Te ndryshme

Grafiti në mur – shkaktari i vërtetë i krizës në Siri

E pabesueshme, por historia e krizës në Siri nis me një shënim grafiti në mur – dhe një grup fëmijësh, jo më shumë se 15-vjeçarë. 15 marsi 2011, ishte dita kur do të ndryshonte gjithçka e asgjë s’do ishte më si më parë

U tha se rusët dikur në mënyrë jozyrtare kishin propozuar dorëheqjen e Asadit, por Perëndimi nuk kishte pranuar. Vetë Perëndimi hesht ndaj këtij pohimi. Së fundmi, avionët rusë po kryejnë inkursione ajrore në Siri, duke shkaktuar edhe incidente me Turqinë e SHBA-në, të cilët nëse do të vijojnë, kanë premisa për të shkaktuar tragjedi në rang global.

Vetë kreu i regjimit sirian, Bashar Al Asad, po ofron tërheqje, megjithëse nën gjysmë zëri, por zgjidhja s’po vjen. Me gjithë sulmet e djeshme ose të sotme nga amerikanët e aleatët e tyre, ose dhe nga rusët, Shteti Islamik vijon të shtojë territoret. Por ai nuk është i vetmi problem, megjithëse më madhori.

Gjithçka duket se është futur në një rreth vicioz, nga i cili nuk ka gjasa të dilet në terma afatshkurtër e afatmesëm.

Shumëkush e lidh me të ashtuquajturën “Pranvera Arabe”, duke e parë thjesht si një rrjedhojë të saj, por askush më shumë se Siria nuk e ka pësuar më keq në këtë mes.

Por si nisi e gjitha kjo histori, pakkush e ka çuar ndërmend ta hetojë deri më tani. Nëse u rikthehesh kronikave të kohës, katër vite më parë, mund të shohësh vetëm se ka pasur ca protesta antiqeveritare, por ishin ato shkak apo pasojë?

Cili ishte pra akti që shërbeu si fitil për të nisur konflikti në Siri?

Grafiti në murin e shkollës

E pabesueshme, por historia e krizës në Siri nis me një shënim grafiti në mur – dhe një grup fëmijësh, jo më shumë se 15-vjeçarë.

Dita që do të ndryshonte gjithçka: asgjë nuk do ishte më si më parë. Ishte 15 marsi i vitit 2011. Një grafit i thjeshtë “zbukuron” muret e shkollës në qytetin e vogël sirian të Daraa-s.

Artistët apo grupi krijues: një grusht fëmijësh dhe adoleshentësh. Ajo çka ishte dhe duhej të ishte diçka fare e padëmshme dhe që do mund të mbyllej ndoshta vetëm më një ndëshkim, qortim apo dhe përjashtim nga shkolla, ndoshta me ca “dacka të mira” nga prindërit, e që duhej të ishte siç merret me mend vetëm një episod pa pikë rëndësie, u bë shkak për të shpërthyer njëri ndër konfliktet më të mëdha që bota ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, ku vrasjet e mijëra njerëzve, masakrat e marrja e arratisë, do të shoqëroheshin edhe me krijimin e një kreature gjysmështetërore nga më kriminalet në historinë botërore.

“Populli do ta rrëzojë qeverinë“

“Populli do ta rrëzojë qeverinë“, shkruhej në mur me bojëra të hedhura me spraj. Problemi: kjo fjali e shkurtër reflektonte situatën e tensionuar në Siri në mënyrë perfekte – dhe regjimi ishte pikërisht i tillë, represiv, e zeza mbi të bardhë.

Regjimi sirian reagoi menjëherë. Grupi prej 15 të rinjsh nga mosha 10 deri 15-vjeçare, menjëherë pas këtij akti u arrestua dhe u torturua. Vetëm kur mijëra njerëz nisën të kërkonin lirimin e tyre nëpër rrugë, fëmijët u liruan.

Por, për të përjetuar një përmirësim të situatës, e jo vetëm mbyllje të këtij incidenti, tashmë duket se ishte shumë, shumë vonë. Njerëzit mbetën në rrugë dhe demonstratat paqësore u shndërruan shpejt në përplasje të dhunshme.

“Vrasja u shndërrua në normalitet”

Një dëshmitar okular raportoi së fundmi në një intervistë për “World Watch Monitor” se: “në fillim menduam: ca njerëz në rrugë, që protestonin – nuk do ishte dhe aq keq, apo jo? Por më pas nisën të shtënat dhe gjithçka ndryshoi përgjithnjë.

Ngado nisi të shihej gjak nëpër rrugë. Për njerëzit ishte bërë papritur e lehtë të vrisje. Im atë më tha, se: këtë herë nuk ka për të pushuar“.

Prej asaj kohe ndërkaq kanë kaluar katër vjet. Me mijëra janë vrarë. Me mijëra gjenden në arrati. Dhe gjithçka nisi me një grafit në murin e një shkolle.

Kush do ta kishte besuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button