Home / Politika / Ligji për Policinë: Deputetët, kundër shkrirjes së Gardës

Ligji për Policinë: Deputetët, kundër shkrirjes së Gardës

Deputeti i PDIU-së bën të mundur kuorumin e nevojshëm për mbledhjen e komisionit

Sajmir Tahiri

Projektligji i qeverisë “Për Policinë e Shtetit” kontestohet nga radhët e mazhorancës. Shkrirja e Gardës së Republikës që parashikohet në këtë draft ka shkaktuar reagimin e ashpër të deputetëve të PS-së dhe të LSI-së në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Parlamentarët e majtë Spartak Braho, Paulin Stërkaj, Pjerin Ndreu, Arben Çuko dhe Luan Rama dolën kundër shkrirjes së Gardës. Por, pavarësisht vërejtjeve të deputetëve të mazhorancës, Komisioni i Sigurisë miratoi me 13 vota pro në parim draftin për policinë, në një mbledhje ku kuorumi u arrit falë pranisë së deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi. Ndërsa, deputeti Rama e abstenoi projektligjin, me argumentin se duhet të dëgjojë dhe shpjegimet e ekspertëve apo të vetë ministrit në një nga mbledhjet e ardhshme të Komisionit, që siç tha ai, ky ligj të mos miratohet nxitimthi.

Tahiri

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili bëri dhe prezantimin në Komisionin e Sigurisë të projektligjit për Policinë e Shtetit u shpreh se koncepti ‘një polici një shtet’, shmang mbivendosjet e kompetencave, fenomen që shpesh është bërë shkak që fajtorët të mos përballen me drejtësinë. Sipas Tahirit, projektligji në fjalë është shtylla kurrizore e reformës në sektorin e sigurisë dhe Policisë së Shtetit dhe hedh një hap të rëndësishëm në drejtim të standardeve europiane të policimit modern. “Projektligji hedh një hap të rëndësishëm për krijimin e gjeneratës së re të Policisë së Shtetit dhe bazuar në domosdoshmërinë për të pasur rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Tahiri. Më tej ministri sqaroi edhe rolin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që parashikohet në këtë ligj, e cila siç tha ai, do të këtë ne fokus luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Ligji përcakton ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit që është konceptuar për t’i dhënë një standard të ri luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Drejtësia penale në këto tre vite ka treguar më shumë se njëherë që ka nevojë për reformim themelor. Për këtë ka nevojë për reformë themelore edhe në policinë gjyqësore dhe prokurori”, tha Tahiri, i cili për shkak të aktiviteteve të tij u largua nga Komisioni.

Kundërshtimet

Me largimin e Tahirit, do të nisnin dhe kritikat e deputetëve të mazhorancës, të cilët në mungesë të demokratëve, e bënë më së miri detyrën e opozitës. lidhur me shkrirjen e Gardës së Republikës deputeti i LSI-së, Luan Rama, duke u shprehur kundër kësaj nisme theksoi se shërbimi i policisë dhe shërbimi i Gardës së Republikës janë dy shërbime krejt të ndryshme, me misione të ndryshme, me struktura të ndryshme, dhe me cilësi shërbimi të ndryshme, personeli është i shkolluar ndryshe, dhe mënyra e funksionimit të tyre është krejt e ndryshme. “Kështu që bashkimi mekanik në një trupë të vetme, përpara se unë të shpreh qëndrimin tim do të kishte nevojë për një arsyetim më të zgjeruar dhe të detajuar nga ana e ministrit”, tha Rama. Më tej, ai kërkoi që në shqyrtimin e këtij projektligji të jenë të pranishëm në komision edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Prokurorisë, për t’u njohur nga afër me opinionin e tyre për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përse është quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit, ku PSH ka një territor të caktuar dhe veprimin e saj e ka brenda shtetit, nuk e ka në dimension kombëtar. Dhe për analogji, SHIK-ut iu ndryshua emri për t’iu përshtatur strukturës shtetërore dhe sot quhet Shërbimi Informativ Shtetëror. Do ketë dimension kombëtar kjo Byro Kombëtare e Hetimit?”, u shpreh Rama. Ndërsa, deputeti i PS-së, Paulin Stërkaj, iu referua përvojës së tij në Policinë e Shtetit dhe në Gardën e Republikës, teksa kundërshtoi me forcë shkrirjen e Gardës, pasi sipas tij, janë dy shërbime krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. “Përveçse argument politik që të shkrihet Garda e Republikës nuk po gjej asnjë argument ligjor. Mos u mundoni të cenoni një institucion të cilin as ju nuk po e dini ku e çoni. Ju keni për t’i hedhur efektivët e Gardës në rrugë”, tha Stërkaj. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe socialisti tjetër, Arben Çuko, i cili është dhe relatori i këtij projektligji. “Nuk mund të bashkosh dot misionin e Gardës së Republikës me të policisë. 90% e efektivëve të Gardës së Republikës me arsimim ushtarak”, tha Çuko. Ndërsa i “rikthyeri” në Kuvend, Pjerin Ndreu kërkoi që të hiqet neni që parashikon që nëse nuk punon në polici brenda dy vitesh të hiqet grada, pasi sipas tij, nuk është aspak ligjore. “Nuk mund të heqësh gradën se shkëputesh nga puna. Ju sistemin e gradave e keni masakër. Ligji duhet të ritrajtojë nga fillimi të gjithë efektivët për gradën. Politika e ka bërë çorap policinë”, tha Ndreu. Pas këtyre kritikave, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, garantoi se Komisioni do ta shikojë ligjin hap pas hapi dhe “nuk do nxitohemi. Kemi afat dhe 15 ditë për ligjin”, tha Braho.

Vendimi

Rrëzohet dekreti i Nishanit

“Siguria” rrëzon dekretin e Nishanit për ligjin e karrierës në FA

Në mbledhjen e djeshme, deputetët e mazhorancës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare rrëzuan dekretin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani që riktheu në Parlament projektligjin për karrierën në Forcat e Armatosura, me arsyetimin se i prekeshin kompetencat kushtetuese. Por në fjalën e tij, relatori i këtij projektligji, deputeti socialist, Piro Lutaj, e kundërshtoi me forcë këtë pretendim të kreut të shtetit.

Takimi me homologët

Byroja e Hetimit, mbështetje nga Franca e Gjermania

Me ftesë të ministrit Saimir Tahiri vizituan Shqipërinë, ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, dhe ministri i Brendshëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas de Mazière.

“Ramë dakord me të dy kolegët për të ngritur një grup specifik pune, të cilët duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht, veçanërisht për të ngritur kapacitetet e Byrosë Kombëtare të Hetimit në mënyrë që të kemi hetime efektive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Ministri gjerman për rritjen e numrit të azilkërkuesve u shpreh se “Nisur nga statistikat aktuale të deritanishme, mendoj se ky rrezik për kthimin e regjimit të vizave nuk ekziston, megjithatë ne dëshirojmë të bëjmë ç‘është e mundur për të penguar këtë lëvizje të paligjshme”.

HERION MESI

Leave a Reply

Your email address will not be published.