Home / Presidenciale / Nishani “shkrin akujt”, takon Nikoliç

Nishani “shkrin akujt”, takon Nikoliç

Presidenti shqiptar, takim edhe me Jahjagën: Të zbatohen marrëveshjet e Brukselit

Nikolic-1

Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po zhvillohet në Dubrovnik të Kroacisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi takime të veçanta me homologët e tij të Serbisë dhe të Kosovës. Dje paradite, Nishani zhvilloi një takim me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç. Sipas njoftimit për media, zyra e shtypit të Presidentit bën me dije se gjatë takimit u ra dakord për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushat e arsimit, kulturës, ekonomisë. Gjatë këtij takimi me homologun serb, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se pavarësisht qëndrimeve diametralisht të kundërta që ndajmë lidhur me çështjen e Kosovës, realiteti dikton bashkëpunim të fokusuar rajonal, mbi objektivin kryesor të integrimit europian. “Nën këtë frymë po zhvillohet dhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel dhe Presidenti Nishani nënvizoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton dhe asistencën e SHBA-së është shumë i rëndësishëm për të dy vendet, edhe për proceset e tyre respektive të integrimit”, – njoftoi dje Presidenca. Mësohet se Presidenti Nishani e ka shfrytëzuar këtë takim për t’i shprehur Presidentit Nikoliç solidarizimin e Shqipërisë ndaj Serbisë për përmbytjet që sollën pasoja shumë të rënda për vendin, duke shpresuar që Konferenca e Donatorëve që do të mblidhet së afërmi në Vjenë, të rezultojë e suksesshme. Gjatë ditës së djeshme, Nishani zhvilloi dhe një takim dypalësh me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, ku dy krerët e shteteve shqiptare diskutuan lidhur me bashkëpunimin dypalësh, duke shprehur kënaqësinë për arritjet që kanë shënuar të dy vendet gjatë kësaj kohe. Presidentja Jahjaga vlerësoi se statusi i vendit kandidatit për në Bashkimin Europian që iu dha Shqipërisë, ishte një inkurajim shumë i madh edhe për rajonin, e veçanërisht për Kosovën, duke nxitur përparimin në zbatimin e reformave të nevojshme si për liberalizimin e vizave, ashtu edhe për nënshkrimin e MSA-së. Ndërsa, Presidenti Nishani, e garantoi homologen e tij Jahjaga se Shqipëria do të vazhdojë të koordinojë qëndrimet në kuadër të nismave dhe organizatave shumëpalëshe ku Kosova është apo aspiron të anëtarësohet me të drejta të plota, dhe se së bashku duhet të nxisim qeveritë në të dy vendet tona të zhvillojnë projekte me impakt të drejtpërdrejtë për vendet tona, bazuar mbi këtë vullnet solid të ndërsjellë.

 Merkel

“Nuk kemi hequr dorë nga zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor”

Kancelarja Anxhela Merkel nga Dubrovniku shprehu mbështetjen e plotë të Gjermanisë për perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. “Gjermania nuk ka hequr dorë nga zgjerimi i Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjitha nivelet do të bashkëpunojmë për të çuar deri në fund perspektivën europiane të këtij rajoni”, deklaroi Merkel në përfundim të takimeve me të gjithë vendet e pranishme në Samitin e Dubrovnikut, ku të pranishëm ishin krerët e shteteve të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kancelarja gjermane theksoi se “një përparim domethënës ka treguar dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit”.

HERION MESI

Leave a Reply

Your email address will not be published.