Politika

Suksesi historik i kombëtares, Kryeministri Rama, De Biasi, Cana, të ftuar në “Procesin Sportiv”

aaaPër herë në “Procesin Sportiv” Kryeministri Edi Rama, trajneri i kombëtares Gianni De Biasi dhe kapiteni Lorik Cana folën për suksesin e kombëtares që kualifikohet për herë të parë në Europian.
Kryeministri tregon projektin e stadiumit të ri “Arenës së Kombëtares”, bisedat me lojtarët dhe si po e bind De Biasi-n të qëndrojë në Shqipëri. Aspiratat e një vendi të vogël drejt ëndrrës së madhe. Kapiteni dhe trajneri tregojnë emocionet e tyre pas një kualifikimi historik. Të pranishëm gjithashtu në emision ishin edhe Gëzim Sinemati, Skënder Minxhozi dhe Elektra Zykaj.
Kryeministri e nisi me suksesin në Armeni, për të cilin tha se kombëtarja gjendej në një situatë të vështirë pas humbjes me Serbinë dhe u bëri një ngritje, e cila do të ishte e vështirë edhe për kombëtare të mëdha dhe me përvojë.
“Kombëtarja arriti të ngrihet në momente mjaftë të vështira, pas një humbje me Serbinë që ishte e rëndë. Ekipe shumë më të forta dhe me përvojë do ta kishin të vështirë të ngriheshin pas atij momenti”, tha Rama.
Më pas, Kryeministri u pyet për tensionin e madh të krijuar para ndeshjes me Serbinë. Ai tha e gjitha kjo ka ardhur si pasojë e asaj që ndodhi në Beograd.
“Pati një presion të madh në Federatën e Futbollit nga UEFA dhe nga të gjitha organizmat e tjerë për të garantuar që ndeshja të mos ishte një përsëritje e asaj që ndodhi në Serbi. Nuk duhej të cenohej ndeshja, pasi cenohej kombëtarja. Përfytyroni nëse do të kishte ndodhur vetëm diçka e vogël…Një gur u hodh nga një adoleshent dhe u krijua gjithë ai tension. Nga sa mbaj mend unë nuk ka pasur ndonjëherë spektakël më të madh tifozërie se në atë ditë”, tha Kryeministri.
Rama tha se nuk është e vërtetë se tifozëria u pengua në atë ditë dhe se nuk pati ekzagjerime nga ana e policisë. “Ju siguroj se masat e marra në atë ndeshje janë normale në të tilla takime. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj momenti për t’i bërë qefin dikujt, përveçse të ruanim imazhin në atë takim. E kishin të qartë se fusha nuk duhet të ngatërrohej me ato që ndodhin në shkallët e stadiumit. Tensioni ishte aq i madh sa të gjitha vendet e botës folën për këtë ndeshje. Por në fund të saj të gjithë folën pozitivisht”, shtoi Kryeministri.
Trajneri De Biasi u pyet për pësimin e golave në minutat e fundit me Serbinë. Ai u shpreh se ekipi duhet të kishte qenë më i kujdesshëm në fazën mbrojtëse.
“Nëse do të kishim qenë më të zgjuar do të mund t’i ndalnim golat. Këtë duhet ta bënim në mënyrë më inteligjente”, tha trajneri italian i kombëtares sonë.
Ndërsa për pësimin e golave në fund me Serbinë foli edhe kapiteni Cana, i cili tha se ato dy gola nuk kanë lidhje me të shkuarën tonë kur pësonin gola në fundin e takimit, pasi sipas tij, atëherë qëndronim të gjithë mbrapa, ndërsa në këtë rast lojtarët ishin hedhur në sulm për të shënuar dhe u kapëm pa përgatitur në mbrojtje.
I pyetur në lidhje me mos ardhjen e Kryeministrit të Serbisë në takimin e 8 Tetorit në “Elbasan Arena”, Kryeministri Rama tha se ardhje e homologut të tij u kalua në një çështje politike. “Pas bisedës së fundit që pata me të i thash që më mirë t’ia linim skenën futbollit dhe kështu ramë dakord”, tha Rama, i cili shtoi se pas takimit kishte marrë një mesazh falenderues nga Kryeministri i Serbisë mbi ecurinë pozitive të ndeshjes.
Për sa i përket fjalëve të hapura për shitje të ndeshjes me Serbinë, kapiteni Cana nuk preferoi të flasë për këtë gjë.
“Është humbje kohe t’i japësh përgjigje budallenjve. Nuk ja vlen të flasim për to. Le të mendojnë çfarë të duan ata; janë të varfër në shpirt”, tha Cana.
Tashmë që ëndrra u bë realitet dhe ne do të shkojmë në Francë vitin e ardhshëm për të luajtur në Europian, Cana, si një lojtar që ka luajtura për vite në Francë dhe është kthyer sërish aty, u pyet se çmendim kanë francezët për Shqipërinë.
“Francezët dinë shumë pak për shqiptarët, ata njohin vetëm disa figura. Por kur i jepet mundësia që të shohim se ne kemi vlera, si Inva Mula dhe Ismail Kadare ata ndryshojnë mendim”.
Ai tha se kualifikimi ka qenë shumë i vështirë dhe një ëndërr që ka nisur para 13 viteve për të.
“Jo vetëm unë, por shumë lojtarë e kanë ëndërruar këtë kualifikim. Ne kemi pasur fat që e arritëm”.
Kapiteni shtoi se mesazhi më i bukur i kësaj kombëtareje nuk është kualifikimi për në Francë, por bashkimi i të gjithë lojtarëve nga të gjitha trojet shqiptare.
Duke iu rikthyer edhe një herë ndeshjes me Serbinë, Kryeministri tha se fanella e kombëtares është e rëndë dhe ndjesia që ajo të jep kur e mban në trup është e jashtëzakonshme, çka sipas tij ka ndikuar edhe në ndeshjen me Serbinë.
“Kush nuk e ka veshur fanellën e kombëtares nuk e kupton se çfarë ndjesie ka. Unë e kam pasur këtë fat, por në ndeshje shumë më pak të rëndësishme, por megjithatë po ju them se është një peshë e papërshkrueshme. Ne ndeshjet më të bukura i kemi bërë jashtë. Edhe me Portugalinë dhe Serbinë ky presion u ndje shumë. Njerëzit duhet të kuptojnë se kjo është lojë dhe në fund të fundit përballë ke kundërshtarë. Kjo kombëtare për mua ka pasur një grup ferri. Kur ra shorti askujt nuk i ka shkuar në mend për kualifikimit, ndoshta vetëm De Bias-it”.
Më pas, trajneri De Biasi u pyet për kundërshtarët në Europian e vitit të ardhshëm. Ai tha se tashmë kombëtarja jonë i njeh limitet e saja dhe puna në grup e ka çuar në këto nivele.
“Ne jemi një skuadër me “S” të madhe. Ne punojmë në grup. Kemi nevojë për ekuilibra në fushë dhe prandaj ka gjithmonë fjalë se pse nuk aktivizohet ky apo ai lojtar. Ne gjithmonë ja dalim”, tha De Biasi.
Për objektivat dhe pritshmëritë nga Europiani foli edhe Lorik Cana. Për të në Europian është shumë e rëndësishme përvoja, por për sa i përket cilësive të ekipit, ai tha se Shqipëria është e aftë t’i kalojë grupet.
“Kemi treguar që jemi të aftë të përballemi me çdo lloj kundërshtari dhe me një lojë të mirë. Kemi marrë 4 pikë edhe me Francën. Nuk jemi të rastësishëm këtu. Përvoja në kompeticione të mëdha nuk mësohet. Ne atje nuk na pret një ndeshje miqësore. Nga aspekti i lojës ne mund të pretendojmë edhe të kalojmë grupet, e kemi potencialin”.
“Ky është Europiani i fundit për mua”, tha Cana pas një batute të Sinematit, i cili tha se Duka dhe Cana qanë pas ndeshjes, pasi për ta është Europiani i fundit.
Kapiteni zbuloi edhe një prapaskenë, teksa po fliste për lojtarët shqiptarë që luajnë me kombëtare të tjera në Europë. “Më vjen keq për Granit Xhakën. Ai ka pasur dëshirë të madhe të luante për kombëtaren e Shqipërisë, por nuk ishte e mundur që në atë kohë të kryenim procedurat”.
Ndërsa Kryeministri zbulon ato që De Biasi i ka thënë në dhomat e zhveshjeve lojtarëve pas ndeshjen me Serbinë. “Ai iu drejtua lojtarëve pas takimit: ‘Deri këtu ju ka sjellë zemra e madhe dhe sot ajo na kushtoi shtrenjtë, pasi ju çoi të gjithëve në sulm dhe nuk arritëm të merrnin pikën e artë’”, citoi Kryeministri trajnerin De Biasi.
De Biasi foli edhe për nivelin e Superiores dhe futbollin e mosha në vendin tonë. “Kampionati shqiptar është rritur në nivel teknik në vitet e fundit. Kufizimi nga 12 në 10 ekipe e ka përmirësuar. Por edhe puna me sektorin e të rinjve nuk duhet të lihet pas dore. E rëndësishme është që të mësohen edhe trajnerët e moshave, nuk duhet vetëm infrastruktura. Nëse gjërat bëhen me seriozitet mund të arrihen objektiva të mëdha”.
Për sa i përket të ardhmes së tij në krye të kuqezinjve, Italiani tha se nuk ka asnjë arsye për ta lënë ekipin në këtë pikë dhe se do të vazhdojë të punojë me këtë kombëtare. Synim për të tashmë mbetet një prezantim sa më dinjitoz në Francë 2016. Me shaka, ai tha se ishte kërcënuar nga Rama. “Kryeministri më kërcënoi se do të ma heqë pasaportën italiane që të mos iki më”.
De Biasi foli edhe për miqësoret e kombëtares, ku tha se do të luajmë me Poloninë në nëntor, por shtoi se synimi është zhvillimi i dy ndeshjeve në 12 dhe 17 nëntor.
Për këtë foli edhe Kryeministri Rama, i cili u shpreh se është diskutuar për një miqësore me Kroacinë në muajin nëntor që në ndeshjen që Skënderbeu pati me Dinamon e Zagrebit, por deri tani kjo ende nuk është konfirmuar, “pastaj Kroacia do të duhet të luajë në play off”, tha Rama.
Më tej, Kryeministri tha fëmijët në Shqipëri kanë tashmë shembuj për të ndjekur, dhe këta janë Lorik Cana dhe shokët e tij të ekipit. “Këta janë heronjtë që do të nxisin fëmijët për të punuar më shumë e të synojnë të arrijnë këto nivele. E njëjta gjë ndodhi edhe në Greqi, kur ata fituan Europianin në basketboll. Tek të rinjtë lindi një dëshirë e jashtëzakonshme për këtë sport”.
Në fund, Kryeministri u pyet se më kë nga skuadrat europiane është tifoz. Ai zbuloi se bën tifo për Italinë, ndërsa për sa i përket klubeve, tha se i ndryshon shpesh ato. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button