PolitikaPresidenciale

Antikorrupsioni, Nishani rrëzon Llallën

Një vit pas ngritjes së strukturës antikorrupsion tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, e megjithë  deklaratat e herëpashershme të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla se në vjeshtë do ketë arrestime surprizë, Prokuroria vijon  të shënojë rekorde të papërfillshme për zyrtarë që  do të merreshin si të pandehur për çështje korrupsioni.

Edhe pse në shtator numri një i organit të akuzës kreu lëvizjen e radhës duke tentuar ta kthejë këtë institucion ashtu siç u besua se do të funksiononte pas ndryshimeve në ligj për hetimin e gjykimin e korrupsionit tek kjo prokurori, duke emëruar 4 prokurorë shtesë në këtë strukturë, firma e tij është kundërshtuar nga kreu i shtetit, Bujar Nishani.

Bëhet fjalë për emërimin në krye të kësaj njësie në muajin shtator të katër prokurorëve, Armand Gurakuqi, Anisa Qilimi, Enkelejda Minollai, Gent Osmani dhe shefin që do t’i drejtojë ata, prokurorin Dritan Rreshka.

Me përjashtim të Osmanit, që u transferua nga Prokuroria e Elbasanit te Krimet e Rënda, katër të tjerët u votuan nga Këshilli i Prokurorisë, e më pas u emëruan nga Prokurori i Përgjithshëm në strukturën që vijon të jetë e brishtë pavarësisht pritshmërive.

Por, me sa po shikohet kjo lëvizje e Prokurorit të Përgjithshëm nuk është konsideruar e duhura nga Presidenti, pasi të katër emërimet nuk janë dekretuar prej tij.

Argumenti që rrëzon Prokurorin e Përgjithshëm e që me sa duket shfaq një marrëdhënie jo të mirë mes Llallës dhe Nishanit, thuhet në rrugë jozyrtare të jetë mosndjekja e të gjitha kritereve për këto emërimeve, kjo pasi për katër prokurorët, së pari duhej kryer shpallja e vendeve vakante tek Krimet e Rënda e më tej ata duhet t’i nënshtroheshin konkursit, thonë burimet.

Megjithë refuzimin e Presidentit Nishani për t’i dekretuar, Prokurori i Përgjithshëm ka zgjedhur që t’i qëndrojë firmës së tij, duke i lënë ata tashmë si të komanduar në këtë detyrë, çka do të thotë se aktualisht në Prokurorinë e  Krimeve të Rënda janë me pëlqim vetëm prokurori Gentian Osmani dhe prokurori amerikan Gjon Junçaj.

Edhe pse ka një vit që ka kaluar ligji që i jep kompetenca të plota Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dosjet e korrupsionit, deri më tani Prokuria e Krimeve të Rënda ka marrë vetëm dy vendime fajësie që janë pesë vjet nga gjykimi i shkurtuar i ish-kryekomunarit të Bërzhitës, Genci Drita dhe tre vjet të konvertuar në shërbim prove për ish-gjyqtarin e Pogradecit, Dhimitër Pojanaku, ndërsa janë ende nën gjykim gjyqtarja e Lezhës,  Parashqevi Ademi, për të cilën prokuroria kërkon 6 vjet burg, kurse për gjyqtarin e Sarandës, Rasim Doda, gjykata është në pritje të dëgjimit të dëshmitarëve.

Related Articles

Nje koment

  1. bla bla bla ;;;; kur do ti futni ne burg te korruptuarit ;;;;;;;;; apo prisni ta zhveshin popullin kopmlet ;;;;; CBEN RAMA META …. APO I INTERESON KORRUPSIONI …DHE SBEJNE GJE ….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button