Te ndryshme

Urata e Moçme, ishulli në Karaibe ku burrat po zhduken

Në pamje të parë një ishull i vogël në Karaibe është parajsa vetë. Por rëra e bardhë dhe ujërat transparentë paralajmërojnë për një sekret… Gjithnjë e më shumë burra po zhduken, pasi marrin përsipër të trafikojnë drogë

Në Uratën e Moçme (Old Providence), askush nuk e ka me ngut. Askush nuk duket i stresuar. Ata nuk reshtin kurrë së buzëqeshuri.

Është një ishull i vogël, kolonizuar nga puritanët britanikë në vitin 1629 dhe përdorur si bazë nga piratët britanikë, përfshirë kapiten Henry Morgan, teksa ata sulmonin anijet dhe qendrat spanjolle të tregtisë në Botën e Re.

Megjithëse Urata e Moçme ka qenë prej kohësh pjesë e Kolumbisë, dhe ndodhet pranë bregut të Nikaraguas, gjuha amtare mbetet një formë e thyer e anglishtes.

Banorët e ishullit, që janë rreth 5000 deri në 6000, ndihen më tepër si karaibianë, sesa si kolumbianë. Shumica janë të besimit rastafarian dhe për një kohë të gjatë vendi mbeti i paprekur nga narkotrafikantët e dhunshëm të Kolumbisë. Nuk të zë syri armë ose kriminelë, nuk ka truproja ose baronë të drogës.

Problemi është nën sipërfaqe, por nuk është më pak serioz.

“Ne po humbasim burrat tanë”, thotë një banore e ishullit që kërkoi të mbetej anonime. “Sipas kërkimeve të mia, ka të paktën 800 burra që janë burgosur në burgje të ndryshme jashtë shtetit, ose thjesht janë zhdukur”.

Kjo nënkupton më shumë se një ndër katër prej burrave të ishullit është zhdukur dhe nëse studimi është i saktë, popullata e ishullit vuan nga një raport shumë i pabalancuar burrë-grua. Megjithatë, nuk ka shifra zyrtare.

Fakti është se Urata e Moçme nuk mund të qëndronte përherë imune ndaj problemeve të Kolumbisë dhe disa vite më parë, trafikantët e drogës zbuluan se banorët e ishullit janë marinarë të shkëlqyer, me dije të çmuara të ujërave përreth, trashëguar nga paraardhësit e tyre piratë.

“Ata janë hapi i fundit i tregtisë së drogës”, thotë gazetari veteran Amparo Ponton, i cili ka jetuar në ishull për 25 vjet.

“Banorët e ishullit e njohin oqeanin më mirë se kushdo, ndaj ata punësohen si skafistë të mjeteve të tyre detare, për trafikimin e narkotikëve”.

Nëse ata ia dalin ta transportojnë me sukses një ngarkesë droge në destinacion, le të themi nga Hondurasi në Florida, ata fitojnë mijëra dollarë. Nëse ata kapen, përfundojnë në burg.

Gjërat bëhen të çuditshme kur një varkë ndiqet nga Roja Bregdetare. Në këtë rast, ekuipazhi duhet ta hedhë në oqean ngarkesën e drogës dhe më pas i duhet t’ua shpjegojë këtë baronëve të drogës. Puna tjetër që atyre u ngarkohet, është ajo që nuk mund ta refuzojnë.

“Djali im përfundoi në një burg në Misisipi, SHBA”, thotë një nënë. “Ai kishte kryer tashmë një dënim prej gjashtë vitesh në Shtetet e Bashkuara. Por kur e provoi përsëri, dështoi sërish”.

“Mendoj se ai e provoi sërish, pasi nuk po gjente asnjë punë…” “Shumica e familjeve në ishull janë prekur nga kjo gjë në një mënyrë ose në një tjetër. Ne po humbasim djemtë tanë”.

Një mënyrë krijimi të më shumë vendeve pune, do të ishte zhvillimi i turizmit, por kjo është një rrugë që Urata e Moçme e ka shmangur qëllimisht. Në kontrast me fqinjin, San Andres, i cili tani është i mbushur me resorte.

Por kërkuesja që llogariti se 800 banorë të ishullit janë zhdukur, thotë se mungesa e mundësive është vetëm një pjesë e problemit.

“Ka gjithashtu shumë adrenalinë rinore në lojë”, thotë ajo. Ajo shpesh ka dëgjuar të rinjtë të thonë se “Kemi tri opsione: – të qëllojmë, të mos qëllojmë ose të arrestohemi”. Me fjalë të tjera, mund t’ia dalësh të arrestohesh, ose të vritesh.

“Ne kemi humbur tashmë 10 për qind të brezit përpara timit”, thotë peshkatari 26-vjeçar, Loreno Bent. “Ka fëmijë që zgjohen çdo ditë duke mos e njohur të atin, sepse ai është zhdukur në det kur fëmija ishte vetëm katër muajsh”.

“Nënat po vajtojnë, sepse djemtë e tyre janë larguar dhe nuk janë kthyer kurrë. Askush nuk e di se ku janë. Ata mund të jenë në një burg diku në botë. Ne thjesht nuk e dimë”.

Por ai nuk i kritikon ata që drejtojnë trafikun e drogës. “Deti është ekonomia jonë, nuk ka rëndësi nëse është e ligjshme apo jo”, thotë ai. “Çfarë ka rëndësi këtu është që të mos i fitojmë paratë, duke kryer një krim ndaj një njeriu tjetër. Në Kolumbi, sigurisht se konsiderohet e paligjshme, por për shumë prej nesh është mjeti i vetëm i jetesës. Ne nuk e shohim si të paligjshëm”.

Sipas peshkatarit, njerëzit mendojnë se tregtia e drogës është para e fituar lehtë, por në fakt, është mjeti më i vështirë për t’u fituar. Nëse zgjohesh në mëngjes, duke e ditur se po e vë jetën në rrezik, atëherë nuk janë para të fituara lehtë”.

“Këtu ka familje ku stërgjyshërit, gjyshërit, babai dhe djali janë të burgosur”, thotë gazetari Amparo Ponton.

*Burimi: BBC.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button