Home / Te ndryshme / “Luna 27”, misioni që riafron Rusinë me Europën

“Luna 27”, misioni që riafron Rusinë me Europën

Projekti ishte menduar të vihej në jetë qysh në epokën sovjetike. Tani, me ç’duket, do të mund të bëhet realitet. Poli jugor i Hënës duhet hulumtuar. Misioni “Luna 27” është planifikuar për vitin 2020. Së shpejti, njerëzit e parë do të mund ta braktisin Tokën për një kohë të gjatë

Autoriteti Europian i Hapësirës (ESA) dhe Autoriteti Rus i Fluturimeve në Hapësirë “Roskosmos”, duan të dërgojnë një anije kozmike pa pilot në polin jugor, deri më tani të peksploruar të Hënës. Projekti i përket një serie misionesh të planifikuara të përmbusheshin prej kohësh. Synimi i tij është të krijojë kushtet për qëndrimin afatgjatë të qenieve njerëzore në Hënë.

Në polin e jugut ka rajone që qëndrojnë në errësirë gjatë gjithë kohës. Ato renditen tek objektet më të ftohta në sistemin diellor.

Projekti me emrin “Luna 27” mund të nisë brenda pesë viteve.

“Së pari, anija kozmike duhet të sigurohet e të hetojë nëse në Hënë ka ujë dhe lëndë të para, për të prodhuar oksigjen dhe karburant”, shkruhej në raportin e transmetuesit britanik BBC në internet.

Misioni në Hënë do të çojë përpara kërkimet që la pas misioni i dikurshëm sovjetik, i cili u ndërpre në mes të viteve shtatëdhjetë, tha profesor Igor Mitrofanov nga Instituti për Kërkime Hapësinore në Moskë për BBC. Shkencëtari bën pjesë te kokat udhëheqëse në fushën e hapësirës.

 Në polin jugor të Hënës është shumë ftohtë

Ndryshe nga çfarë ka ndodhur në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë, kur amerikanët dhe rusët rivalizonin fort në një garë të shfrenuar hapësinore, “ka mbërritur më në fund pra edhe koha për të bashkëpunuar me kolegët ndërkombëtarë”, sipas Mitrofanov.

Bérengère Houdou, shef i grupit hënor në Qendrën Teknologjike Europiane për Hapësirën (ESTEC), e sheh këtë çështje po ashtu ngjashmërish si homologu rus. “Ne duam të dërgojmë në Hënë astronautë europianë”, tha ai.

Aktualisht ka diskutime në rrafsh ndërkombëtar, se si do të mund të bashkëpunonim më mirë për t’u rikthyer në Hënë.

Bashkëpunim apo rikthim në Luftën e Ftohtë

Në fakt, në lidhje me këto plane, ndryshe nga deklaratat e profesorëve rusë, thuajse gjashtë muaj më parë, në muajin prill 2015, shefi i Agjencisë Kombëtare të Hapësirës, Igor Komarov, njoftoi të njëjtin objektiv, por me tone disi agresive e triumfaliste, duke pohuar se në vitet 2029-2030 rusët do të arrijnë atë për të cilin patën dështuar në vitet ’60 të shekullit të shkuar, duke shkelur në satelitin e Tokës.

Duket se tashmë, Rusia do të duhet të fitojë “pozita udhëheqëse” në eksplorimin e Hënës dhe Marsit, ndërsa ky i fundit deri më tani thuajse ka mbetur një ekskluzivitet i plotë i amerikanëve.

Kundërthënës është fakti se në vitin 2024, Rusia ka në plan të “ndahet” nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, që do të duhej të shënonte fillimin e epokës së bashkëpunimit dhe rikthyer te modulet vetjake hënore, satelitët, stacionet dhe në fund fluturimet në Hënë.

Ky do të jetë vetëm fillimi i një zgjerimi të ri territorial të Rusisë: “Do të shkojmë në Hënë për të qëndruar atje përgjithmonë”, premtoi më shumë se një vit më parë zv.kryeministri rus, Dimitri Rogozin, njëkohësisht përgjegjës për industrinë ushtarake dhe atë të hapësirës ajrore.

Nuk është rastësi që kolonizimi hënor që iu propozua publikut për herë të parë, disa ditë pas aneksimit të Krimesë, dhe Rogozin, ish-udhëheqës i një partie ultra-nacionaliste, ka folur mbi këtë çështje si një domosdoshmëri “shpirtërore” për një komb që nuk do të donte të kishte më kufij (dhe që në vitin 2030, mund të ketë ende të njëjtin president).

Megjithatë zv.kryeministri, u detyrua të ridimensiononte ëndrrat e tij disa muaj më parë, duke pranuar se “duhen bërë mirë llogaritë”.

Hapi i parë do të jetë lëshimi në vitet 2024-2025; raketa e re super e rëndë “Angara 5B”, ende mjaft larg nga kolaudimi, dhe një numër dështimesh të testeve mbi raketat prototip, bëjnë mosbesues shumë ekspertë. Nisja është planifikuar nga kozmodromi Vostoçni, që po ndërtohet në Lindjen e Largët, pasi Moska vendosi që baza e marrë me qira në stepat e Kazakistanit, Baikonur, nuk mund të funksiononte përgjithmonë kështu.

Leave a Reply

Your email address will not be published.