Libri

Anatomia e best sellerave

“A ekziston një kuti e zezë e bestsellerit? A e dimë sekretin e fatit të saj?” Kjo është pyetja që hap librin e fundit të Stefano Calabrese-s, “Anatomia e bestsellerit. Nga se përbëhen romanet e suksesshme” (Roma-Bari, Laterza, 2015, faqe 181). Studimi merr shkas nga një “evidencë”, e regjistruar nga hulumtime të tregut, por edhe nga kërkime sociologjike: rritja pothuajse e beftë (si edhe e padëgjuar) e shitjeve e regjistruar nga bestsellerët bashkëkohorë; bestseller që, në garën e botimeve, janë vërtet globalë, përshkojnë vende, por edhe kode, gjuhë dhe media të ndryshme. Bëhet fjalë për një “nevojë për narrativën” në rritje, të përhapur në shoqërinë bashkëkohore, që përkthehet në një ndryshim vendimtar të zakoneve, të numrit dhe të fizionomisë së lexuesve të erës globale. Leximi pra, leximi i librit në letër, duket se po bëhet praktikë gjithnjë e më e përhapur, deri në kufijtë e “varësisë” psikologjike dhe kjo pikërisht në shoqërinë e dixhitales, të mbizotërimit të imazhit, të shpejtësisë dhe të pandërmjetësisë. Është pothuajse një sfidë apo një provokim kundër vdekjeve apokaliptike të romanit dhe të letrës së shtypur, të shpallura nga nostalgjikë, poetë të rreptë të erës post-Gutenberg. Nëse nuk mund të vihet në dyshim që letërsia “e lartë” i lë vendin asaj të konsumit, është gjithashtu e vërtetë që bestsellerët globalë regjistrojnë rekorde historike shitjesh dhe arkëtimesh.
Larg keqardhjes për regresin progresiv të leximit të “klasikëve” të kanonizuar aq mirë nga manifesti shumë i njohur i Calvino-s i 1981-shit (me shije foskoliane). Calabrese përqendrohet në kuptimin aspak asnjanës dhe të çliruar nga paragjykimet e këtij “fenomeni” të ri. Studiues tashmë i shëtitur në këto territore të rrezikshme hulumtimi, i mësuar me administrimin e lëndës përvëluese të bashkëkohësisë me instrumente të nxjerra nga shkencat humane, si edhe nga neuroshkencat, sidomos ndër të parët që thellon temën e leximit në epokën dixhitale. Calabrese analizon letërsinë e konsumit, narracionet përveç romaneve, historitë bashkëkohore që e tërheqin lexuesin, në një vështrim gjithnjë e më të gjerë teksti dhe historish (pikënisje, natyrisht, Segre-ja i pashmangshëm), që i kapërcen përkufizimet e gjinisë dhe ankorohet në universin e madh të storytelling-ut. Studiues i kujdesshëm, njësoj si tekstet që heton tashmë prej dhjetëvjeçarësh, Calabrese duket se i ka të gjitha instrumentet për të administruar kaq shumë lëndë dhe për të përshkuar kufijtë disiplinorë. Profesori i komunikimit narrativ dhe semiotikës provon të lexojë, të interpretojë, si edhe të zbulojë strukturat e shkrimeve të suksesshme, në një vështrim të gjerë (të diskutuar ende prej shumë vetëve) të “fushës letrare” që e vendos me kurajë në pozicione kufitare.
Duke lënë pas shpine leximin e kryeveprave të Republikës së Letrave, Calabrese vendos t’i “ndotë duart” në magmën e padallueshme të bashkëkohësisë që pret ende sentencën manxoniane të pasardhësve. Duke iu shmangur gjykimeve mbi vlerën, vendos të kuptojë si dhe pse disa romane apo më mirë histori dhe disa narracione hasin një sukses planetar. Hyn pra, në fabrikën e një bestseller-i depërton në të fshehtat e “rasteve” të mëdha editoriale të shoqërisë globale dhe të epokës dixhitale. Ndonëse duke kremtuar “vdekjen e autorit” – në thirrje të vetë asaj kënge të përzishme që, me themele të ndryshme, formulohej që në vitet gjashtëdhjetë – rrugëtimi i Calabrese-s përparon jo me tituj apo me vepra, por pikërisht me autorë ose më mirë me ata që janë tashmë “brand name” me identitet të përhapur dhe “të shpërndarë”: Murakami, Brown, Collins, Rowling të ndjekur në akrobacitë e crossmedialiteit të teksteve (më mirë do të ishte texte) që u përkasin gjithnjë e më pak autorëve të tyre. Duke treguar kurajë dhe antiakademizëm, eseja ka një qasje provokuese që nga titujt dhe formulat. Përveç “Anatomisë së bestsellerit” të kopertinës, që nuk mund të mos sjellë në mend “klasikun” “Anatomi e kritikës” së Northrop Frye-së (Frye-ja i dashur për mësuesin e Calabrese-s, Ezio Raimondi-n), pasojnë njëri-tjetrin tituj dhe formula të denja për Rick Riordan-in dhe për “Percy Jackson”-in e tij: “romani smart”; “transromani”; “receta e suksesit: përbërësit dhe koha e pjekjes sipas Stephanie Meyer-it”. Objekt i studimit të Calabrese-s janë vetëm ato që ai i përkufizon “histori me lexueshmëri të lartë”, të zbuluara në mekanizmat e tyre strukturorë dhe në mbijetesën e tyre crossmediale: nga romani te filmi te serialët të videolojërat apo edhe rrugëtimi i kundërt. Lexuesi shoqërohet përmes rasteve të ndryshme editoriale, të gjithë gurë të mozaikut të madh të narracionit bashkëkohor dhe të tregut bashkëkohor editorial, përveçse portret i madh i lexuesit global dhe multimedial që, sot më shumë se dje, tregon se e çmon dhe pasionohet pas leximit, derisa e kupton këtë të fundit si veprim terapeutik (siç ka treguar edhe Leah Price-i), duke dalluar në leximin e trillimeve romanceske një bar të jashtëzakonshëm kundër depresionit. Nga “Kodi Da Vinçi” te saga e “Harry Potter”-it, te “Pesëdhjetë hije të grisë”, deri te seria shumë e arritur e Geronimo Stilton-it: janë triumfe botërore me përmasa të paregjistruara kurrë më parë nga asnjë kryevepër letrare. Një konfirmim i asaj që është diagnostikuar tashmë nga ekonomistët: në fakt, sipas Rolf Jensen-it, drejtorit të Copenhagen Institute for Futures Studies, shoqëritë globale kanë dhe gjithnjë e më shumë do të kenë si produkt të brendshëm bruto historitë; histori produktesh, histori individësh, histori territoresh. Në këtë peizazh të ri konsumesh kulturore (formulë tashmë e papërdorshme, por ndoshta ende e vlefshme nëse përdoret në mënyrë asnjanëse), njëra nga shtyllat mbajtëse është pikërisht “serializimi”. Serialitet dhe transkodifikim: fenomenologjia e to be continued përfshin trilogji dhe kuadrilogji, por edhe përshtatje, nga romani në film, nga fanfiction-i në roman. Pothuajse të gjithë bestsellerët bashkëkohorë kanë përbërë në fakt zinxhirë serialë ose transmedialë; një tekst “rimishërohet” në një film apo edhe në një videolojë, në rrugëtime akrobatike që udhëhiqen pa dyshim nga strategji të sakta marketingu, por edhe nga ajo që Calabrese e përkufizon “kthesë transmediale të kulturës perëndimore, një kthesë që nuk vendoset nga një grup sipërmarrësish të vëmendshëm vetëm ndaj xhiros, por nga një ndryshim shijesh dhe pritjesh: “intermedialiteti është tashmë një karakteristikë përbërëse e sistemit aktual të mjeteve të komunikimit në pikën e interseksionit midis prodhimit dhe përfitimit, nevoja tregtare dhe ambicie artistike, në mënyrë të tillë që mediat nuk duhen menduar thjesht si të pavarura dhe të kundërvëna, por si operuese mbi premisa të ndërsjella dhe ‘të linkuara’, derisa krijojnë një fluks të pakufizuar përshtatjesh”. Narracionet, pra, nuk janë më produkte të përfunduara për t’u eksportuar, por formate, korniza narrative në gjendje të bujtin histori hera-herës të ndryshme. “Teksti humbet në vendosmëri formale aq sa fiton në bashkëpjesëmarrje krijuese. Historia e treguar mbartet në të njëjtën kohë nga media të shumëfishta” në një rol të ri të lexuesit që bëhet vërtet bashkautor, si në rastet e famshme të fan fiction-it, në një bashkësi globale “fan”-ësh (“fandom”) që përcakton karakterin metis të narracioneve: “vepra e humbet qendërshmërinë e saj dhe shndërrohet në një fluks të vazhdueshëm degëzimesh ‘authorized’ ose jo nga autori, por në gjendje të kenë një jetë autonome”. Ndoshta rasti më i suksesshëm është pikërisht “Pesëdhjetë hije të grisë”, që lindi si spin off nga “Twilight”, imitim pra i Meyer-it dhe njëkohësisht edhe i vetë E. L. James-it (domethënë Erika Leonard), që imiton Meyer-in, kështu që imiton vetveten (Master of the Universe) për t’u transpozuar pastaj në filma, serialë dhe videolojëra. Në këtë crossmedialitet pa kufij, narracioni origjinal thërrmohet, duke u kufizuar të ofrojë formate hera-herës të përthyera në histori të tjera, të paracaktuara për lexues me identitet kolektiv gjithnjë e më të trazuar dhe të artikuluar. Janë prosumers-a, producentë dhe konsumatorë, sipas formulës fatlume të Henry Jenkins-it. Janë “fan”-ë, si “variant hiperbolik i lexuesit modern”, që “rivendikon të drejtën e vetëvendosjes semiotike të tekstit dhe vihet në një gjendje përparimi të pandalshëm. Nomad përveçse gjuetar pa leje, ai ushtron një produktivitet në të njëjtën kohë semiotik (shkruan tekste), social (konsolidon një format identitar), parashtrues (vepron mbi qarkullimin e kuptimeve në brendësi të bashkësisë virtuale)”. Lexuesi konfigurohet si “një textual performer (artisan i tekstualitetit) që sulmon prodhimin primar të një autori për të krijuar tekste dytësore, të afta të gjenerojnë një univers të përnjëmendtë imagjinar të ndarë”. Në gjurmët e “kutisë së zezë” apo të “gjenomës të bestsellerit global”, Calabrese gjen centralitetin – të vëzhguar edhe nga Frank Rose-ja në një studim të tijin të kohëve të fundit – e “imersivitetit”. Është një përbërës tjetër thelbësor për suksesin e bestsellerit; vepra duhet të përfshijë krejt sistemin perceptues; mundësisht në vetë të parë, narracioni duhet “të shtiret në të tashmen e leximit” siç ndodh në fatlumin Hunger Games të Collins-it apo edhe në romanet e Paulo Coelho-s, një tjetër “brand name” i madh, një nga shkrimtarët e paktë që “e gdhend autoritetin e tij në një selfie të pareshtur”. Lexuesit i pëlqen të shoqërohet në një proces imersiv që e shpie jashtë kohës dhe hapësirës së tij, por gjithnjë duke ngopur, edhe në fushën e fiction-it, atë që David Schields-i e ka dalluar si “uri për realitet” të popullit të uebit; një prirje që është prej disa vitesh tashmë objekt i një studimi më tradicional në fushën e letërsisë si “kthim në realen” e shkrimit (le të mendohet për vëllimin “Shpikja e realitetit”, i përgatitur më 1994-n nga Monica Gemelli dhe Felice Piemontese apo për vëllimin “Finksion, kronikë, realitet i përgatitur” nga Hanna Serkowska më 2011-n vetëm për të përmendur disa prej studimeve më të arrira kritike të mbledhura). Në studimin e mekanizmave të narracionit dhe të aktit të leximit, është pikërisht ai që psikologët e quajnë “mbartje narrative”: “një individ i mbartur shndërrohet në njëfarë avatari të përfshirë në vetë të parë në histori në nivel emotiv dhe njohës. Gjuha narrative nuk sillet, pra, si sistem i pastër mirroring-u, që pasqyron realitetin e jashtëm, por përbën vetë realitetin”. Përmes faqeve të esesë, mund të kuptohet se sekreti i suksesit të një rrëfimi qëndron pothuajse në formula shkencore, nëpërmjet të cilave mendja jonë proceson realitetin. Paraqitet një kufi i ri i retorikës, një shteg që fillon nga arti i të thënit dhe mbërrin deri në proceset neuronale. Zbulohet këtu, eksperti i madh i neuroretorikës, mbështetës në Itali i një kuadri studimesh aspak inovativ, që ka ardhur duke u kodifikuar në një disiplinë të vërtetë në Shtetet e Bashkuara. Ishte 2010-a, në fakt, kur revista prestigjioze “Rethoric Society Quarterly” i kushtonte një numër monografik neuroretorikës (neurorethorics), për studimin e dinamikave të komunikimit falë teknikave të reja të neuroimaging-ut. Një rrugëtim studimesh që Calabrese e ka pasuruar dhe kthyer edhe në shtratin e studimeve letrare, në përpjekjen për një integrim disiplinor të paimagjinueshëm deri para disa vitesh. Calabrese, pra, kap para të tjerëve afrimin e dy sferave, hard sciences dhe studia humanitatis, të cilat, për shkak të një lëvizjeje të beftë, do të dukej e vetvetishme dhe pothuajse tokësore, erdhën duke u afruar. I pajisur tashmë për të kuptuar “fenomenet” narrative të bashkëkohësisë, Calabrese e lexon letërsinë në sfondin e skenarëve të pabotuar. Përshkues guximtar i kufijve, ai paraqitet, për të qëndruar në temën e studimeve të tij, si hero i ri i kritikës, protagonist i një “seriali” që ai vetë po shkruan në këto vitet e fundit: nga roman pas postmodernes (2005) te vëllimi i përgatitur prej tij dhe kushtuar “Neuroarratologjisë” (2009); nga “Komunikimi narrativ”. Nga “Letërsia te përditshmëria” (2010) te “Retorika dhe shkenca neuronjohëse” (2013). Janë tituj që do të mund të shkonin në brendësi të një sage të vetme të madhe të kritikut bashkëkohor, pushtues guximtar i territoreve dhe “fushave” (për të përdorur gjuhën luftarake por edhe teorizimet e njohura të Pierre Bourdieu-së). Hero protagonist dhe do të quhej gjithnjë i mërguar, aspak i huaj ndaj ndarjes së dijeve dhe në gjendje të dialogojë me “popujt” e ndryshëm fqinjë: letrarët, neuroshkencëtarët, sociologët, por edhe të caktuarit për marketing-un. Eseja e tij e fundit është e lindura e fundit e kësaj sage magjepsëse të kritikës, që u ofrohet të caktuarve me punë, mund të kuptohet edhe si vademecum për shkrimtarë, skenaristë dhe (pse jo?) nemaxherë editorialë. Dhe është ndoshta një pasqyrë reflektimi për vetë lexuesit, prosumers-at e rinj që, nëse përparojnë pa pushim në dyluftimin trup me trup me autorët, do të gjejnë në këtë ese një pasqyrë reflektuese dhe zbuluese të procedimeve të tyre të pavetëdijshme immersive dhe të pasionit të tyre për leximin e bestsellerëve. Një lexim që u ofrohet atyre edhe si bar kundër së keqes së jetës bashkëkohore; derisa krijon një varësi sa të rrezikshme aq edhe të këndshme dhe të shëndetshme.
Përktheu Adrian Beshaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button