Ekonomia

Koncesionet PPP “pushtojnë” shëndetësinë, sterilizimi në spitale nga Servizi italia Spa, nuk dihet kosto

aaaKoncesionet me Partneritet Publik-Privat (PPP) po gjejnë një përhapje të gjerë sidomos në shërbime. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që në këtë mënyrë të administrojë disa shërbime në shëndetësi. Pas koncencionit të Check-up (kontrolli mjekësor falas për moshat 40-65 vjec), vitin që shkoi pak ditë më parë është shpallur fituesi i koncesionit me partneritet-publik privat të shërbimet e sterilizimit në spitale.

Në Agjencinë e Prokurimit Publik është shpallur fituese kompania italiane Servizi italia Spa “Për shërbime të integruara në ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.

Ministria e Shëndetësisë lajmëron “Servizi italia Spa” se oferta e paraqitur më datë 04.05.2015, për marrjen me koncesion të “Ofrimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale në spitalet rajonale të vendit sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë” është pranuar.

Afati i negocimit te Kontratës tuaj do te jetë 30 ditë. Ofertuesi “Servizi italia Spa” kërkohet t’i paraqesë Ministrisë se Shëndetësisë dokumentet e mëposhtme: Kopjen e vënies në dijeni për Formularin e Kushteve te Përgjithshme dhe të Veçanta të Kontratës Koncesionare\Partneritetit publik Privat, të nënshkruar. Sigurimin e Kontratës sipas formës së kërkuar në Dokumentet Standarde të Procedurës Konkurruese.

Nuk dihet kosto

Në njoftimin e APP thuhet se , vlera totale e projektit është e paparashikueshme për shkak të ndryshimit të sasisë së shërbimit në varësi të kërkesave. Ndërsa përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëria Tahseen Sayed në një seminar për Partneritetin Publik – Privat në fillim të këtij viti e lajmëroi qeverinë për risqet fiskale që ka kjo formë investimi.

“ Përzgjedhja e një Partneriteti Publik – Privat duhet mbështetur në një studim kosto – përfitim dhe krahasimit vlerë – kundrejt parasë. Eksperienca ka treguar se qeveria mund vërtet të ketë kosto fiskale më të mëdha me një Partneritet Publik – Privat të hartuar keq, veçanërisht të atyre që lidhen me garancitë për të siguruar financim privat apo rinegocim kontratash. Garancitë janë një element kyç në negocimin e një Partneriteti Publik – Privat. Ato janë të nevojshme për t’i shmangur sektorit privat ato risqe që nuk mund të parashikohen, siç janë risqet nga kursi i këmbimit. Megjithatë, ka raste kur garancitë mund të mos jenë analizuar me të njëjtat detaje siç është një shpenzimi tradicional publik gjatë një procesi buxheti. Prandaj, qeveria duhet të studiojë me kujdes shkallën e transferimit të riskut për projektet e Partneritetit Publik Privat dhe të jetë e vëmendshme për detyrimet e mundshme të kontigjencës që rrjedhin prej tyre. Në rastin e Shqipërisë transparenca më e madhe financiare dhe publikimi i duhur i detyrimeve të kontigjencës është veçanërisht i rëndësishëm, sepse konsolidimi fiskal është prioriteti kryesor i qeverisë” ka këshilluar Sayed.

Sayed është shprehur, se një mësim kryesor që vjen nga eksperienca botërore është se një Partneritet Publik – Privat i përgatitur keq shumë rrallë arrin sukses (sepse nuk tërheq interesin e sektorit privat) ndaj kërkohet pak durim, sepse përgatitja e këtij partneriteti kërkon kohën e vet – me një llogaritje të thjeshtë, dy a më shumë vjet (që nga konceptimi deri në ndërtim).

Përfaqësuesja e BB i ka kujtuar qeverisë shqiptar se, shumica e Partneriteteve Publik – Privat ndodhin në sektorët e infrastrukturës (siç janë energjia, transporti, uji dhe kanalizimet, telekomi) dhe më pak në ata që quhen përgjithësisht sektorët e butë (siç është shëndetësia).

Por që kur kjo formë investimi ka nisur të aplikohet në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë e ka adaptuar më së shumti dhënien e shërbimeve shëndetësorë privatëve me fonde publike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button