Home / Sporti / De Biasi konfirmon qëndrimin: Ja kush tentoi të më joshte me miliona

De Biasi konfirmon qëndrimin: Ja kush tentoi të më joshte me miliona

Ditët post-kualifikim në Europian kanë ndezur një duel të heshtur mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe trajnerit të përfaqësueses Gianni de Biasi në lidhje me rikonfirmimin e tij për të vazhduar në krye të pankinës kuqezi.

Por është vetë trajneri italian i cili hedh dritë mbi prapaskenat e kësaj tymnaje kontraktuale apo ndarjes së meritave mes tij dhe institucionit të futbollit shqiptar, në një intervistë për Top Albania Radio, në emisionin “Sokol Balla Live”.

“Nuk kam pasur kurrë asnjë problem me zotin Duka në këto thuajse 4 vite që bashkëpunojmë. Jam shumë i kënaqur, në radhë të parë për të, pasi e di se sa e ka kërkuar këtë kualifikim. Si tifozi i parë i përfaqësueses mendoj që edhe sot është i pari që gëzon. Ky është një gëzim i madh që fillon nga ai, pasi ai më zgjodhi mua dhe të gjitha strategjitë rreth kësaj lidhen me emrin e tij”, tha De Biasi.
E megjithatë, ofertat për trajnerin De Biasi gjithmonë kanë qarkulluar nën zë, por këtë herë, vetë ai vendos të bëjë publike dy të fundit: “Po, unë kam patur oferta dhe po ju them një prej tyre: ka qenë Olimpiakosi i Pireut, një ofertë që më ka ardhur shtatorin e shkuar. Unë iu përgjigja negativisht, pasi doja t’i çoja përpara këta djem deri në fund të kësaj aventure europiane. Më pas, mund të them se kam patur edhe të tjera oferta nga federata shumë më të pasura se ajo e Shqipërisë. Këtë dimër i kam treguar presidentit një mesazh me një ofertë për 1.5 milionë euro në vit, për një kontratë 2-vjeçare, pra, refuzova 3 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke mos e marrë fare në konsideratë ofertën”.

Sa i përket diskutimit të fundit, ku një prej anëtarëve të komitetit të FSHF-së, në një nga deklaratë publike, ka theksuar faktin se De Biasi u bë i njohur prej Shqipërisë, italiani nuk e ka kapërdirë dot, duke nxituar menjëherë të bëjë një reagim.

“Dikush mendon se unë jam i mbivlerësuar dhe se më bëri të madh Shqipëria, ndërsa më parë kur drejtoja Torinon, çova në Serinë A Modenën, apo kur stërvisja Roberto Baxhon, isha një hiç”, thotë tekniku italian i përfaqësueses sonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.