Home / Arte / Libri / Librat e rinj

Librat e rinj

R.J. Palacio
Mrekullia
Përktheu: Ilir Baçi
Botimet: “Pegi”

Autorja u frymëzua për të shkruar romanin “Mrekullia” nga një ndodhi
personale: një ditë, kur ajo ishte në park me djalin e saj më të vogël (që atëherë ishte 3 vjeç), ai filloi të qajë, pasi vuri re një vajzë që ishte ulur pranë tij dhe që kishte deformime të rënda në fytyrë. Palacio u mundua që, me delikatesë, të bënte djalin të ulej gjëkundi tjetër, por situata u bë më e koklavitur. Qëllimi i mirë i autores që të shmangte një situatë të sikletshme për vajzën dhe familjen e saj kishte rezultuar në një incident edhe më të rëndë se ai fillestari. Duke reflektuar më pas për çfarë ndodhi, Palacio kuptoi se ai incident mund të kishte qenë një mësim i mirë për djalin e saj, por edhe
për shumë të tjerëve. Kështu, ajo vendosi të shkruante librin që më pas rezultoi të ishte “Mrekullia”.

Archibald J. Cronin
Kështjella e Kapelierit
Përktheu: Vladimir Bako
Botimet: “Dritan”

Kjo histori e famshme e Kroninit është një roman shpirttrazues krenarie, lakmie dhe ndëshkimi të tmerrshëm. Kur i ati e detyron Meri Brodin të shkëputet nga shkolla, duke prerë të gjitha kontaktet e saj me të shkuarën dhe të ardhmen, jeta e vajzës mbetet rrethi i ngushtë, i ftohtë, i trishtuar, i shtëpisë atërore në një qytet të vogël të Skocisë. Babai i saj koprrac dhe ambicioz tiranizon gruan e vet të druajtur, të mirësjellshme, bijën më të vogël të trembur që studion tej mundësive dhe birin pa burrëri. Katër njerëz mbahen nën darën e pamëshirshme të Brodit… Derisa, si një puhizë nga bota jashtë, që Brodi e përçmonte aq shumë, hyn në skenë një irlandez i ri, tek i cili Meri gjen lirinë e ndaluar dhe që është i vetmi lehtësim për të ëmën dhe motrën e saj… Trazira e një familjeje që nuk funksionon, pjesëtarët e së cilës shkatërrohen dalëngadalë nga ambicia e pazakontë e kreut të saj, Xhejms Brodi.

Veronica Roth
Katra
Përktheu: Taulant Hatia
Botimet: “Morava”

Fillimisht Veronica Roth nisi ta shkruante Divergjenten nga perspektiva e Tobias Itënit, një djalë nga Vetëmohuesit, që përjetonte tensione të forta me të atin dhe që donte të çlirohej nga grupimi i tij. Pas tridhjetë faqesh, ngeci, sepse rrëfimtari nuk i dukej i përshtatshëm për historinë që donte të tregonte.
Katër vjet më vonë, iu kthye përsëri kësaj historie, gjeti personazhin e duhur, një vajzë nga Vetëmohuesit, që dëshironte të njihte veten. Por, Tobiasi nuk u zhduk kurrë, ai hyri në histori si Katra, trajneri, shoku, i dashuri i Trisit.
Ai ka qenë gjithmonë një personazh që ajo ka dashur ta eksplorojë më tepër, për shkak të mënyrës sesi shfaqej në çdo faqe të librit. Më së shumti është një personazh i fuqishëm për shkak të mënyrës me të cilën i kapërcen kundërshtitë madje, në disa raste, del edhe më i fortë prej tyre.

Nicholas Sparks
Jetë plot dashuri
Përktheu: Hasan Bregu
Botimet: “Bota shqiptare”

Në pranverën e vitit 1984, kur frekuentonin liceun, Amanda dhe Donsoni ishin dashuruar me njëri-tjetrin: thellësisht, në mënyrë të pakthyeshme. Pavarësisht se u përkisnin dy botëve të kundërta, dashuria e tyre dukej aq e madhe, sa për t’i sfiduar rregullat e jetës së Orientalit, qytezës së Karolinës së Veriut ku ishin rritur. Donsoni, tek i cili kishte lënë shenjë dhuna e familjes së tij, mendonte se ndjenja për Amandën do ta kishte shpërblyer dhe shpëtuar nga një fat vetmie e fatkeqësie. Për Amandën, Donsoni ishte një shpirt i lirë e i pasionuar, gjithçka që edukimi i saj i rreptë prej vajze të përkryer ia kishte mohuar. Por, në mbarimin e asaj vere të fundit, e paparashikueshme dhe e rrufeshme si një shtrëngatë gushti, rrugët e tyre ishin ndarë papritur. Tani, njëzetepesë vjet më pas, Amanda dhe Donsoni takohen sërish në Oriental për varrimin e Tukut, mikut të vjetër që dikur i kishte dhënë strehë pasionit të tyre rinor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.