Te ndryshme

Oslo do të ndalojë qarkullimin e makinave në qendrat e qytetit

Kryeqyteti norvegjez planifikon të ndalojë të gjitha makinat të qarkullojnë në qendrat e qytetit, duke ia nisur nga viti 2019. Do të ndërtojë gjithashtu më shumë se 56 km rrugë për biçiklistët deri në vitin 2019 dhe do të investojë shumë në transportin publik 

Oslo planifikon të ndalojë të gjitha makinat të qarkullojnë në qendrat e qytetit në një rreze të konsiderueshme, duke ia nisur nga viti 2019, bëri të ditur agjencia Reuters, dy ditë më parë. Do të ndërtojë gjithashtu më shumë se 35 milje rrugë për biçiklistët deri në vitin 2019 dhe do të investojë shumë në transportin publik.

Ndalimi në fjalë do të prekë 350,000 – apo afërsisht këtë numër – të pronarëve të makinave në kryeqytetin norvegjez. Ndalimi i qarkullimit të makinave që do të aplikojë Bashkia e Oslos, është edhe më i madhi i tij në llojin e vet, thotë Paul Steely White, drejtori ekzekutiv i Alternativave të Trasportit, një organizatë që mbështeti edhe iniciativën “New York City’s City Bikes” dhe që avokon për qytetet e çliruara nga makinat.

“Fakti se Oslo po lëviz përpara kaq shpejt, është inkurajues, dhe unë mendoj se do të jetë frymëzuese nëse këto nisma do të kenë sukses”, tha ai për portalin “Tech Insider”.

Ndalimi i makinave në Oslo do të reduktojë ndotjen e ajrit dhe do ta bëjë qytetin më të sigurt për ata që zgjedhin të lëvizin pa makina.

“Ne duam ta bëjmë atë më të mirë për këmbësorët, biçiklistët. Do të jetë më mirë edhe për dyqanet e çdokënd tjetër”, thotë Lan Marie Nguyen Berg, negociatorja kryesore për Partinë e Gjelbër në Oslo, sipas Reuters.

Precedentët e mëparshëm

Madridi vendosi një precedent të tillë të ngjashëm vitin e shkuar, kur bashkia njoftoi plane ambicioze për të “përzënë” makinat e veturat tërësisht deri në 2020. Plani i Madridit, i cili është një qytet më i madh se Oslo, do të mbulojë 500 akra (e barabartë me 2.023.428 metër katrorë) të qytetit. Qytete të tjera europiane kanë punuar drejt objektivave të ngjashme, por jo në këtë shkallë dhe këtë ritëm.

Parisi, për shembull, ndaloi makinat nga sheshet e vendet e tij më të mëdha publike, siç janë Kulla Eiffel dhe Katedralja “Notre Dame”, muajin e kaluar. Në një rast tjetër, nëse qytetarët në Milano do të braktisnin në shtëpi makinat e tyre, qeveria lokale tha se do t’i shpërblente ata me bonuse në transportin publik.

Kopenhaga ka aplikuar zonat e lira për këmbësorët qysh në vitet 1960, dhe zonat pa makina dalëngadalë u shtuan përgjatë një gjysmëshekulli.

Ndryshim në mentalitet

“Ndalimi që Oslo po u bën makinave do të shënojë një lëvizje të rëndësishme në mënyrën tonë të të menduarit mbi makinat”, thotë White. Kur qytetet të heqin dorë nga transporti privat, ata mund ta ripërcaktojnë atë hapësirë për parqet publike, trotuaret dhe kafenetë.

Problemet e krijuara nga makinat janë të shumta. Një numër prej 150 milionë amerikanësh — rreth gjysma e vendit — jetojnë në zona që nuk i arrijnë standardet federale të cilësisë së ajrit. Makinat prodhojnë shumicën e kësaj ndotjeje në monoksid karboni dhe oksidit të nitrogjenit.

Shembulli i keq londinez

Trafiku në Londër sot lëviz më ngadalë se sa mesatarja e një biçiklisti, dhe shoferët në Britaninë e Madhe harxhojnë 106 ditë nga jeta e tyre duke kërkuar një vend për parkim. Shoferët në Los Anxhelos shpenzojnë 90 orë në vit në trafik.

Veç ndotjes së ajrit, makinat faktikisht janë mënyra më pak eficente për të lëvizur në një qytet. Ndalimi i makinave mund ta zgjidhë këtë problem.

“Duke pasur makina brenda një qendre të një qyteti të mbipopulluar, është njësoj me vënien e një tavoline të madhe ngrënieje në një dhomë të një apartamenti të vogël”, thotë White. “Në hapësirën që zë një vendparkim makinash, mund të parkohen 15 biçikleta”.

White parashikon se edhe në SHBA do të çelen zona të mëdha pa makina. “Ngaqë Oslo po ecën përpara në këtë aspekt me një axhendë kaq agresive e këmbëngulëse, bota do të shohë së bashku me ne tashmë se çfarë do të ndodhë”, thotë ai. Për të ndjekur ecurinë e Oslos, White tha se qytete të tjera kanë nevojë të projektojnë më shumë linja rrugore për biçilistët, trotuare, të vënë në dispozicion më shumë autobusë, e për metropolet e mëdha, edhe më shumë linja metroje. Opsione të tilla do të përmirësojnë jetën e këmbësorëve e të çdokujt. “Çfarë vepre e madhe humane dhe e mrekullueshme: të jesh në gjendje të ecësh në rrugë dhe të ndjesh se je një qytetar i klasit të parë”, thotë White.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button