Kryeartikull

Korrupsioni dhe Morali

Nga Ilir Hashorva

Duke përdorur një shprehje matematike, mund të themi se korrupsioni dhe morali kanë korrelacion negativ: kur ulet njëri, ngrihet tjetri; kur ulet morali, korrupsioni ngrihet. Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, një pedagog i Fakultetit Juridik, për të kaluar një student në dy provime, kërkoi dhe mori prej tij 500 euro. Një turp i shumëfishtë, së pari, sepse pedagogu ishte jurist dhe, së dyti, se ishte arsimtar.

Në një vend normal, në çast ministri i Drejtësisë do të ndiente përgjegjësi dhe do të jepte dorëheqjen dhe, po ashtu, edhe ministri i Arsimit. Por vendi ynë nuk është normal dhe të dy ministrat vazhduan punën, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Po ashtu, opinioni publik, që mund të dëgjohet përmes shtypit, heshti. Heshti ose sepse skandale të tilla tashmë konsiderohen si ngjarje të rëndomta prej të cilave jemi imunizuar dhe nuk na bëjnë përshtypje ose sepse nuk arrin të kuptojë pasojat e tyre.

Pedagogu i Universitetit të Shkodrës mund të jetë një jurist i përkryer, një profesionist i mbaruar, por profesionalizmi i tij, edhe nëse e ka, me sjelljen që bën, jo vetëm që nuk shërben, por dëmton. Një pedagog i drejtësisë që shet provimin, bën dy herë krim: së pari, sepse i prish moralin një studenti, një njeriu të së ardhshmes dhe, së dyti, sepse ai student, që nesër do të bëhet jurist dhe do të gjykojë të tjerët, edhe sikur të dojë, do të jetë krejt i paaftë për të gjykuar mirë e drejtë.

***

Kur shahisti Gari Kasparov vizitoi Tiranën dhe u prit me nderime të mëdha nga zyrtarë të lartë, e ku u bënë dhe deklarata të bujshme që i harrojmë që të nesërmen, aty për aty u vendos që loja e shahut të përfshihet në programet shkollore. Për këtë, në një shkrim, theksoja se në shkollat tona, për kushtet ku ndodhemi, duhen vënë, përveç të tjerave, jo shahu, por lëndë të tilla, si edukata morale dhe ajo qytetare. Shkrimi u përkrah, por edhe u kritikua.

Ka një mendim dominues aktualisht në shoqërinë tonë: “të ngrihemi profesionalisht”, sepse “ashtu përparojmë dhe përfitojmë”, të tjerat nuk kanë rëndësi. Por, siç thotë Ajnshtajni, pa moral nuk ngrihemi dot as profesionalisht, sepse “cilësitë morale të personaliteteve të shquara janë shumë më të rëndësishme se arritjet e tyre intelektuale. Madje, edhe arritjet intelektuale janë të varura më shumë nga ç’mendohet prej karakterit të personit”.

Sot, meqë kemi një rast të pastër korrupsioni, si pasojë e një morali të dobët shoqëror, po sqaroj pse mendoj që edukimi moral i njerëzve është i një rëndësie të dorës së parë, sidomos duke pasur parasysh edhe se vendet më të pastra moralisht, vendet më pak të korruptuara, janë edhe vendet më të zhvilluara e më të lumtura të botës dhe se vendet më të korruptuara janë edhe vendet më të prapambetura e më të zymta të botës.

Sipas Transparency International (TI), korrupsioni është një problem për të gjitha vendet, ndonëse jo njëlloj për të gjitha, madje me ndryshime të mëdha dhe ka të bëjë me ryshfetin, me mosdënimin e të korruptuarve, me marrëveshjet e fshehta midis atyre që kanë në dorë fatet e vendit etj. Korrupsioni jo vetëm që shkakton vjedhjen e të ardhurave të pjesës më të lëndueshme të popullsisë, por minon drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe dëmton besimin publik mbi qeverinë dhe udhëheqësit e saj.

Po sipas TI, në vitin 2014, ndër 174 vende të botës, vendet e para për mungesë korrupsioni i zinin këto shtatë shtete: Danimarka, Zelanda e Re, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Zvicra, Singapori. Këto janë njëkohësisht edhe nga vendet më të zhvilluara, më të pasura dhe më të lumtura të botës. Shqipëria në atë renditje zinte vendin e njëqind e dhjetë, pra shumë poshtë mesatares botërore.

***

Për moralin në Korenë e Jugut, por dhe në Japoni, para se të bëheshin vende të zhvilluara, patën kujdes ngritjen morale të popullsisë së tyre dhe për këtë po tregoj dy ngjarje domethënëse e tepër të çuditshme, sidomos për ne, që kanë lidhje me moralin.

Koreja e Jugut (sipas gazetës “Financial Times”, 29.12.1997 dhe sipas BBC, 15.01.1998) është një shtet që në 50 vitet e fundit ka arritur të shtojë rreth 17 herë të ardhurat për frymë, duke arritur një nivel të lartë jetese, si dhe një prodhim global të konsiderueshëm.

Në disa degë prodhimi ajo është udhëheqëse botërore. Kohët e fundit, për shkak të disa të metave të politikës së saj ekonomike e financiare (është fjala për vitet 1997-1998), sidomos në investimet e huaja në ekonominë e saj, politikë që pasi i siguroi Koresë një prodhim, bollëk dhe fitim të jashtëzakonshëm për gjysmë shekulli, e hodhi sot në një krizë të përgjithshme monetare.

Koreja e Jugut iu drejtua disa organizmave financiarë botërorë si FMN-ja dhe BB-ja për ndihmë. Por ç’ndodhi? Populli korean e ndjeu veten të fyer që qeveria e tij iu drejtua organizmave ndërkombëtarë për ndihmë financiare. Ai e konsideroi këtë si “turp kombëtar” që duhej shlyer me kontributin e të gjithë popullit. Kështu, populli vendosi të ndihmonte shtetin e tij me çdo gjë të çmuar që kishte.

U hapën kudo qendra të pranimit të kontributeve të qytetarëve. Njerëzit zunë radhën në këto qendra për të dorëzuar te shteti, tek i cili, natyrisht, kishin besim të plotë, sendet e vyera që kishin: gratë e vajzat dorëzuan bizhuteritë, sendet e zbukurimit apo ato që marrin vlera të shenjta kur kalojnë nga një brez te tjetri apo kur dhurohen nga një njeri i dashur; sportistët dorëzuan kupat dhe medaljet e arta, trofetë dhe suveniret e ndryshme; biznesmenët e të moshuarit dorëzuan çelësat e artë, simbole koreane të suksesit ose të jetëgjatësisë.

Japonia (sipas gazetës “Corriere della Sera”, 14.12.1997), ky vend, i ngritur mbi katër ishuj relativisht të vegjël shkëmborë, pa asnjë pasuri natyrore, me një dendësi të madhe popullsie, zë vendin e tretë në botë për prodhim të përgjithshëm dhe është udhëheqës botëror në shumë degë të teknologjisë e të kërkimit shkencor. Popullsia e tij është tepër nacionaliste e tradicionaliste.

Ai vend vetëm në shekullin e kaluar u hap ndaj botës. Tregimi që po japim dëshmon për një veçanti në moral që mund të jetë shkak për një mori të tjera dallimesh me rëndësi kundrejt popujve të tjerë, që ndikojnë pastaj në zhvillimin e atij vendi dhe të atij populli. Ky tregim i vërtetë dëshmon për një popull që nuk e njeh dhe nuk e pranon hilen, mashtrimin, dredhinë, frikën, egoizmin, madje i lufton rreptë ato.

***

Në vitin 1939, vdiq në Japoni me zemër të thyer, tepër i dëshpëruar nga përbuzja dhe braktisja, Masabuni Hosono. Ishte i vetmi burrë japonez që u ndodh në të famshmin “Titanik” dhe shpëtoi nga vdekja natën e vitit 1912, kur bashkë me anijen, u mbytën dhe rreth 1500 pasagjerë.

Në një nga varkat e fundit të shpëtimit që lëshoi “Titaniku”, pasi zunë vend gratë dhe fëmijët, ngelën edhe dy vende bosh. Marinari që drejtonte varkën kërkoi që të ziheshin edhe ato dy vende. Një burrë u hodh i pari dhe zuri një nga vendet. Hosono, japonezi, u hodh i dyti dhe zuri vendin e fundit të lirë. Japonezi shpëtoi së bashku me 705 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë. Një gazetë amerikane e kohës shkroi për këtë ngjarje artikullin “Japonezi me fat”.

Ai japonez u bë në Japoni një nga më fatzinjtë. Sipas moralit japonez, ai vërtet shpëtoi jetën, por humbi nderin dhe jeta pa nder nuk i duhej kujt. Hosono nuk iu shmang dot për gjithë jetën përbuzjes së popullit dhe të afërmve të tij.

Ata nuk e falën kurrë atë, sepse, duke qenë burrë, kishte shpëtuar jetën e tij, e cila u takonte vetëm grave dhe fëmijëve. Ai kishte tradhtuar sensin japonez të nderit. Ai për ta ishte bërë shembull i gjallë i një sjelljeje të poshtër, një sjellje frikacaku e egoisti, që nuk do ta pranonte asnjë japonez tjetër.

Me shpëtimin që siguroi duke u hedhur në varkën e shpëtimit, ai tradhtoi shpirtin e vetësakrifikimit që dallonte një “samuraji japonez” dhe që i jepte atij një vend nderi mbi atë të një njeriu të zakonshëm. Kur Hosono vdiq në vitin 1939, ishte kthyer në një njeri krejtësisht të dërrmuar. Edhe familja e tij ndihej e turpëruar për atë që kishte bërë ai: për mbijetesën e tij “të turpshme”.

E pra, me popuj të edukuar në masë me moral, etikë e atdhedashuri si këta që përmendëm, vendi mund të bëjë çudira. Janë rregulla të shkruara e të pashkruara, por të zbatuara, etike e morale, të vendosura nga filozofë, moralistë e nga vetë shteti që përpunojnë moralisht mendësinë e njerëzve dhe që bëhen shkak më pas për shumë veprime të tjera me rëndësi të dorës së parë në zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të një populli dhe që e bëjnë atë të zërë një vend nderi midis popujve të tjerë të botës.

Kur sugjeroja që në shkollat tona të rivihej si lëndë mësimore morali, ashtu siç kishte qenë dikur, dhe duhet të pranojmë që të parët tanë kanë qenë me moral shumë më të ngritur se ne, fëmijët e tyre, nuk pretendoja se ai do të ndryshonte gjendjen plotësisht dhe menjëherë.

Ajo lëndë do të ndihmonte natyrisht, por janë edhe plot mekanizma të tjerë që ka në dorë shoqëria dhe shteti, të cilat duhen vënë në lëvizje, në mënyrë që gjendja të ndryshojë.

Por vendosja e asaj lënde do të tregonte, të paktën, se kemi një problem dhe se duam të ndryshojmë, se duam të bëhemi më të mirë, se duam të bëhemi më të moralshëm, se duam të dimë të dallojmë të mirën nga e keqja, gjë që sot edhe këtë e kemi vështirë ta bëjmë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button