook”. Faleminderit, miq!

“Si e shikojnë Shtetet e Bashkuara të ardhmen e Shqipërisë? Pyetja është bërë nga Arlis.

Si e shohim të ardhmen tuaj? Ju e dini që… shpresoj ta dini që jam një tifoze shumë e madhe e Shqipërisë. Kam punuar me ju gjatë gjithë kohës kur isha në NATO, dy herë – së pari si zëvendëse dhe pastaj si ambasadore në NATO, kur Shqipëria bëri shtytjen e fundit për t’u bërë anëtare e NATO-s. Pra, jam shumë besimplotë për vendin tuaj. Mendoj se potenciali këtu është shumë i madh. Njerëzit janë të jashtëzakonshëm. Prandaj dhe doja të kthehesha, për të parë se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku, sidomos në drejtimin ekonomik.

Faleminderit për këtë intervistë për “Top Channel”, znj. ndihmëssekretare.

Faleminderit juve. Ishte kënaqësi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: