Opinion

Nga “të fala Sandrit” te “të fala të gjithëve nga Sandri”

Nga Arben Manaj

 Gjithçka ndodh për një arsye, thonë anglezët. Episodi me “Lagunën Blu”, ku oligarkëve u është prishur fusha e sportit si shqetësimi më i madh jetik që kanë “Tomka dhe shokët e tij”, dhe debati për ndikimet dhe influencimet e medias në politikë dhe anasjelltas, në fund të fundit, nuk e tejkalon zhargonin e shijimit të ngjalës. Dhe ngjala lidhet me Ramën dhe pushtetin e tij. Karta e tij elektorale ishte ajo e bërjes së gjërave ndryshe nga pushteti i Berishës.

Për hir të së vërtetës ka bërë jo pak gjëra që e bëjnë Shqipërinë sot të duket më e ngjashme me ato që ne i asociojmë si vendet ideale të Perëndimit, ashtu siç ka shumë gjëra të pabëra që na mbajnë ende në nivelet më të shëmtuara ballkanike.

Lufta ndaj informalitetit dhe zbatimi me forcë i të ashtuquajturit lëshim-marrje e kuponit tatimor, “inukizimi” në shumicën dërmuese i ndërtimeve pa leje apo pagimi i konsumit të energjisë elektrike e ndonjë masë tjetër, janë meritë e Ramës dhe qeverisë së tij.

Por ndërkohë që Rama u ka bërë “të fala” shumë shqiptarëve, ka harruar t’i thotë “të fala Sandrit”, njërit prej mogulëve shqiptarë të medias, që ka krijuar miniperandorinë e vet mediatike, si shumë vërsnikë të tij, edhe si kobure politike.

Modeli i Frangajt nuk është unikal shqiptar, por i kopjuar sipas variacioneve unikale shqiptare. Dhe si Frangaj janë thuajse të gjithë ata që kanë mediat e tyre, dhe kush e kush lufton ta ketë sa më mirë me pushtetin e ditës, e kur ky i fundit nuk u jep sa duhet në shkëmbim të një mbulimi të favorizuar pro qeverisë, plas xhelozia mes tyre dhe lufta brenda llojit.

Por asgjë nuk është e sinqertë dhe parimore në tërë polemikat mendjembushëse, se kush është engjëll e kush është djall. Historikisht dhe momentalisht të gjithë mund të blihen dhe shiten, kjo në varësi të ofertës së ditës. Si ata që fillonin edicionet e lajmeve me luftën kundër Ramës dikur në opozitë që shoqërohej si reagim me shprehjen e famshme “të fala Sandrit” e lëpirjet e gjithçkaje trupore te kryeministri i ditës, e deri tek ata që hapnin gazetat me video-skandalet e Metës për të përfunduar në kërcimtarët dhe qokatarët më të talentuar dhe të zellshëm të ditëlindjeve faraonike nëpër gjire ngjalash.

Nga ata që merrnin tërë reklamat e mundshme e deri tek ata që ankoheshin se nuk u shkonin biznesmenët për reklama, e që sot kur ka ndërruar pushteti nuk u hapet faqja e gazetës se janë të përmbytur me reklama.

Korrelacioni mes medias e politikës dhe transgresioneve putiniane nuk është thjesht faji i vetëm njërit dhe vetëm i atij tjetrit, por i të dyve, madje më shumë është i pushtetit politik. Normal, media dhe pronarët e tyre atë punë kanë se e kanë biznes dhe atyre nuk u vë shumë faj në këndvështrimin afarist, aq sa janë mëkatarë në profesionin e gazetarit dhe njeriut të medias.

Dhe tërë këto polemika nuk është se thellë-thellë i kanë se u digjet xhani për instrumentalizimin e zejes së tyre kobure sesa për mosmbushjen e kobures së tyre zeje. Politika dhe media janë si dy kërcimtarët e tangos ku duhen dy për ta kërcyer. Media dhe manjatët e saj në mbarë botën ndikojnë, ku më shumë e ku më pak, në ngritjet dhe rëniet e qeverive dhe pushteteve. Media dhe pronarët e tyre gjithmonë tentojnë për nga natyra e biznesit dhe interesave të tyre t’i shtyjnë kufijtë sa të mundin.

Të njëjtën gjë bëri në një kolpo të paradokohëve edhe manjati i madh botëror i medias, Rupert Murdok në Britani, për shkak të lidhjeve të tij të jashtëzakonshme me politikën britanike, jo vetëm me Blerin, por edhe përpara tij e më pak, pas tij.

Por pjekuria dhe presioni i shumë faktorëve politikë, mediatikë dhe shoqërorë në Britani, nën ndërgjegjësimin e të qenit dhe ndjerit të kërcënuar si demokraci, i vunë sinorët te thana njëri-tjetrit dhe vendosën ato filtra që mundësonin funksionimin normal të bizneseve dhe pamundësuan ndërhyrjet anormale në punët e pushteteve të deleguara nga sovrani.

Në përpjekjen titanike për të bërë shtet, Rama dhe qeveria e tij kanë harruar ndëshkimin e atyre që simbolizonin abuzimin me pushtetin dhe pushtetin e abuzuar. Nëse kjo harresë është e qëllimtë apo e pafajshme, kjo nuk ka shumë kohë për t’ju lënë për të parë. Shenjat dhe gjasat janë se është e qëllimshme. Ashtu si edhe pushteti pararendës, edhe ky i sotmi dukshëm ka një nevojë të frikshme për paqe ose heshtje të mediave, çka nuk është e shëndetshme për një demokraci funksionuese.

Arsyet i di pushteti dhe publiku ka më pak gjasa t’i marrë vesh, sidomos kur ke një media të sakatuar e një media të blerë, e cila të kthen të falat.

Rilindja e Ramës erdhi dhe mori atë nivel mbështetje popullore për të bërë reforma, por edhe për të qenë solidare dhe sociale si forcë e majtë përballë oligarkisë politike dhe politikave të saj. Rastet e një Bajroni shqiptaro-italian që bën shtetin social me një 99-vjeçare që s’ka mundësi të paguajë energjinë elektrike që shteti aktual nuk arrin të bëj dot selektivin me ata që duhet dhe bën me ata që s’duhet, ia eklipsojnë arritjet sado modeste dhe të vështira për t’u arritur Ramës dhe qeverisë së tij.

Jaguarët e kujdesi deri në detaje për luks arredimesh për karrige-ulësit e pushtetit, në një kohë të pranueshme krize shqiptare e ndërkombëtare, kur mund të bëjnë edhe pa to, nuk tregon se ke respekt për shuplakat që të sollën në pushtet. Arroganca e reklamimit të pasurisë në formë burgu surreal në Surrel, e shesh-hapjesh për ndërtime aty pranë, apo fotografish duke lexuar libra si fotokopje e shëmtuar e Enver Hoxhës në Drilon, nëpër kolltukë me sfonde vilash në Gjirin e Lalëzit, apo edhe episodi i “Lagunës Blu”, është frikshmërisht trishtuese dhe nuk e shuan frustrimin konkludues në opinionin shqiptar, se të gjithë njësoj janë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button