Home / Kryeartikull / T’u hapësh rrugë të tjerëve është shenjë force e inteligjence

T’u hapësh rrugë të tjerëve është shenjë force e inteligjence

MUSTAFA NANO

Angela Merkel

E përjavshmja informative gjermane Der Spiegel, duke iu referuar disa burimeve të veta, bënte me dije se Kancelarja Angela Merkel është duke menduar tërheqjen nga posti i Kancelares e nga jeta politike. Dikush nga të vetët doli për të bërë një përgënjeshtrim, por lajmi i DerSpiegel-it nuk duket nga ata që bien era spekulim. Angela Merkel pra (herën e fundit që e kemi parë ka qenë parmbrëmë, tok me Presidentin federal, Joachim Gauck, që i gëzohej golit të kombëtares gjermane në minutën e 113 të ndeshjes 120 minutëshe si një tifoze e papërmbajtur) është duke menduar dorëheqjen para zgjedhjeve të vitit 2017, apo moskandidimin për herë të katërt për postin e Kancelares. Dhe të mendosh se ajo është në kulmin e popullaritetit të vet. Në politikë, si rregull, ndodh që mbështetja elektorale në favor të një personazhi të rëndësishëm e të ekspozuar ndaj publikut është e destinuar të bjerë me kalimin e kohës. Me fjalë të tjera, sa më gjatë të rrijë dikush në pozicione të rëndësishme të vendimmarrjes nacionale aq më të shumta janë gjasat që imazhi/autoriteti i tij të prishet/dobësohet. Dhe shpesh kjo gjë ndodh edhe në rrethanat kur veprimtaria e tij konsiderohet e suksesshme. Shembujt që e ilustrojnë këtë dukuri janë të panumërt, dhe kjo është aq e vërtetë sa mund të thuhet pa frikë se Angela Merkel përbën një përjashtim që përforcon rregullin. Edhe në këto kohë që po jetojmë.

Kolegë të Merkel-it ende në skenë, apo të sapolarguar nga skena, kanë që të gjithë probleme të imazhit. George W. Bush i mbylli dy mandate në Shtëpinë e Bardhë, dhe shumë njerëzve në SHBA e nëpër botë këto dy mandate, për shkak të mënyrës se si i kanë perceptuar bëmat e tij (e nuk është e thënë që ai perceptim të përputhet me gjykimin që do t’i bëjë historia), u janë dukur si një kohë e pafundme. Barack Obama, që u zgjodh e u rizgjodh “për një urdhër të historisë” e nën entuziazmin e milionave amerikanëve e jo vetëm amerikanëve, po i afrohet fundit të karrierës së tij presidenciale, e ndonëse mbështetja në favor të tij është në nivelet e 45%-ëshit (jo keq për një President që po hyn në vitin e gjashtë të një mandati tetëvjeçar), shumë njerëz kanë frikë se ai do të arkivohet si një President që nuk mundi të linte gjurmë. Ai nuk e ka më sex appeal-in që ka pasur. Francezët nuk e mbajtën dot Sarkozy-në për më shumë se shtatë vjet (një mandat), ndërsa pasuesin e tij, Hollande-in, do donin ta mbanin, po të ish e mundur, edhe më pak se një mandat. Berlusconi është prova më e gjallë e faktit që jetëgjatësia në politikë është mënyra më e mirë për të bërë harakiri. E kështu me radhë.

Ndërsa me Merkel-in ka ndodhur ndryshe. Ajo ka fituar tri palë zgjedhje. Ka fituar në vitin 2005, pastaj në vitin 2009, e në fund në vitin 2013. I janë bërë gati dhjetë vjet si Kancelare e pothuaj 15 vjet si protagoniste e zëshme në politikën gjermane (është kryetare e CDU-së qysh prej vitit 2000). Ka qenë në krye të një koalicioni qeverisës, që jo vetëm u pa si i vështirë për t’u ndërtuar e drejtuar, por u pa edhe si një minë e vënë në themelet e një karriere të saponisur. Por ajo ia doli; madje doli më e fortë nga e gjithë kjo “koklavitje”. Dhe është kjo forcë që e bën atë të çojë nëpër mendje largimin nga skena.

Të kuptohemi, një politikan nuk është e thënë të largohet shpejt, pasi kjo gjë mund të merrej edhe si shenjë brishtësie e dobësie. Largimi lidhet dhe me ca synime që ai i ka vënë vetes, e në këtë kuptim edhe jetëgjatësia në skenë mund ta ketë një lloj kuptimi. Madje, pikërisht rasti i Merkel-it tregon, se nuk është largimi në vetvete që ka rëndësi. Përkundrazi, është largimi në momentin e duhur, në momentin kur ti e kupton se e ke dhënë çfarë kishe për të dhënë, e kur ti e kupton se duhet t’u hapësh rrugën të tjerëve, të cilët do të sjellin energji e motivime të tjera. Në këtë kuptim unë nuk jam në gjendje të them, nëse largimi i Merkel-it (në rastin që lajmi i Der Spiegel-it do të ishte i vërtetë) do të ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Nuk është kjo që ka interes.

Mua më tërhoqi ky lajm thjesht për asocimin që mund t’i bëhet me situatën në Shqipëri. Largimi nga postet e rëndësishme drejtuese në politikë apo në shtet këtej nga anët tona është një gjë që nuk mund të mendohet. Nuk është as tradita që mund të na ndihmonte në këtë drejtim, s’ka gjë se historia jonë politike e shtetërore ka nisur me një gjest dorëheqjeje a largimi. Ka qenë babai i pavarësisë, Ismail Qemali që diti të lexonte mirë një situatë, e cila ish e tëra kundër tij e në të cilën ai praktikisht i kish duart të lidhura (edhe për faj të tij, kuptohet), e të merrte vendimin për ta lënë postin në krye të qeverisë. Tok me postin, edhe Shqipërinë. Mund të thuhet se ish i detyruar të sillej kështu, por të gjithë politikanët e rëndësishëm shqiptarë që kanë ardhur pas tij nuk e kanë çuar në mendje largimin, edhe pse për disa syresh rrethanat kanë qenë më pak të favorshme sesa ato të I. Qemalit.

Më pak se kurdo, precedenti i Ismail Qemalit na ka vlejtur këto kohë. Askush nuk ka ditur të ikë. Të fuqishmit e këtij vendi ose kanë ikur krejt pa lavdi (ky është rasti i F. Nanos), ose po tregojnë se duan të japin shpirt duke qenë në komandë të punëve të këtij vendi (ky është rasti pothuaj klinik i S. Berishës). Edi Rama ka dashur të mos ngjasojë me të tjerët, kur ka deklaruar më shumë se njëherë se nuk ka ndërmend të plaket në politikë, por nuk na e ka përkufizuar termin ‘plakje’. Një shtatëdhjetëvjeçar në kohët e sotme nuk quhet plak. A mos vallë do të jetë në krye të PS-së, apo edhe – mos o Zot! – të qeverisë deri në këtë moshë? Ilir Meta ka ndërtuar një kompani private të tijën që quhet LSI, e nuk ka dhënë asnjë shenjë se e çon nëpër mendje të japë dorëheqje nga posti i CEO-s. E as që ka kush t’ia kërkojë këtë dorëheqje, ngaqë aksionerët janë që të gjithë të kënaqur nga fitimet e kompanisë.

Përsëris, nuk është se largimi ka lidhje domosdoshmërisht me moshën, apo me një moment të mirë të karrierës. Largimi ka lidhje më së pari me përmbushjen e një qëllimi, a të disa objektivave. Por puna është së pari se jetëgjatësia në pushtet rëndom nuk i sjell të mira as politikanit, as partisë së tij, as vendit, dhe së dyti këta tanët kanë treguar deri më sot se të vetmin qëllim kanë pasur të rrinë deri në vdekje në pushtet a në politikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.