Home / Bota / Amerika / Siria, Kerry: Po punojmë për t’i dhënë fund ferrit

Siria, Kerry: Po punojmë për t’i dhënë fund ferrit

Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund “ferrit” në Siri, edhe duke i dhënë mbështetje rebelëve të moderuar.

Deklarata është bërë nga sekretari i Shtetit, John Kerry në prag të udhëtimit për në Vjenë, ku do të zhvillojë bisedime me ministrat e Jashtëm për t’i dhënë fund konfliktit.

Irani merr për herë të parë pjesë në bisedime të tilla, në të cilat janë përfshirë gjithashtu Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia. Rusia dhe Irani mbështesin të dy regjimin e presidentit sirian Bashar al Assad.

Shtetet e Bashkuara, Turqia, Arabia Saudite dhe një tjetër vend i Gjirit Arab insistojnë se ai nuk mund të luajë më një rol afatgjatë në të ardhmen e vendit.

Në procesin e bisedimeve do të jenë të pranishëm edhe ministrat nga Britania, Franca, Gjermania, Egjipti, Libani, etj.

“Sfida me të cilën po përballemi në Siri sot nuk është asgjë më pak se një përcaktim kursi për të dalë nga ferri. Por për të gjetur këtë rrugë nuk do të jetë e lehtë. Megjithatë, kjo është mundësia më e mirë që kemi përpara”, tha Kerry.

Ai i qëndroi pozicionit të mëparshëm të Shteteve të Bashkuara, se, asgjë nuk do të ishte më mirë për të fituar kundër Shtetit Islamik sesa një tranzicion politik që të nxjerrë jashtë loje Assad, “në mënyrë që ne të bashkojmë vendin kundër ekstremizmit”, tha Kerry.

Ndër të tjera ai la të kuptohej se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ndajnë mendime të përbashkëta, kur tha se, “të dyja palët duan një Siri të bashkuar dhe laike”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: