Home / Kosova / Tahiri në Mitrovicë: Ura e Ibrit do të lirohet nga pengesat

Tahiri në Mitrovicë: Ura e Ibrit do të lirohet nga pengesat

Tahiri-ne-Mitrovice-466x350Zv/kryeministrja në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, siguroi qytetaret e Mitrovicës se “Ura e Ibrit do të lirohet nga pengesat shumë shpejt dhe do t’u jepet fund barrikadave”.

“Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar që përmes dialogut të Brukselit t’i jap zgjidhje këtij problemi si dhe në rast të provokimeve të reja do të veprohet me fuqinë e ligjit”, citohet ajo në njoftimin e dërguar nga zyra e shtypit e qeverisë kosovare.
Tahiri vizitoi Mitrovicën, ku u prit nga kryetari i komunës jugore me shumicë shqiptare, Agim Bahtiri, e pastaj së bashku kaluan urën dhe në kafenenë Dolce Vita në veri të qytetit, me shumicë serbe, vazhduan bisedën për zgjidhjen e çështjes së barrikadave, të ashtuquajturit “parku i paqes” dhe pengesave të tjera, që janë bërë kohët e fundit.
Bëhet e ditur se, kjo vizitë dje në pjesën veriore të Mitrovicës u bë në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës për heqjen e barrikadave që do të mbahet në Bruksel në 22 korrik.
Në 11 korrik, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Baroneshës Catherine Ashton, zv/kryeministrja Edita Tahiri, njëkohësisht kryenegociatore për implementim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE ka marrë pjesë në takimin në Bruksel për çështjen e heqjes së barrikadave në Mitrovicë.
Në Bruksel, nga ana e Beogradit ishte shefi i zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, por pala e Prishtinës njoftoi se kishte vetëm takime bilaterale me BE-në. Po ashtu u bë e ditur se, “pas shumë orë bisedimesh nuk pati rezultate konkerete, përveç pajtimit për moratorium për veprime destruktive e të paligjshme dhe pajtimit për një takim tjetër në 22 korrik”.
Në njoftimin e dërguar të zyrës së shtypit të komunës jugore jepen detaje të vizitës në Mitrovicë, ku thuhet se pas qëndrimit për pak minuta në cepin verior të urës, zv/kryeministrja Tahiri dhe kryetari Bahtiri, kanë kaluar rrugën kryesore në veri të lumit Ibër dhe kanë hyrë në kefenenë Dolce Vita, ku kanë qëndruar për rreth 30 minuta.

Leave a Reply

%d bloggers like this: