Home / Arte / Libri / Kristoforidhi, ky gjuhëtar hokatar

Kristoforidhi, ky gjuhëtar hokatar

Kristoforidhi, në kujtimet e Aleksandër Xhuvanit. Historia e një burri të pashëm përtej profesorit, që e deshi aq shumë shqipen

Nga Bardha Nergjoni

Aleksandër Xhuvani e quan me të drejtë Kristoforidhin babanë e gjuhës shqipe, pasi më shumë se veprat ai e ka njohur Kostandin  Kristoforidhin në vitet e fundit të jetës që ky i fundit i kaloi në vendlindje. Ai është ndër të paktët edhe që ka shkruar kujtimet e tij se si e ka njohur elbasanasin që punoi për gjuhën shqipe deri në fund të jetës së tij. Në kujtimet për gjuhëtarin e madh, një tjetër vlerë e madhe e gjuhësisë si Xhuvani tregon se si ende Kristoforidhi jepte mësim në shkollën greke, por që në fakt fëmijëve u mësonte shqip. Në përshkrimin që Xhuvani bën për Kristoforidhin sjell momente të jetës së tij të përditshme, reputacionin që kishte tek elbasanasit dhe si fiksoheshin shprehjet e famshme të gjuhëtarit nga të tjerët. Këto kujtime janë të vetmet që përshkruajnë vitet e fundit të jetës së Kristoforidhit kur ai punoi si mësues dhe më pas në Gjykatën e Elbasanit si njohës i shumë gjuhëve të huaja. Ndërsa tregon se ishte i vogël Xhuvani tregon detaje se si mësohej shqipja në shkollën greqishte. “Ja kam mrrimë Kristoforidhit kur ishte gjallë dhe un isha i vogël atëhere. E mbaj mend kur ishte mësues në shkollën greqishte të lagjes orthodhokse të Elbasanit, ijshëm nxanës i klasës së tretë të fillorës e Kristoforidhi mësonte në klasën ma të naltë, në të katërtën e në të pestën. Sikur e kam parasysh kur mësonte, por si ma tepër se greqisht mësonte shqip, se emnat, mbiemrat e foljet në greqishtet dhe lakimet e tynei bante nxanësit me i përkthye edhe shqip, thoshte p.sh. greqisht eho, ehis, ehi etj., e pastaj në shqip unë kam, ti ke, ai ka, etj. Kështu bante edhe për pjesët e tjera të ligjëratës për embat e për fjalët e tjera”.

Por Xhuvani nuk do të kujtonte vetëm këtë moment në shkollë gjuhëtarin që e deshi shumë gjuhën shqipe. “Kristoforidhi ishte një burrë i madh e i pashëm, fliste kthjellët dhe kishte një timbër të randë të zanit, por të kandshëm. Pastaj ishte i shoqnueshëm sepse ishte i gjesdisun dhe kishte pame njerëz e botë, shumë herë e pyetshin, si i thonë, për mend, dhe ai i qiste në rrugë tue ua spiegtue çashtjet që e pyetshin. Por ishte edhe hokatar e kur u plak nuk i vinte fre gojës, por fliste shpoti dhe të palara. Njerëzia e quejshin Qir Kostandini. Njiherë ndodhi që u shkëputën natën yjet në qiell: të nesmërmen pyetën Kostandinin: Qir Kostandini ç’qe ajo mbramë që ranë aq yje prej qielliti? E Kristoforidhi u përgjigj pa të keq: Zoti martoi të birin, Isanë dhe shtiu fyshekzarë nëpër qiell. Por nuk ishte agnostic. E mbaj mend që vinte shpeshë herë në kishë, hypte edhe në ambonët dhe predikonte ungjillin në shqip(se ndër ortodoksët asht e lejueshme me predikue e me mbajt ligjerata mbrenda në kishë edhe shekullarë, por njerëz të diçëm e të virtytshëm) dhe njerëzia e ndëgjojshin me gojë hapët. Kur vdiste në lagjet ndinji njeri i përmendum, vijshin Kristoforidhin me mbajt shqip ligjëratën e vorrimit, dhe ka disa copa prej këtyne ligjëratave.

Ishte plakë atëherë Kristoforidhi dhe e mbaj mend që e shihjem rrugës pazarit ose kur ecte ngadalë e shkonte në gjykatore ku ishte anëtar. Unë ishjem atëherë në klasën e tretë të qytetses greqishte dhe gjuha shqipe me librat e Naimit ishte përhapë në Elbasan dhe këndohej fshetas prej njerëzisë. Si mësues kishim nji elbasanas që ka vdekë, Tush Pinën. Ky na mbyllte mirë derën e klasës dhe na mësonte alfabetin e shqipes. Mësuem atëherë me këndue e me shkrue fshehurazi shqip pas alfabetit të Stambollit me librat e Naimit. Nxumë të përkthejmë fjalë e fraza prej greqishtes në shqipet. Një ditë tek bisedoshim me shokët mbi përkthimin e disa fjalëve prej greqishtes në shqipet, hasëm në fjalën greqisht arête (virtyt) e s’dijshim si me e përkthye. Atëherë më ngarkuen mue me e pyetë Kristoforidhin, të cilin  quejshim babaj i shqipes. E ruejta Kristoforidhin në mesditë kur dilte nga zyra. E gjeta vetëm tue ndejëe pieta si i thonë shqip fjalës greqishte arête. Mu përgjigj punë e mirë. Ne e dojshim me një fjalë dhe shkoj me e pyet përsëris e mu përgjegj nuk ka me nji fjalë. Edhe të tjera anekdota ka lanë Kristoforidhi që i përmendin pleqt deri sot. Sepse ishte bisedar e fjalambël, e ndëgjojshin me gojë hapët, kur qëllonte me bisedue në nji rreth njerëzish. Edhe kur thoshte ndonji frazë me randësi e për t’u mbajt mend e kishte zakon t’u thoshte njerëzvet që kishte pranë me e përsëritë frazën: Thueje dhe ti, thueje dhe ti, e kështu e përsëritshim me radhë frazën që thoshte ai. Por Kristoforidhi ka lanë vrragë e gjurmë të thellë në Elbasan në punë të gjuhës shqipe”.

Aleksandër Xhuvani si vazhdues i rrugës së Kristoforidhit gjithashtu  punoi në shërbim të veprës së tij duke renditur me alfabetin latin fjalorin shqip-greqisht e botuar në vitin 1904. Këtë fjalor Xhuvani e mbajti në duar për 40 vjet duke e sjellë në shqip si një pasuri e madhe e leksikut të shqipes.

Letrat e Xhuvanit për të birin e Kristoforidhit

Filip Kristoforidhi, djali i Kostandin Kristoforidhit, trashëgoi pasionin për gjuhën nga i ati. Ai jetoi në Francë derisa vdiq, pa lënë trashëgimtarë. Më poshtë po botojmë një letër që Aleksandër Xhuvani ia dërgonte Filipit, duke e falënderuar për sjelljen në Shqipëri të librit të Frank Bardhit.

Letër e Aleksandër Xhuvanit dërguar Filip Kristoforit

Tiranë, 26.X.1951

I dashuni atdhetar z. Filip

Kam përpara meje dy letra tuejat, njanën  më 14.5.57 dhe tjetrën më 28.06.57 po përgjigjem sot mbasi nuk kam qenë këtu, se s’kam shumë që erdha nga Moska, ku qeshë për pushim në nji sanatorium t’atjeshëm.

Gjeta këtu edhe librin e Frangut Bardhë që e kishit fotokopiue dhe lidhë bukur. Ju lumtë! Ju falem nderit për këtë vepër me randësi, të cilën ja dorëzova Bibliotekës sonë Kombëtare.

Fola me Vangjo Faberin për punë të pasunisë së t’ungjit tim. Ai më tha se për këtë punë do të kujdeset prapë i ati, që asht në Korçë e që do të vinte këtu në Tiranë për atë çështje. Ti shqipen e shkruen mirë, nuk ban gabime, megjithë që, si më shkruen, nuk këndon libra e gazeta shqip”, shkruan ndër të tjera Xhuvani në korespondencën me të birin e gjuhëtarit të madh që kontribuoi mjaft në ruajtjen e trashëgimisë së pasur të të atit si dhe hedh dritë në shumë detaje të jetës së Kristoforidhit të panjohura më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.