Maqedonia

Qeveria sillet si OJQ, Maqedonia në test

Rëndësia e Marrëveshjes së Përzhinos tashmë nuk është vetëm dialog i thjeshtë mes opozitës dhe pozitës, por paraqet një test për shtetin dhe mundësi që Maqedonia të tregojë gatishmëri për proceset eurointegruese. Këtë e vërtetoi edhe zv/kryeministri Fatmir Besimi në intervistën e tij të fundit, ku tha se “nëse nuk respektohet Marrëveshja politike e 2 qershorit dhe nëse nuk punojmë që në tërësi t’i plotësojmë urgjentisht reformat mund të ndodh edhe të mos fitojmë rekomandimin”.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinos ju kujtohet se Johannes Hahn tha se ky është testi i vërtetët i Republikës së Maqedonisë për eurointegrimet, respektivisht kapitujt 23 dhe 24 që i referohen shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve, kontrollit të pushtetit, sigurisë… e kështu me radhë. Edhe pse marrëveshja po trajtohet si dialog politik mes pozitës dhe opozitës në fakt është imperative që ne t’i përgjigjemi obligimeve që të marrim rekomandim për anëtarësim në BE. Nëse nuk kemi progres të marrëveshjes atëherë Maqedonia do të merr raport negativ. Dhe, këtu përgjegjësia bie mbi Qeverinë”, tha Ruzhin për Portalb.

Drilon Iseni njohës i çështjeve evropiane potencon se zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinos padyshim paraqet një pikë-kthese në procesin e integrimeve në BE, që në mënyrë implicite nënkupton zbatimin e reformave për demokratizim, shoqëri të hapur dhe qeverisje transparente. Kjo është me një fjalë, mundësia që ofrohen në kohë krize.

Sipas tij, momentumi politik jep një mundësi që lidershipi politik të përfitojë nga ky rast në favor të interesit të përgjithshëm të vendit konform frymës së marrëveshjes së Përzhinos.

“Tendencat aktuale për zhagitje të procesit, që në fakt paraqesin edhe shkelje të marrëveshjes, mund të rezultojnë në vonesa në aspekt kohorë mirëpo në fund besoj se liderët politik do të gjejnë guximin të implementojnë Marreveshjen. Në të kundërtën, do të bjerë në ujë gjithë investimi i faktorit ndërkombëtarë për të stabilizuar vendin dhe për të kthyer në rrugën e integrimeve në BE. Kjo do të vertetonte paragjykimin se liderët ballkanik janë joserioz, të papjekur dhe konformist. Ndëshkimi me gjasë do të jetë heqja e rekomandimit për Hapjen e Negocijatave për Aderim në BE, fakt që vendin do ta kthejë një hap mbrapa në procesin e integrimit në BE”, shprehet Iseni.

Deklaratat e zv/kryeministrit Fatmir Besimi, Iseni i cilëson si tejet joserioze.
“Nga deklarimet e Besimit fiton përshtypjen se i njejti përfaqëson ndonjë subjekt joqeveritar. Shtrohet dilema se në çfarë kapaciteti i jep ato deklarata? Ai, me sa duket haron faktin se mban post politik e jo teknokratik në qeveri. Si zyrtarë i lartë në partinë që ai përfaqëson, duhet të tregojë se çfarë veprime ka ndërmarr subjekti që ai përfaqëson në rastin konkret! Cili është roli i tij në këtë proces…”, thotë Iseni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button