Te ndryshme

Katër arsye pse Rusia do të dështojë në Siri

Putin po ndërhyn në Siri duke thënë se po lufton kundër islamistëve, siç bënë dikur sovjetikët në Afganistan kundër muxhahedinëve. 30 vjet më vonë, vendi ku ata ndërhynë është gjithnjë e më i destabilizuar dhe kaotik. Eksperti gjerman, Manfred Sapper, paralajmëron: ky fat mund ta kërcënonte edhe Sirinë.

Janë paralele shumë të forta: Në Siri, Presidenti rus, Vladimir Putin, po ndërhyn për të shpëtuar regjimin e Asadit – dhe po lufton kundër islamistëve. Ashtu si dikur sovjetikët në Afganistan kundër muxhahedinëve, që mbështeteshin nga Perëndimi. E tashmë, 30 vjet më vonë, vendi ku ata ndërhynë është gjithnjë e më i destabilizuar dhe kaotik. Eksperti gjerman, Manfred Sapper, paralajmëron: ky fat mund ta kërcënonte edhe Sirinë.

24 orë, 53 sulme mbi “objektiva terroriste”: ky është bilanci i sulmeve ajrore ruse në Siri, që u bë i ditur të hënën. Qysh prej fundit të shtatorit, Rusia po kryen të tilla sulme që sipas të dhënave të veta, drejtohen të gjitha kundër Shtetit Islamik.

 Dhjetë vite luftë në Afganistan, një milion të vrarë  

SHBA dhe shtetet e tjera e kanë kritikuar faktin që flota ajrore ruse po godet shumë më pak milicinë e terrorit të IS-it, sesa kundërshtarët e regjimit sirian, për të mbajtur kësisoj në këmbë Presidentin Bashar al-Assad. Që ai është edhe njëri ndër qëllimet e tij, “të shpëtojë” Assad-in, Putin e pranoi edhe vetë pak ditë më parë. Moska po ndërhyn në një vend tjetër ushtarakisht, për të shpëtuar regjimin dhe luftuar islamikët – çka e ka bërë edhe para 36 viteve. Në 1979, ish-Bashkimi Sovjetik marshoi në Afganistan. Në dhjetë vite luftë, më shumë se një milion njerëz humbën jetën, e pas tërheqjes së trupave sovjetike, atje shpërtheu një luftë e ashpër civile.

 “Rusia nuk ka mësuar asgjë nga dështimi i sovjetikëve”

“Rusia duket se nuk ka mësuar asgjë qysh nga dështimi në luftën e Afganistanit në vitet 1979 – 1989”, thotë politologu Manfred Sapper, duke pasur në fokus sjelljet aktuale të Rusisë në Siri. “Putin është rrugës për të bërë pak a shumë gabimet e së shkuarës”. Asokohe, Bashkimi Sovjetik dërgoi trupa në Afganistan, për t’i ardhur në ndihmë regjimit komunist që po lëkundej, e që kishte ardhur me anë të një puçi në pushtet, në vitin 1978, për të cilin populli vetë ishte shumë i përçarë në duhej apo jo ta mbështeste. Rreth 30 grupe rezistence u formuan: Muxhahedinët, ose “luftëtarët e Allah’ut”. Shtete liderë të NATO-s, ndër ta edhe SHBA, i mbështetën asokohe ato grupime financiarisht dhe materialisht në luftën e tyre kundër regjimit komunist.

Paralele mes situatës së djeshme e asaj të sotme

“Në 1979, ish-BRSS dërgoi edhe trupa ushtarake në Afganistan. Ata u futën direkt në luftime. Putin sot po vepron ndryshe”, thotë eksperti Sapper, i cili sapo është promovuar me gradën “doktor” me një punim rreth ndikimeve e pasojave që la pas lufta në Afganistan te shoqëria sovjetike. Putin i shmanget një përfshirjeje direkte të tillë në luftime, duke futur në lojë deri më tani, vetëm flotën ajrore. “Ekziston rreziku që Rusia të ndërfutet në një luftë të re”, thotë Sapper. Ai sheh edhe katër paralele të tjera mes situatës së sotme të Rusisë në Siri, dhe asaj të djeshme në Afganistan.

  1. Kaosi në vendin që ka kapluar lufta do vijojë për vite

“Rusia simulon pushtetin nëpërmjet përzierjes së vet në Siri“, sipas vlerësimit të politologut. Por ka një rrezik të madh: “As politikisht e as ushtarakisht, Moska nuk është në gjendje të shfaqet si një fuqi që vendos rregullin e stabilizon Sirinë dhe rajonin. Edhe SHBA dhe BE nuk munden dot ta kryejnë po ashtu një rol të tillë. Kësisoj, dështimi në Siri do vijojë me vite“, pretendon Sapper. “Kjo të kujton Afganistanin, ku qysh prej invazionit sovjetik në 1979, në vend nuk mbizotërojnë as paqja e as stabiliteti, por lufta, terrori dhe vuajtjet”.

  1. Një rreth i vogël pushtetarësh i jep udhë nismës

Në atë kohë, ishte vetëm një qerthull i vogël pushteti në BRSS, ai që vendosi për ndërhyrjen e Moskës në Afganistan, thotë Sapper. “Sot, është sërish po kështu“. Një rreth i vogël informal njerëzish, që përbëhet nga ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shërbimit Sekret, drejtuesi i Administratës Presidenciale dhe vetë Putini, u dha udhë sulmeve ajrore ruse në Siri, sipas ekspertit.

  1. Rusia është e izoluar ndërkombëtarisht

Një tjetër element i ngjashëm me situatën e asaj kohe, thotë politologu Sapper. Sigurisht se kohët e Luftës së Ftohtë kanë mbaruar me kohë, por: “Sikurse ish-Bashkimi Sovjetik pas marshimit në Afganistan, edhe Rusia qysh prej aneksimit të Krimesë, është e izoluar ndërkombëtarisht”.

Respektivisht edhe për ndërhyrjen në Siri, Moska po korr një tjetër valë kundërshtie e po shton izolimin. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, akuzoi lidershipin rus se me ndërhyrjen ushtarake në Siri, do ta zgjasë e komplikojë edhe më shumë konfliktin. Ai i kërkoi Rusisë që ta ndërpresë mbështetjen ndaj regjimit të Assad-it.

  1. Moska i fsheh pasojat – kërcënon radikalizimi

“Putin harron pasojat e ndërhyrjes në Siri për vendin e tij”, thotë Sapper. Që Presidenti rus po e mbështet kreun e regjimit sirian, Assad, kjo nuk u pëlqen të gjithëve. Për shumë sunitë në Siri, Shteti Islamik, krahasuar me regjimin e Assad-it, duket si “e keqja më e vogël”. “Ndër myslimanët e Rusisë në Kaukaz, ka shumë syresh, që tashmë po solidarizohen me “vëllezërit e tyre” sunitë. Ata e interpretojnë ndërhyrjen e Putinit si një sulm mbi vetë ata“, shpjegon politologu gjerman. Ai paralajmëron se: “Në këtë rast po kërcënon një radikalizim brenda vetë Rusisë”. Edhe kjo i ngjan situatës në Afganistan. “Që Bashkimi Sovjetik në atë kohë mbështeti regjimin komunist në Kabul dhe që godiste muxhahedinët, solli si pasojë radikalizimin e myslimanëve dhe kompaktësimin e tyre edhe në republikat e Azisë Qendrore, në Taxhikistan dhe Uzbekistan”, sipas Sapper.

 Asokohe, synimi i Moskës ishte i qartë – sot mbetet enigmë

Megjithatë, eksperti i politologjisë e marrëdhënieve ndërkombëtare, sheh një ndryshim radikal në krahasim me atë kohë. “Në atë kohë, ishte e qartë se çfarë synonte Bashkimi Sovjetik në Afganistan: të mbështeste regjimin komunist në vend”, sipas Sapper. Konflikti Lindje-Perëndim në fund të viteve ’70-të, tekefundit, ishte në majën e vet. “Por çfarë po kërkon Rusia sot në Siri?”, pyet politologu. “Putin mbështet sigurisht regjimin e Assad-it, por një lidhje politike e fortë mes Rusisë dhe Sirisë zor se shihet – maksimumi ndihmë reciproke e solidaritet mes pushtetarësh autoritarë”, thotë Sapper. Ai për këtë arsye beson se: “Primare për Putinin në Lindjen e Mesme, është që të demonstrojë forcën përballë pretendimeve amerikane në rajon e të tregojë se Rusia është rikthyer në tribunën e të fortëve të politikës botërore”.

Marrë nga: Huffington Post

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button