Opinion

Paqja nuk mjafton

Nga Ilir Yzeiri

Një sëmundje kolektive ka përfshirë të madh e të vogël, të mençur dhe jo të arrirë, hajdutë e politikanë, trafikantë e mashtrues, profesorë e studentë mbetës, shtëpiake të lumtura e moderatorë në andropauzë/menopauzë, gazetarë pa dallim kurrizi ose barku, pra të gjithë, për të folur për kombëtaren e futbollit shqiptar.

Kjo të bën të mendosh se më duket që shqiptarët nuk dinë çfarë të bëjnë në këtë vend. Rasti fatlum u ka ardhur që të mbushin zbrazëtinë mallëngjyese e të dhembshme që u ka lënë paqja.

Nga mëngjesi në darkë, cilido që ka fatin e keq të dalë në TV-të shqiptarë do të flasë për kombëtaren e futbollit, për humbjen dhe fitoren me Serbinë, pra do të vrasë kohën makabre që kemi tani në paqe me një narracion që rrëfen betejën më të madhe dhe më epike të kombit shqiptar. Për të mos qenë deri në fund cinikë, duhet të pranojmë se historia e kombëtares shqiptare është një ngjarje e madhe, por nuk mund të jetë aq e madhe sa të gjithë të çmendemi kombëtarisht. Megjithatë, ajo kështu po shpërfaqet dhe si e tillë duhet trajtuar.

Adhurimi për luftën si përmasë e paqes

Kur Bill Klinton botoi librin “Ne luftën, ju paqen”, fill pas mbarimit të konfliktit të përgjakshëm në Kosovë, ai nuk e dinte se shqiptarëve u kishte lënë barrën më të rëndë për të menaxhuar: paqen. Ai nuk e dinte se në memorien kolektive shqiptare nuk ka asnjë vend për paqen, nuk ka modele që shqiptarët të zgjedhin për të ndërtuar jetën në paqe. Po ta vështrosh jetën e shqiptarëve ata kanë jetuar shumë pak kohë historike me aleate paqen.

Edhe kur kanë qenë pjesë e sundimit otoman, modeli i jetës së tyre nuk ishte paqja, por lufta për të mos iu bindur një autoriteti të huaj për ta. Kur u shënjua Pavarësia, përsëri lufta mbeti si e vetmja mënyrë e jetës për të përballuar fatin e mbrapshtë të copëtimit të shqiptarëve në tri a katër shtete. Sot është e kotë të qajmë për mënyrën se si u konstitua mentaliteti shqiptar për jetën, sepse fatin askush nuk e zgjedh, ai ashtu të qëllon.
Elitat e traditës sonë historike janë krijime tonat. Meqenëse kemi pasur luftërat si model të ekzistencës, është e natyrshme që edhe rrëfimi historik të ndërtohet me këtë temë. Mirëpo historia, në disa raste, nuk tregohet ashtu si ka ndodhur, por ashtu siç duam ta tregojmë ne. Ky është një debat i gjatë, por këtu dua të prek vetëm këtë thelb, që elitat sunduese në Shqipëri kanë nxitur rrëfimin historik që mbështetej te heronjtë e te lufta dhe jo rrëfimin e heronjve që adhuronin paqen. Natyrisht të gjithë popujt kanë mitet e tyre të gjenezës dhe ne kemi mitin e Gjergj Kastriotit, por qoftë atë, qoftë edhe heronjtë e tjerë, i kemi vizatuar sipas modelit të luftës dhe jo të paqes.

Paqja ose pranimi i tjetrit

Kur themi paqe mund të sjellim ndërmend shumë sende, por në këtë rast do të doja të përmendja vetëm një anë të kësaj shënjueshmërie: ndërtimin e jetës, pasi ka mbaruar lufta, pra ndërtimi i jetës duke rregulluar me ligje hapësirat që duhet të zënë njerëzit, detyrimet dhe të drejtat që ata kanë. Për fat të keq, shqiptarët nuk kanë etër të kombit të tyre që të kenë ndërtuar republikën, kanë shumë heronj që kanë dhënë jetën për atdheun, pra kanë shumë personazhe të luftës, por nuk kanë heronj të paqes, sepse nuk dinë ta ndërtojnë jetën në paqe.

Unë nuk dua të krahasoj as Carta Magna-n me tekstin tonë të Pavarësisë as Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së me tekstin tonë, por ajo që më tremb ende është se në luftën tonë të përditshme, tani që jetojmë në “paqen me luftë”, nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se ne kemi vullnet të ndërtojmë republikën. Dy regjimet që kaluan në Shqipëri, qoftë mbretëria e Zogut, qoftë diktatura e Hoxhës, u ngritën të dyja mbi parimin e luftës. Monarkia e kishte luftën mjet për të ruajtur vatanin, diktatura mjet për të ruajtur atdheun. Megjithëse e para kreu reforma që mund t’i shërbenin paqes, ajo nuk la ndonjë trashëgimi të dukshme për jetën në paqe, sepse edhe atë e fshiu lufta. Diktatura e kishte luftën kuptim të jetës dhe në të dyja rastet, shqiptarët mbetën pa modele historike që të na ndihmojnë të ndërtojmë jetën në paqe.

Kështu, në vend të Kushtetutës ne edhe sot i zgjidhim punët më shumë me kanun, në vend të ligjit, ne kemi të sanksionuar në nënvetëdije korruptimin e nëpunësit dhe administratën e korruptuar. Ne nuk kemi drejtësi, sepse atë nuk e kemi themeluar, sepse ky është një vend i lindur nga lufta dhe në paqe i sunduar nga fitimtari. Ne nuk kemi një dokument të shenjtë para të cilit të betohemi, ne kemi tekste kushtetuese që i shkruajmë pas çdo beteje dhe që nuk i zbaton askush. Jeta jonë në paqe rregullohet nga fitimtarët e luftërave politike. Ne i kemi shuar të gjitha përvojat historike dhe nuk bëjmë asnjë përpjekje të rindërtojmë memorien tonë kolektive me shembuj të ndryshëm, të cilët gjenden në rrymë të shekujve krahas heronjve.

Qeveria e sotme që ka marrë përsipër të retushojë të shkuarën historike, ka aq tru sa të hidhet te Sulejmani dhe të rindërtojë zyrat e fashios italiane. Opozita jonë është çetë e shpartalluar jeniçerësh që flet nga mëngjesi në darkë për mall dhe për plaçkë. Kështu, kur befas në horizont prodhohet një ngjarje që na kujton përsëri luftën, ne derdhemi në shesh dhe sipas modelit të festivaleve folklorike hedhim vallen e shqipeve rrugëve apo mejhaneve, sepse për ne një ndeshje futbolli e kombëtares në kohë paqe, na sjell ndërmend heronjtë e luftës, Mic Sokolin dhe Isa Boletinin dhe të gjithë mendojnë se po çlirojnë vatanin, se po bashkojnë trojet shqiptare dhe nuk mendojnë se emocionet e tyre të ndezura folklorike i prodhon ndeshja e futbollit, jo ndeshja e Jutbinës.
Nuk është e rastit që edhe heroi i kësaj rrumpallhane në paqe bëhet Ballist Morina dhe kronikani që shkruan bëmat e tij, Sali Berisha. Ndërkaq, askush në këtë vend nuk mendon qoftë edhe një çast që të largojë luftën nga jeta në paqe dhe të vërë një gur të vogël në themelet e republikës. Të gjithë pa përjashtim, nga Edi Rama e deri te më i fundit, bëjnë ç’është e mundur që të na paraqiten si heronj që po e shpëtojnë këtë vend që jeton në luftë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button