Kryeartikull

Prishtina e përlotur

Nga Fadil Lepaja

Prishtina mbrëmë ra në gjumë e përlotur. Nënat si nëna, të brengosura për djemtë, dhe vajzat e tyre, qofshin ata policë apo opozitë, e kishin më vështirë. Por kujt ia ndien për to?! Politikës tonë i intereson veç nëna Shqipëri ose Kosovë. Askush nuk i përmend ato nënat tona që mblidhen e bëhen shuk dhe qajnë, sa herë që nga foltorja e Parlamentit apo me megafon, ndokush e përmend mamanë e vet ideologjike apo politike.

Pra, lotët në Prishtinë nuk ishin lot gëzimi. Nuk ishin as për kombëtaren kuqezi, e cila na dha të pimë “Red bull”. Lotët e mbrëmshëm në Prishtinë nuk ishin lot gëzimi. Populli po qante nga lotsjellësi.

E në Tiranë, atmosfera ishte krejt tjetër nga ajo në Prishtinë. Populli i harroi për pak çaste krejt telashet e përshtatjes me kërkesat e BE-së nga pakoja e integrimeve ose përpjekjet e klasës politike për të simuluar vetëvrasjen, rast me të cilin do të pësonte vetëm krimi, ndërkohë që politika do të mbijetonte.

Kryeministri Rama, i pakënaqur me kamerierin e ngathët, e kapi vetë tabakanë dhe i shërbeu De Biazit. Edi, spontan…! Ai, si zakonisht, e mori për vete krejt atë energji pozitive nga fitorja në Armeni, e cila me dorën në zemër, na befasoi të gjithëve. Së paku, nëse shohim nga dritaret e bastoreve! Më e befasuara ishte vetë Kombëtarja, por ajo e mori veten shpejt, kur e kuptoi se armenët e kishin vendosur të humbasin me çdo kusht. E patën vështirë derisa e kuptuan se sa gola donin në portën e tyre. Pastaj ne ua mbushëm portën. E kishim nga mllefi i betejës së Elbasanit. Nejse, fitores “nuk i shikohen dhëmbët”!

Lajmi i mirë është se më në fund dolëm edhe në ballinën e “Wall Street Journal”. Kjo nuk është një gazetë rozë, ku dalin këngëtarët, mafiozët, apo porno-yjet. Është gazetë serioze, nga e cila merr drejtim vetë politika globale. Në fotografi, Kuvendi i Kosovës dukej i bukur, egërsisht i bukur, gati krejt i mbuluar në mjegull, e cila gjithsesi është politike. Lajmi i keq është se Parlamenti nuk lahej në mjegull, por në lotsjellës. Me rëndësi për t’u përmendur, edhe mediat. Po na njohin, ndërkombëtarisht.

E lotsjellësi është bërë instrument politik, në Kosovë. Përpos shtetit, edhe revolucioni po e hedh ku po i teket. Pra, nuk e përdor më vetëm policia. Ky është rreziku nga fëmijët e rritur me lotsjellës. Nuk rrinë dot pa të. Kur mundet “Skenda” muzikal, ministri i Brendshëm kosovar, të hedhë lotsjellës, përse nuk mundem unë, – duket të ketë thënë më vete Albini. Ambicioz dhe pa kompetenca kushtetuese, ai e shpërndau Parlamentin. Dikush u përpoq t’ia kujtonte atij se kjo nuk është e ligjshme, po ku dëgjon për ligjin revolucioni…!

Nuk do të shkojë shumë, dhe sipas kësaj logjike, opozita do të dalë në shesh e veshur me uniformë, dhe me gaz-maska, e policët të veshur civilë do të arrestojnë uniformat. Opozita kur të ndiqet nga sheshi, do të strehohet në Parlament. Natyrisht, pozita do ta lëshojë Parlamentin, nëse është nevoja. Kështu së paku ka premtuar kryeparlamentari, në përpjekje për ta mbajtur opozitën me çdo kusht në Parlament.

Populli si zakonisht, i hutuar dhe i përlotur, në orët e vona të natës shkon për gjumë. Një gjë është e sigurt: kushdo që ta hedhë lotsjellësin, populli do të qajë. Përndryshe, e kemi dëshmuar se demokracia te ne funksionon edhe pa Parlament. Edhe pa shtet. Madje, edhe pa popull. Se populli i zgjodhi përfaqësuesit. Shteti global po na bën operacion në lupë. E “sovrani”, populli, i ulur ose i shtrirë përpara ekraneve të sheshta, po përcjell drejtpërdrejt nga sheshi apo Parlamenti se si po shpërfaqet vullneti i tij.

Pra, Albini, në mënyrë antikushtetuese e shpërndau Parlamentin me lotsjellës. Por kush ka nge për Kushtetutë, o njeri. Përderisa deputetes së bukur dhe të brishtë, e cila vjen nga Drenica heroike, i ra të fikët, dhe dukej sheshit se po turpërohej që po e lëshonte fushëbetejën e po e linte partinë nën mëshirën e opozitës, deputetja tjetër e PDK-së, përkundrazi po ankohej ndaj opozitës, e cila e bllokoi Parlamentin, duke harruar se ishte ajo vetë që edhe fizikisht e bllokoi Parlamentin për gjashtë muaj, duke mos e lëshuar karrigen e kryesueses as edhe për një çast të vetëm, derisa “e krijoi” këtë koalicion qeverisës.

Edhe kryeparlamentari, të cilin në mediat e partisë e quajnë vetëm kryetari, për të shprehur rolin e tij aktual në vend, i befasoi të gjithë me durimin e tij, me gatishmërinë për të respektuar opozitën pafundësisht, dhe për të mos lejuar që në asnjë mënyrë pushteti të mbetet pa opozitë, pra pa legjitimitet. Kur i ka numrat, koalicionit i duhet edhe legjitimiteti. Legjitimitetin e merr nga opozita. Kjo po e thyen edhe stereotipin për të si njeri të ashpër, i cili kishte udhëhequr një shërbim të fshehtë, për të cilin po ashtu fshehtazi flitej, ajo që tash flitet publikisht.

Për dallim prej Blertës së brishtë, Albulena, deputetja luftarake e “Vetëvendosjes” ishte krejtësisht “shkrepa–shkrepa”, siç edhe na mëson edhe vetë kënga. Nëse e kam ngatërruar këngën, të më falë deputetja, por nuk munda t’i rezistoj krahasimit. Ajo zbuloi edhe armë të tjera të rrezikshme, që përdor pushteti kundër opozitës, vdekjeprurëse madje dhe është çudi se si ato nuk janë përdorur më parë në luftime. Kjo armë doli të jetë gota, dhe jo çfarëdo gote, porse veç ajo me të cilën deputeti i LDK-së nuk deshi të lagë askënd me ujë siç bëri Albini me Xhavitin, por e gjuajti atë drejt opozitës, me qëllim të vetëm për të…vrarë. Kështu po e kualifikon opozita. Pra, opozita kishte gjuajtur me ve, por vezët nuk janë armë. Ato anë ushqim.

Me këtë rast pësoi edhe stereotipi tjetër për Albinin. “Ai lexon gjithë ditën”, -po më thoshte një adhurues i tij. “Lexon edhe duke ngrënë”. Lexon në autobus. Lexon në veturë. Në aeroplan. Në shtrat.

“E çka bën tjetër Albini, përpos që lexon“, e pyeta? Veç lexon! Gjithsesi, nuk e pyeta se çfarë lexon. Mund të më përmendë ndonjë autor që nuk e njoh, dhe ky do të ishte edhe një argument më shumë, se Albini ka të drejtë të bëjë gjithçka, edhe të hedhë lotsjellës në Parlament, vetëm sepse policia paska hedhur më parë në shesh. Tash, policia duhet të vijë e të thyejë xhamat e Parlamentit apo çfarë?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button