Home / Parlamentare / Kuvend, Patozi: Qeveria ka vdekur; reagon Rama: S’keni gojë të kërkoni llogari

Kuvend, Patozi: Qeveria ka vdekur; reagon Rama: S’keni gojë të kërkoni llogari

Në seancën e kësaj të enjteje të Kuvendit, deputeti i PD, Astrit Patozi ka hedhur akuza ndaj qeverisë, të cilën e cilësoi si “të vdekur” për shkak të dështimit të saj.

“Kjo qeveri ka rënë, sepse nuk mund të jetë edhe qeveria edhe mafia, edhe qeveria edhe korrupsioni. Kjo qeveri ka rënë sepse e ktheu Shqipërinë në një vend qesharak”, ka thënë Patozi.

Këtu ai i është referuar paralajmërimit të Spartak Brahos për një komplot në dëm të kreut të Kuvendit, që do të çonte sipas tij në destabilizim të vendit.

“Pak kohë më parë kreu i komisionit të sigurisë paralajmëroi destabilizim të vendit. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, në djall të shkonte stabiliteti, nëse vendi ishte në dorë të Tom Doshit dhe Dritan Priftit”, ka thënë Patozi.

Kjo qeveri, ka vijuar ai, ka rënë dhe çdo ditë e bën më të rëndë situatën për shkak se dhunon financat e shtetit. “Ne nuk mund ta lëmë vendin në duart e sekserëve të Edi Ramës dhe Ilir Metës”, ka theksuar Patozi.

Nga ana tjetër, ka nënvizuar ai, PD duhet t’u bëjë të qartë qytetarëve se nuk do të qeverisë asnjë ditë si këta dhe se nuk do përsërisë të njëjtat gabime kur ishte në pushtet.

“Kjo është një qeveri e vdekur dhe dihet që kufomat i varros në themel”, ka shtuar më tej Patozi.

Duke reaguar ndaj akuzave, kryeministri Rama e ka cilësuar si “ireal” qëndrimin e opozitës, duke cituar këtu raportet e “Standard & Poor’s” dhe Bankës Botërore.

“Është një interpretim krejt ireal i PD për situatën. Po ju citoj raportin e “Standard & Poor’s” që ka konfirmuar pozicionin e Shqipërisë. Agjencia ka paralajmëruar se nëse ecim kështu do të rrisë rejtingun e Shqipërisë në muajt e ardhshëm. Gjithashtu, agjencia thotë se, reformat e qeverisë kanë sjellë rezultate të qenësishme, ku përpjekjet në energjitikë vlerësohen si të suksesshme”, ka thënë Rama.

Sipas tij, ky është ndryshimi mes qeverisë aktuale dhe qeverisë së shkuar, “gjatë të cilës pati rritje të varfërisë, përfshirë varfërinë e skajshme”.

“Referuar Shqipërisë, Banka Botërore thotë: Ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet në 2015, e mbështetur nga investimet private dhe eksportet neto. Raporti thotë se, investimet private do të vazhdojnë të jenë kontribues kryesor në prodhimin e brendshëm kombëtar. Raporti thotë se defiçiti tregtar u shkurtua falë rritjes së eksporteve dhe rënies së importeve”, ka thënë Rama.

Sipas tij, ky është fillimi i ndryshimit përmbajtësor të modelit ekonomik. “Po kalojmë nga një model ekonomik i shterruar si ai i juaji në një model që ofron zhvillim dhe punësim real”, ka shtuar kreu i qeverisë.

“Jeni një parti pa lidership, pa program dhe ju ka mbetur ora aty kur shqiptarët ju hodhën nga karrikja”, u ka thënë Rama deputetëve të opozitës.

Ai u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës lidhur me aferën e CEZ. “Kujt i kërkoni llogari ju, që nga 2007 në gusht 2013 e zhytët kompaninë në 1 miliard borxhe? Kujt i kërkoni llogari ju që u thatë shqiptarëve: të vjedhësh energjinë është e drejtë njerëzore? Që kjo është një aferë e madhe, është. Por ju nuk jeni në pozicionin për të akuzuar askënd dhe unë shpresoj të jeni në bankën e të akuzuarve për atë që i ndodhi sektorit energjitik gjatë qeverisjes tuaj, duke filluar që nga privatizimi e deri tek pazaret e ngritura, ato të prishura dhe përzënia me policë e pronarëve të ligjshëm të kompanisë”, ka thënë Rama.

“Marrëveshja me CEZ ishte një shpëtim në planin financiar, ekonomik dhe politik të Shqipërisë. Përfaqësuesi i Sekretariatit të Energjisë e tha qartë, se Shqipëria do të ishte një simbol turpi nëse nuk do ta bëntë këtë marrëveshje”, ka shtuar Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.