Politika

Raporti i DASH: Shqipëria pak përparim në kthimin e pronave grupeve fetare

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e 17-të vjetor mbi liritë fetare në botë, thotë se grupet fetare kanë qenë objekt i abuzimit dhe diskriminimit, “intolerancës dhe armiqësisë fetare, e cila në kombinim me pakënaqësitë politike, ekonomike, shpesh ka çuar në dhunë”.
‘Zëri i Amerikës’, që i referohet raportit në fjalë, në pjesën për Shqipërinë konstaton se ‘qeveria ka bërë pak përparim në kthimin e pronave të grupeve fetare të konfiskuara gjatë sundimit të regjimit komunist. Qindra pretendime nga grupet fetare për prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist mbeten të pazgjidhura.
Në raport përmenden pretendimet e Kishës Ortodokse për rreth 890 objekte dhe prona që ende nuk janë shqyrtuar nga qeveria, përfshirë më shumë se 50 prona të kishave që janë konvertuar në instalime ushtarake. Mosmarrëveshjet mbi pronën dhe vështirësitë e regjistrimit të pronës e kanë bërë të vështirë për disa grupe fetare që të marrin tokë të re për ndërtimin e objekteve të tyre fetare.
Raporti ndalet dhe në disa zhvillime pozitive, përfshirë një diskutim të organizuar nga Këshilli Ndër-fetar i Shqipërisë, ku morën pjesë udhëheqës të myslimanëve suni, ortodoksë, katolikë, protestantë e bektashinjve dhe pas takimit lëshuan një deklaratë ku dënoheshin aktivitetet terroriste të Shtetit Islamik.
Raporti gjithashtu përmend pjesëmarrjen e udhëheqësve të pesë feve në meshën që drejtoi Papa Françesku në Tiranë gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në shtator 2014.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button