Kryeartikull

Politika me vetëm dy parti, si tregu me vetëm dy produkte

Nga Ermal Telha

Duke hequr një paralele midis “tregut” politik me atë jetik të përditshëm, shohim ngjashmëri të mëdha. Imagjinoj veten si konsumator kur tregu më ofron vetëm dy produkte, me të cilat do të përmbush shportën bazë. A mund të arrij nivelin e kërkuar të kënaqësisë prej konsumit, duke u mbështetur në vetëm dy produkte për një kohë të gjatë?! Kurrsesi jo, sepse vetëm dy produkte nuk mund të kënaqin nevojat dhe kërkesat e një popullate të tërë. Kështu edhe “tregu” politik, vetëm në raste ideale, mund të përmbushte nevojat e çdo qytetari kur alternativa politike përbëhet nga vetëm dy parti politike. Sigurisht, fjalën e kam për parti politike të mirëfillta, e jo për subjekte politike që e kanë gjenezën në çaste lumturie të ndonjë parelliu të dehur, që më vonë shndërrohet në kryetar partie.

Tregu dhe politika kanë në qendër një objektiv të përbashkët: t’u përgjigjen nevojave dhe kërkesave që burojnë nga zëri i qytetarëve dhe t’i manifestojnë këto në projekte e veprimtari konkrete me impakt në përmirësimin e “shëndetit” politik dhe ekonomik në vend.

Shqipëria 25-vjeçare pluraliste na ka treguar që, me dominimin e partive të mëdha që ia kalojnë stafetën njëra–tjetrës gati çdo tetë vjet, praktikisht kemi disa individë që zëvendësojnë disa të tjerë dhe jo ndryshim fryme. Programet respektive të palëve ndryshojnë vetëm në vetëquajtjen e forcave që i përfaqësojnë (në të majtë ose të djathtë) dhe shumë pak ose aspak në përbërje, duke e zbehur gjithnjë e më tepër dallimin mes tyre. Politika shqiptare ka nevojë për reformim në nivel konceptual, strukturor e strategjik në veprim.

Të vendosësh qytetarin në mënyrë të imponuar përballë zgjedhjes midis dy palëve të tilla, do të thotë më pak alternativa, më pak frymëmarrje përfaqësuese, rrjedhimisht më pak qytetarë të kënaqur nga sistemi politik qeverisës.

Partitë e ashtuquajtura të vogla, por që votohen sistematikisht nga qytetarët, janë të nevojshme në “udhëtimin” qeverisës e atë opozitar, si forca ekuilibruese, shpesh në mbështetje e shpesh në oponencë konstruktive. Centralizimi i qeverisjes apo opozitës në një parti të vetme do të shtojë qasjen monopoliste, e cila bën që të dëgjohet sa më pak zëri i grupeve të interesit, e për rrjedhojë, vëmendja drejt tyre do të vijë në rënie.

Sistemet pluraliste duhet të veprojnë si tregjet me konkurrencë të plotë, ku rregullat i përcakton tregu, e sinjalet që vijnë prej tij diktojnë sjelljen e ofruesve të të mirave dhe shërbimeve. Prania e sa më shumë operatorëve seriozë në treg, sjell produkt e shërbim më cilësor, rrjedhimisht plotësim më të madh të nevojave të konsumatorëve, të cilëve u ofrohet mundësi zgjedhjeje më e madhe.

Efekti tjetër pozitiv i këtij sistemi është edhe në zhvillimin e vetë operatorëve ofrues, të cilët përmes presionit të ushtruar nga konsumatorët, motivohen gjithnjë e më tepër drejt përmirësimit të proceseve që garantojnë produktet e shërbimet më të pëlqyera në treg. Ky mentalitet i injektuar në politikën shqiptare, do të vendosë qytetarët në plan të parë e jo partitë. Zëri i tyre do të shndërrohet në sinjal për ndërtimin e programeve politike, strategjive të veprimit qeverisës apo opozitar, shtimin e alternativave që kërkon nevoja qytetare, rrjedhimisht rritjen e përfaqësimit të tyre në aktivitet publik.

Sa më shumë parti potenciale politike të orientuara nga qytetari, aq më tepër zhvillim të qëndrueshëm do të kemi për vendin tonë.

Shporta me vetëm dy produkte në përditësinë e çdo shqiptari është e pamjaftueshme për një jetë të shëndetshme. Edhe sistemi pluralist me vetëm dy parti politike është po aq i pamjaftueshëm për plotësimin e “shëndetit” ekonomik, social, e politik në Shqipëri.

Vendi ynë nuk ka nevojë për sundim, por për qeverisje të mirë, e cila bashkon forca dhe nuk tenton eliminimin e tyre nga skena politike për t’u hapur rrugë sundimtarëve.

Qytetarët e kanë treguar nëpërmjet fuqisë së votës se nuk preferojnë reduktimin e alternativave të përfaqësimit, nuk lejojnë zbrazjen e shportës nga larmiteti i produkteve, e do të ishte shumë mirë që “sulltanët” e politikës shqiptare t’i lexojnë drejt këto mesazhe kur projektojnë “goditjen” e alternativave politike përtej oborrit të tyre, për t’u ofruar qytetarëve atë që duhet dhe që ata presin nga politika.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button