EkonomiaTe ndryshme

Bankieri britanik: Europa, si “Titaniku” pranë ajsbergut

Krerët e botës financiare londineze kanë provokuar së fundmi me rinisjen e debatit për daljen e Britanisë nga BE-ja. Jim Mellon, i ashtuquajturi “Warren Buffett britanik”, nuk është i vetmi që e ka kërkuar këtë gjë. Me gjithë forcën në dukje, ai dhe sivëllezërit e tij, janë ende pakica

Jim Mellon nuk është i njohur si një njeri që bën shumë përpjekje për të rënë në sy. 57-vjeçari, që aktualisht është shef i bordit të drejtorëve të shoqërisë aksionere “Burnbrae”, ka bërë shpesh para duke u hyrë bizneseve të rrezikshme me plot guxim.

Pasuria e Mellon tashmë duhet të ketë arritur nivelin e 850 milionë paundëve ose 1,14 miliardë euro. E së fundmi, britaniku ka dalë sërish nëpër titujt e gazetave, duke bërë bujë, por këtë radhë jo për shkak të investimeve e sukseseve të tij, por për shkak të kritikave të ashpra ndaj Bashkimit Europian dhe monedhës së tij, euro.

“Europa është si ‘Titaniku’ pak para se të përplasej me ajsbergun”, thotë Mellon, ndërsa kthen qetë-qetë kafenë në filxhan. “Është më mirë nëse Britania e Madhe arrin të gjejë barkë shpëtimi para se të ndodhë mbytja e anijes dhe bashkë me të mbijetuarit e tjerë, të themelojë një union të ri ekonomik.”

BE-ja, thotë Mellon, e ai sipas mediave britanike është “përgjigjja britanike për Warren Buffett”, në formën e vet aktuale, nuk do të mund të mbijetojë në njëzet vitet e ardhshme, e po e njëjta vlen edhe për euron.

Kundërshtarët e BE-së nisin fushatën “Vote Leave” 

Investitori nuk beson se europianët do të mund ta zgjidhnin në terma afatgjatë problemin e tyre të borxheve. “Të gjitha shenjat që pamë gjatë krizës greke, tashmë po shihen në Francë e Itali”, paralajmëron ai.

Në lidhje me monedhën e përbashkët, sipas tij, ka shumë vende anëtare, të cilët për shkak të madhësisë së ekonomive të tyre, nuk janë kompatibël dhe kësisoj do të mund të mbijetonin, vetëm nëse disa nga vendet do ta braktisnin atë. Shanset që Britania e Madhe ta lërë BE-në, sipas tij, pas kësaj do të shtoheshin.

Jim Mellon është njëri ndër përfaqësuesit e famshëm të botës financiare londineze, i cili në ditët e fundit i ka shprehur hapur e shumë fort kritikat e tij kundër qëndrimit të mëtejshëm të Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian, ndërsa javën e shkuar, mbështetësit e kësaj alternative nisën fushatën e tyre nën moton “Vote Leave”.

Ndërkaq, mbështetësit e qëndrimit britanik në BE nga bota londineze e financave, përkundrazi, deri më tani kanë preferuar heshtjen e tërheqjen, pasi ata sipas “Financial Times”, u ftuan ta bënin këtë pas këshillave të Kryeministrit David Cameron, që i kishte “urdhëruar” thjesht të mbanin gojën kyçur.

Bankat kërcënojnë me dalje nga BE-ja dhe rialokim fondesh

Mellon dhe të tjerë si ai, nuk besojnë se largimi nga BE-ja do ta dëmtojë ekonominë britanike, sikurse pohohet nga një varg institucionesh ekonomike. Prognoza, sipas së cilës një “Jo” deri në referendumin e premtuar nga Cameron në vitin 2017, do të bënte të shkurtoheshin tre deri në katër milionë vende pune në Britani, atij i duket thjesht një “Bullshit” (bajgë, pallavra).

“40 për qind e tregtisë sonë bëhet me BE-në”, thotë Mellon, “e ky volum nuk është dhe aq i madh në fakt”. Ai dyshon se vende si Gjermania apo Franca, do t’i reduktonin shumë aktivitetet e tyre tregtare në Britaninë e Madhe, në rast të një daljeje të Londrës nga BE-ja.

Edhe vetë qyteti i Londrës, qendra financiare europiane, sipas Mellon, nuk do të vuajë në ndonjë mënyrë të veçantë nga dalja – një pikëpamje, e cila nga shumë vëzhgues nuk ndahet. Disa banka, ndër ta edhe “Deutsche Bank”, kanë paralajmëruar rialokim të fondeve e aksioneve të tyre britanike jashtë vendit, nëse britanikët votojnë për daljen nga BE-ja.

Por kritiku Mellon, sidoqoftë, thotë se “nëse ne qëndrojmë në BE, barra rregullatore për botën financiare, do të vijojë”. Ai mendon me këtë që thotë, taksën mbi sanksionet e tregjeve financiare, të cilat janë vendosur nga disa shtete të BE-së dhe kështu rritet edhe frika se volumi tregtar do të mund të ndikonte në Londër.

Investitori: Më të rëndësishme marrëdhëniet me botën

Më parë, edhe Helena Morrissey, një figurë e njohur në botën financiare të Londrës, ka shprehur dyshimin e saj kundrejt BE-së. Shefja e administratores së pasurive “Newton Asset Management”, e cilëson BE-në si një “koncept të gabuar” dhe kritikon delegimin e kompetencave dhe vendimeve sovrane, në Bruksel.

“Nëse ne do të largoheshim, këtë duhet ta bënim në një partneritet të afërt me BE-në”, tha Morrissey në fillim të javës, në kuadër të një konference të partisë së konservatorëve në pushtet. “Ne, si Britani e Madhe, mund të luanim një rol në tribunën politike botërore”, tha Morrissey. Për vendin tonë do të kish qenë shumë më e thjeshtë të negociohej jashtë BE-së, për marrëveshje bilaterale tregtie.

Edhe investitori i famshëm, Neil Woodford, shef i shoqërisë së investimeve “Woodford Investment Management”, është shprehur gjithashtu shpesh në mënyra të ngjashme. Jeffrey Immelt, shef menaxherial i “General Electric”, po ashtu, është përfshirë në këtë.

Sipas tij, nuk luan ndonjë rol, nëse Britania e Madhe do të ishte apo jo më tej anëtare e BE-së. “Marrëdhëniet e mira me botën” janë më të rëndësishme sesa qëndrimi i Britanisë në Europë”, tha Immelt.

Kundërshtarët e BE-së, të zhurmshëm, por ende pakicë

Për mbështetësit e qëndrimit britanik në BE, përkundrazi, ujërat janë bërë më të qeta. Sigurisht se prej kohësh tashmë, një sërë firmash, ndër ta edhe “Airbus”, “Vodafone” dhe “BHP Billiton”, u ka munguar deri më tani një fushatë e koordinuar zyrtare, sikurse ka bërë pala tjetër. Por edhe kjo nisi të hënën nën drejtimin e Stuart Rose, ish-kryemenaxheri i rrjetit me pakicë, “Marks & Spencer”. Sipas Rose, një dalje e Britanisë nga BE-ja “është një hap drejt të panjohurës, që do ta dëmtonte pasurinë tonë, do të kërcënonte sigurinë dhe do ta kufizonte ndikimin tonë në botë”. Sipas një sondazhi të kryer nga Dhoma Britanike e Tregtisë, 63 për qind e sipërmarrësve duan megjithatë të qëndrojnë në BE. Vetëm 27 për qind dhanë në shtator votën e tyre në anketën e publikuar në muajin shtator, duke u shprehur se donin ta shihnin Britaninë jashtë BE-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button