Home / Arte / Ekspozita / Lutemi uleni kokën – këtu po hyni në një botë tjetër!

Lutemi uleni kokën – këtu po hyni në një botë tjetër!

Bujar Luca rivjen në Tiranë, në vendin ku lindi, ku njohu dashuritë dhe ngjizi dalëngadalë, por me konsekuencë, talentin e tij për artin, në fillim në auditorët e Institutit të Lartë të Arteve të Bukura, pastaj në atelietë e Kinostudios dhe ato qindra atelie natyrore, ku sheshet e xhirimit i dhanë shumëçka për vizionin e tij mbi njeriun dhe botën. Vjen të ekspozojë një projekt që e ka treguar tashmë në qytetin Bar Le Duc, në galerinë L’Expo të Paris Habitat e së fundi në galerinë Rhinoceros & Cie po ne Paris, – krijesën e tij të quajtur “Black Box“, një emërtim anglofon edhe pse ai është një frankofon i përsosur dhe shkruan e boton në frëngjisht. Vjen të rivendosë në Galerinë Kombëtare të Arteve atë “Kuti të Zezë”, ku vibrojnë 1825 vizatime të tij dhe që në unisonin e tyre na japin atmosferën dhe imazhet e një bote sa të nëndheshme aq dhe reale, imazhe të përjetuara nga artisti në vitet totalitare, të një shoqërie të linçuar midis etjes së lirisë, dhunës dhe shpresës së fundme. Një kaleidoskop gjigant ku duhet të përqendrohesh dhe të udhëtosh në itinerare që nuk i ke ndeshur më parë, rrugëtime mes grafikave e vizatimeve, përmes personazhesh të abstraguar, duke u ngjitur në shkallë e duke zbritur për të prekur drejtpërdrejt katakombet apo “tunelin” e Platonit, ku figurat e tjetërsuara nuk mund të dalin në dritën që shfaqet tutje, pasi dalja në diell është verbuese, vrasëse, asgjësuese. Sigurisht, që të mishëroje një “Black Box“, një botë si ajo që së largu Dante na e përshkruante me një forcë të jashtëzakonshme, kjo është sa një gjetje e mrekullueshme konceptuale e po aq dhe e vështirë për t’u mishëruar në kompleksitetin e vet, në potpurinë e figurave, ngjarjeve, dhimbjeve, klithmave, të një shoqërie në diktaturë. Ja pse abstragimit grafik i shtohen elemente figurative, figura njerëzore, portrete, litarë, trekëndësha, dritare, shkallë, që në një simbiozë artistike, piktori të flasë përmes shkrimit të tij, pasi në fund të fundit, në këtë dorëshkrim gjithçka është metaforë, simbol, elips, pasi mjafton të japë një detaj, që ne të kuptojmë atë çka fshihet pas saj, të tërën. Sidoqoftë, disa elemente që përsëriten aty-këtu, në ndërlidhjen e tyre të pashmangshme, tregojnë piketa, tema, variacione mbi temën, duke i mëshuar gjithnjë idesë thelbësore, shtyllës vertebrale të këtij ndërtimi modern sa abstrakt aq dhe realist, pasi nga dëshmia e tij ne arrijmë të deshifrojmë jetën e jetuar në atë epokë, madje dhe ai që nuk e ka jetuar, gjeneratat e post-diktaturës e po ashtu dhe ata perëndimorë të kontinentit të Lirisë dhe të së Drejtës. Pra ne zbulojmë në të ciklin e të varurve, të kryqit, të shenjtëve të ndaluar, të shkallëve, të trungjeve, të varreve apo autopsisë. Me temën e autopsisë, Luca duket të risjellë vitet e tij studentore në Tiranë, ku studimi i anatomisë nuk kishte asgjë të frikshme, siç e pohon dhe ai, para një trupi të panjohur, të shtrirë si në një tablo të Rembrandt, për të njohur kështu linjat trupore, ligamentet, thelbin njerëzor apo dekadencën, çka aq bukur i ka dhënë shumë më parë në vizatimet e tij Leonardo Da Vinçi. Por studimi i anatomisë i shërben tashmë atij për të shprehur një simbolikë sociale, politike, për të na dhënë një autopsi sistemi, ku kockat kanë mbetur në statikën e revoltës, e përpëlitjes e sforcos së madhe për të larguar trusnitë e mëdha, shtypëse e barbare të një pushteti. Është një revoltë e tërë që vjen nga të katër anët edhe pse të rrethuar (“Do të çajmë bllokadën imperialisto-revizioniste” thoshte Diktatori – vetë “Mesia”), revoltë që vjen nga qenie dhe objekte, njerëz dhe shenjtë të cilëve ata u përgjërohen në heshtje, në një ndeshje të gjatë, të lodhshme, gjithë teha thikash-gjemba gjigante që ngulen dhe pikërisht aty është dhe ajo që thotë artisti: “Beteja… lufta e dorës time me syrin…”, pasi syri i tij nuk i ka harruar imazhet e së kaluarës, syri ka regjistruar si në një “camera obscura” imazhet e robërisë, të frikës, të përçmimit dhe të linçimit të lirisë… ndërsa dora e tij vizaton shkallaren që i ngjitet qiellit, “shkallaren e Jacob-it”. Por ndryshe nga Jacob-i, Luca prekte lirinë e ëndërruar… Kur qëndron në mes të “Black Box” rrethuar nga ajo mori e pafund vizatimesh ku janë dashur vite për t’i krijuar dhe hedh një vështrim panoramik, publiku i zakonshëm pikas se këto vizatime mbështeten tek njëra-tjetra pa pasur nevojë lidhjesh, urash, pasi elementet përvijojnë vetë, ajo që i lidh është stili, gjetja. Dhe ai e kupton se është përpara një procedimi piktural sa të menduar gjatë aq dhe instinktiv, pasi aty është gjesti, semantika e lëvizjes, vizatimi i hedhur, i cili nuk fshihet më; është i vërtetë, i dalë drejtpërdrejtë nga një subkoshiencë që piktori e kontrollon shpejt. Çuditesh më pak po të ndjekësh nga afër sesi ky piktor i formuar në shkollën e realizmit socialist kaloi nga arti figurativ në një art pothuaj abstrakt dhe xhestual. Kjo shpjegohet me faktin se Bujar Luca, që pas mbarimit të Arteve të Bukura gjithmonë ka kërkuar forma të reja shprehëse për të përkthyer realitetin. Ne vitin 1989, në Tiranë, në ekspozitën e tij të parë vetjake, ne konstatonim tashmë penelatat e tij xhestuale dhe tendencat për të krijuar një vepër bashkëkohore, larg leksioneve të realizmit socialist. Me të mbërritur në Paris, konstatimi nga afër i artit e bëri Bujarin të reflektojë mbi mundësitë e tij shprehëse. Zbulimi vetjak erdhi si fryt kërkimesh i bashkuar me rastësinë. Bujari tregon se duke punuar mbi tablo të dimensioneve të mëdha drejtpërdrejt në dysheme, lëvizjet e tij bëheshin më të lira dhe ky konstatim e lejoi të insistonte në këtë drejtim. Sigurisht iu deshën vite dhe pikturat e tij të para në këtë stil u dukën në vitin 1993-1994. “Tema në fund të fundit për mua bëhet një lloj preteksti”, – thotë Bujari.

Epigrafi imazhesh

Gjithë këto vizatime përbëjnë në vetvete një dorëshkrim shumëplanësh që ndryshe nga ato të skribëve në “scritoria”-t mesjetare, me fjalë e imazhe në pergamenë të purpurt, me penën e hollë shpesh në të zezë apo në variacione të kafesë, piktori ndërton librin e tij, një lloj kodiku modern, ku në plan të parë të bien në sy telat me gjemba, që janë një refren i kobshëm që nga kurora me gjemba e Jezuit tek gjembat e rrethimit totalitar shqiptar apo të Lindjes europiane, temë rreth së cilës ai ka punuar që në fillimet e idesë së “Black Box”dhjetë vjet më parë, ashtu dhe në cikle të tjera jashtë saj, në seri tablosh të mëdha si triptiku “Kufiri” treguar në ekspozita të ndryshme, veç të tjerash dhe në Sucy-en-Brie pranë Parisit. E pikërisht në këtë atmosferë, ne përvijojmë atë “kalim të nëndheshëm” të këtyre figurave ku spikat vuajtja ekstreme. Pikërisht në “Black Box” na shfaqen imazhet e shenjtorëve si Saint Sebastian apo Saint Baptiste. “Ishte Saint Sebastian, një nga figurat e Kristianizmit që, për rezistencën e tij ndaj vdekjes, më ka ngacmuar në mënyrë të veçantë”. Gjembat që kanë zëvendësuar shigjetat në ikonografinë e Bujarit kthehen në simbol jete që i reziston vdekjes; bëhen një mburojë. Duke rrugëtuar në këtë “dorëshkrim” ja ku shfaqet dhe tema e martirizimit të 300 kristianëve, një referencë e ngacmuar nga Dürer, por e interpretuar këtu me të tjera mjete. Dhe në vijim të kësaj, trekëndëshat, litarët, çka na sjellin ehot e vargjeve të François Villon, poeti që donin ta varnin në mes të kryeqytetit. Çdo vizatim ka diçka për të thënë, është një fjalë-imazh që së bashku përbëjnë dorëshkrimin e madh, duke na sjellë kështu një dëshmi, një epokë, që nuk mund të shpjegohej vetëm me disa vizatime, një epokë që padyshim do të përvijojë të trajtohet nga ai në mënyra të reja si në serinë “Kurora me gjemba”, ku dhe telajot kanë formë rrethore… Kur hyn në “Black Box” duhet të kalosh një portë, një hark, një hyrje sa reale aq dhe imagjinare drejt një bote tjetër. Dhe duke biseduar me Lucën, ne kujtojmë kështjellën hijerëndë të Porto-Palermos në brigjet e Jonit, atë kështjellë të vjetër të pashait të Janinës që diktatura e ktheu në burg e kamp internimi, si të ishte një “Tour de Bélem- burg” buzë Atlantikut. Pikërisht aty kishte një hyrje të tillë, një hark të rëndë guri, si një hyrje drejt kalvarit. Duhej të ulje kokën dhe të zbrisje përmes errësirës, poshtë, aty ku shpejt syri mësohej dhe arrinte të deshifronte atë hapësirë plot korridore, të ndriçuar nga një e hapur lart nga hynte drita e diellit dhe ku shihej vetëm qiell. Ne nuk i kemi parë të burgosurit, të internuarit. Ne kemi takuar disa syresh në ditët e tyre të lirisë. Në kështjellën e zbrazët kemi parë veç vizatime, emra dhe data të gërvishtura në mure, mesazhe të një kohë për një kohë tjetër. Dhe kështu, tek “fortesa” e “Black Box” janë dhe imazhet e Porto Palermos që zgjohen, që godasin dhe ku me një efekt të çuditshëm, këto vizatime shfaqen në një lloj dubël-ekspozicioni me atë botë të nëndheshme por ku ne nuk e dëgjojmë më zhurmën e detit, dallgët, stuhitë, zgalemat, ashtu siç i dëgjonin ata që nuk mundën ta shohin atë det…

Remineshenca

Reminishencat te Bujar Luca dhe pikërisht në këto vepra që po i ekspozon para publikut shqiptar janë më shumë referenca të padukshme në publik, por që janë ndriçime të kujtesës së tij nga kultura e madhe pikturale që ka, ku shpesh, në skicë gjestuale ka një “asosiasion” të një vepre arti të krijuar tashmë nga gjenitë e mëdhenj të pikturës, figura që na risjellin ehot e një tabloje të Dürer, të një Rembrandt (me figurën e Shën Jeronimit) të një Granache, Carpaccio apo Poussin (me temën e pasqyrës, e lidhur me mitin e Narcisit), gjenitë e shekujve të kaluar që i jepnin ngasje në artin e tij të përditshëm, ngasje që e shtyjnë më tej, në variacionet e pafund të artit… Padyshim, kjo ekspozitë e Lucës në Tiranë, vë në dukje se artisti shqiptar, edhe në largësi të trojeve të veta, e ka mbartur thellë mishit dhe gjakut të tij historinë që e lidh me tokën e lindjes, histori që ai na e bën të dukshme në një mënyrë personale pa treguar një histori ose historira. Pra, ju lutem, ulini kokat kur të kaloni nën portikun e kësaj bote që ngjiz brenda “Black Box“…

Nga Luan Rama

Leave a Reply

Your email address will not be published.