Libri

Dritëro Agolli Jeta, mes dy kohësh

Një udhëtim në jetën e një prej personazheve më të njohur të letrave shqipe të këtij gjysmëshekulli në 84-vjetorin e lindjes… Historia e djaloshit nga Korça, që udhëtimi në Petërburg do t’i ndryshonte përgjithmonë jetën, duke iu përkushtuar letërsisë… Ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve gjatë regjimit komunist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë pas viteve ’90 dhe një njeri që nuk i ka fshehur bindjet e tij të majta, ai ka ruajtur profilin e një njeriu që politika nuk ka mundur t’ia zbehë atë tisin e hollë, por magjik të shkrimit.

dritero agolli_1“Kur ikja larg, drejt teje vija/Kur vija afër ikja larg/ për dreq më trembte largësia/ dhe afërsia bëhej çark…. as e kuptoja si të desha/ një mjegull plus një çmenduri/ si një poet që shkruan vjersha/ dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi…”. Dritëro Agolli i shkroi herët këto vargje, kur kujtimi i Petërburgut të largët, i ngatërrohej në heshtjen e gjatë që pushtonte Tiranën në mbrëmje. Teksa tymoste cigare, ves që vazhdon ta bëjë ende sot, pakkush mund ta mendojë se çfarë orvatej në mendjen e djaloshit, që ishte lidhur fort me letërsinë. Por vargjet kanë aftësinë të zbulojnë brendësinë. Ndaj rreshtat në fletoret e thjeshta të dikurshme tregonin gjithë botën e tij. Në vitin 1958, vetëm 27 vjeç, ai do të botojë vëllimin e parë poetik “Në rrugë dolla”. Një libër që do të tregonte poetin e ardhshëm, që do të lidhej fort me këtë vend. Në historinë e letërsisë shqipe të këtij gjysmëshekulli të fundit, Dritëro Agolli është padyshim një nga personazhet më të rëndësishëm të saj. Ish- kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve gjatë regjimit komunist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë pas viteve ’90 dhe një njeri që nuk i ka fshehur bindjet e tij të majta, ai ka ruajtur profilin e një njeriu që politika nuk ka mundur t’ia zbehë atë tisin e hollë por magjik të shkrimit. Me një aftësi për të mos ndryshuar nga personazhet e butë të librave që shkroi, Agolli mbetet sot një figurë ku e shkuara nuk ia cenon të tashmen. Pardesyja e bardhë elegante, nuk e bëri të shihej i largët dhe nga lexuesi. Ashtu si rakia që i pëlqen të pijë, dhe që nuk mungon në tavolinën e drunjtë të apartamentit të tij, ai krijoi një figurë popullore, me një autoritet që vazhdon të jetë i tillë edhe sot. Në një kohë debatesh mbi disidencën në letërsinë shqipe, apo rolin që shkrimtarë apo artistë kanë pasur në raport me diktaturën, ai qëndron jashtë këtij debati fare lehtë, si të mos kishte jetuar në atë periudhë. Kjo, pasi Agolli ka qenë i vërtetë në raport me jetën që ka bërë dhe nuk ka nguruar të fshehë ndonjëherë dhe “gabimet”. Dje (13 tetor) ai mbushi 84 vjeç. Një ditë e mbushur me miq, dhe telefonata lexuesish apo të njohurish që nuk reshtnin si uruari jetën e gjatë. Një ditë që në njëfarë mënyre nuk ndryshon shumë nga ditët e tjera në familjen Agolli, ku telefoni dhe miqtë janë pjesë e ritualit të përditshëm. Një poet nuk mund të jetojë pa biseda dhe miq, dhe që në rininë e hershme e deri tashmë kur shëndeti shpesh i kujton vitet që kanë shkuar, Agolli ka preferuar bisedat me miq. Duket se shumë gjëra kanë mbetur ashtu si në vitet ’60, kur botimi i librit të dytë “Hapat e mia në asfalt” (1961), do të bënte të pakthyeshme rrugën e tij drejt letrave. “Zhurma e erërave të dikurshme” tre vite më vonë, do të sillte një tjetër dimension të Agollit i shfaqur deri atëherë si poet, atë të tregimtarit. Një libër i botuar në kulmin e diktaturës, dhe i konsideruar si një nga librat më të mirë të kohës. Një përmbledhje me tregime të shkruara diku në fillim të viteve ’60, që duket sikur të fusin në pasazhe imazhesh nga të cilat nuk mund të ndahesh, edhe pasi ke lexuar librin. Tregime ku ndihet poeti, shkrirë mes rreshtash që vazhdojnë të jenë edhe sot si frymëzimi i një Shqipërie të bukur, imagjinuar në kohët më të errëta të saj. Në ribotimin që i bëri gati 40 vite më vonë, në parathënie Agolli do të shpjegonte dhe historinë që fshihej përtej këtij libri. Një histori që i kishte sjellë kohë jo të qeta, shkrimtarit atëherë gazetar tek “Zëri i Popullit”. Nga botimi i librit, unë mora pesë kopje. Ishte një rregull që pesë kopje dërgoheshin në drejtorinë e shtypit të KQ të Partisë së Punës. Kaloi një kohë dhe libri “Zhurma e erërave të dikurshme” nuk po dilte nëpër librari. Nuk vonoi shumë dhe mua më thirrën në Komitetin Qendror, bashkë me redaktorin e librit dhe me shefin e redaksisë së tregimit të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Në atë takim ishte përgjegjësi i shtypit, drejtori i drejtorisë së propagandës dhe një tjetër. Në takim u diskutua, me libër përpara, se çfarë duhej bërë me atë botim: a mund të lejohej të qarkullonte për librari, apo të ndalohej. Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizohej Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare: personazhet e partizanëve pasqyroheshin të zymtë dhe me shumë kontradikta mes tyre, pushkatoheshin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. … kujton Agolli. Vetë tregimi që mban dhe titullin e librit, të jep një ndjesi tjetër për luftën. Libri do të kritikohej fort si një vepër me gabime ideologjike, do të kishte kritika për të në Plenumin e 15-të të KQ-së të PPSH-së të vitit 1965, ku vërejtjet morën një formë zyrtare, ku bashkë me të do të kritikoheshin dhe dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit, do të thumbohej Ismail Kadare dhe ndonjë tjetër. Duke ironizuar me sistemin e dikurshëm, shkrimtari kujton sesi dhe bashkëshortja e tij, Sadija, duhet të kritikonte burrin e saj si mësuese e letërsisë në shkollën “Partizani”. Një vit më vonë, më 1966, Agolli do të botonte librin “Shtigje malesh dhe trotuare”, për të vijuar më pas me librin “Mesditë”. “Komisari Memo” më 1969, duket se do të ndryshonte raportin e shkrimtarit me kohën për të mbërritur në një nga veprat më të njohura të tij, të cilën e botoi në fillim të viteve ’70 “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Një roman kundër burokracisë dhe servilëve shkruar me humor, duke i kthyer dy personazhet kryesorë të tij Zylon dhe Demkën nga më popullorët e letërsisë së kohës, duke të kujtuar shembuj të ndryshëm të letërsisë botërore si Don Kishoti dhe Sanço Pançën. Një shkrim jo i lehtë, duke pasur parasysh kohën në të cilën është shkruar. Vetë shkrimtari ka pohuar në një intervistë se “Zylo” ka qenë më i sikletshmi. Zylo ka qenë më i sikletshmi, siç e the, sepse merrte përsipër diçka shumë të vështirë, sepse përmes Zylos unë godisja burokratët e aparatit shtetëror. “Shkëlqimin dhe rënien e shokut Zylo” nisa ta botoj te “Hosteni” dhe kjo u bë mirë, sepse në atë kohë nuk besoja se do të botohej i tëri për vetë kritikën që nisi të merrte. Niko Nikolla, që drejtonte revistën satirike “Hosteni” në fillim të viteve ’70, nisi ta botonte kapitull pas kapitulli të gjithë librin që unë e kisha në dorëshkrim. Kur botohej ky roman te “Hosteni”, Mehmet Shehu ishte në Paris për të bërë një operacion. Që nga Parisi, ai mori Niko Nikollën dhe i tha: “Kur do të mbarojë ky Zyloja?”, duke treguar një lloj sikleti dhe bezdie që i kishte krijuar libri. Nikoja i mblodhi kapitujt e mbetur në një broshurë dhe e botoi në një vëllim, sepse ndryshe mund edhe të bllokohej. Nëse nuk do ta kisha botuar te ‘Hosteni’, jam shumë i bindur se Zyloja do të ishte bllokuar si botim”, kujton ai. Mehmet Shehu do ta kritikonte këtë roman, por për një periudhë do të mbetej në heshtje. Askush nuk u mor me të, as kritika. Munguan dhe vlerësimet letrare. Mehmet Shehu është shprehur në atë kohë se ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’ e bën përshesh administratën tonë”.

Poema “Nënë Shqipëri” më 1974, do të kthehej në një monument të atdhedashurisë duke i dhënë Agollit staturën e një prej shkrimtarëve më të mirë të kohës. “Fjala gdhend gurin”, “Trëndafili në gotë”, “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë”, “Udhëtoj i menduar”, “Njeriu i mirë”, “Kalorësi lakuriq”, janë të tjera libra që autori do t’i botonte deri në vitet ’90. I frymëzuar nga folklori dhe gojëdhënat, Agolli i dha një tjetër jetë trashëgimisë sonë gojore në librat që ka shkruar. Ai diti të vendoste në të njëjtën histori folklorin dhe modernitetin, duke bërë që të lexohej nga të gjithë. Por sot teksa kthejmë vështrimin në krijimtarinë e tij, ndiejmë të ndalemi më gjatë te poezia. Qindra vargje të shkruar në më shumë se 50 vjet krijimtari, nuk kanë mundur të humbin atë ndjesinë që të jep poezia e mirë. Të gjitha gjendjet e dashurisë mund t’i gjesh në vargjet e Agollit. Trishtimin e një mungese të gjatë, mallin, apo gëzimin e një takimi të parë. Ashtu siç shkruante për bujqit, fshatin, nënën, atdheun me të njëjtën patos ai shkroi për dashurinë… Sot, ai mund të konsiderohet si dashnori më i mirë i letrave shqipe, me vargjet e pafundme që i ka kushtuar kësaj ndjenje. I tërhequr vitet e fundit nga jeta aktive, Agolli nuk ka hequr dorë nga shkrimi. Ashtu besnik i të shkruarit me dorë, ai vazhdon t’i lexojë vargje dashurisë dhe mikes së tij më të mirë Sadijes, duke i hedhur në letra që dikur do të vijnë në një libër. Tepër i lidhur me vendin, Agolli bën pjesë tek ata intelektualë që nuk mund të heshtin nga tryeza e punës, teksa shohin që gjërat nuk shkojnë mirë në vend. I papërtueshëm në çdo prononcim që do të ndihmonte në përcjelljen e një mesazhi, ai ka reaguar shpesh ndaj politikës, duke bërë rolin e mesazhuesit për të parë përtej. I ndjeshëm ndaj çështjes shqiptare të Kosovës, nuk kanë munguar dhe intervistat e tij për Kosovën në anën tjetër të kufirit apo këtej. Një shkrimtar i angazhuar ashtu si letërsia e tij, Dritëro Agolli vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme që ka nxjerrë ky vend në këtë gjysmëshekull, si modeli më i mirë që duhet të ndjekin intelektualët e së nesërmes…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button