Opinion

Histori me “të fortë”

FATOS BAXHAKU

Fatos BaxhakuJetë e mot na ka shoqëruar kulti i trimit, të cilin, në kohët e sotme, po e cilësojnë më së shumti me termin “i fortë”. Këta “të fortët” sot janë shndërruar në një modë të vërtetë. I kanë lënë me kohë zotërimet e tyre, tani dalin ndër televizione, bëjnë deklarata përdëlluese, deklarojnë mecenatin e tyre, madje japin edhe leksione për demokracinë. Që prezenca e tyre kudo, por sidomos në politikë, apo në qeverisje, është jo vetëm e rrezikshme, por edhe fare e palezetshme, e shëmtuar estetikisht, ofenduese për idealet dhe ëndrrat e shumicës së shqiptarëve dhe jashtë kohe besoj se me këtë janë dakord shumica jonë, me përjashtim të “të fortëve” sigurisht. Mirëpo për t’i kuptuar më mirë – dhe duke kuptuar ata, mbase e marrim vesh edhe përse nuk na shqiten nga rruga jonë – mbase është mirë, pa ju kushtuar shumë kohë, që të bëjmë ca histori së bashku.

Ballkani, pra edhe Shqipëria, deri vonë ka qenë një vend luftërash dhe në kohë luftërash, trimat hyjnë në punë që ç’ke më të. Në luftë ka vetëm dy rrugë: do vrasësh, ose do vritesh, ndaj pikërisht kohët e luftës janë kohët e të “fortëve”. Ndodhi kështu deri në Shqipërinë e 1920, kur hijet e luftës duhet të na kishin mbetur pas. Në 1922 nisi Parlamenti dhe ky vend është për të folur dhe jo për t’u vrarë. Mirëpo nuk qenka edhe aq kollaj të shkëputesh nga hija e trimave. Atentatet që pasuan, Beqir Valteri, Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, de Ghilardi, atentati i Vjenës ndaj Zogut dhe shumë e shumë të tjerë provuan para shqiptarëve se koburja dhe jo dialogu do të vazhdonin të ishin edhe për shumë kohë mjeti më i përdorshëm i politikës. Kjo dhunë e ekzagjeruar në politikëbërje e çonte në depresion klasën e intelektualëve dhe të politikanëve intelektualë të cilët ëndërronin një Shqipëri pa të fortë tjetër, veç ligjit vetë. Mirëpo, kohët atëherë ishin ashtu jo vetëm te ne. Ishte koha kur fashizmi dhe komunizmi e çuan kultin e të fortit në delir marrëzie. Në Shqipëri kishte mbërritur koha e artë e të fortëve, askush nuk mund t’ia hiqte të drejtën që t’i këndoheshin këngë.

Kishte edhe një arsye tjetër përse në Shqipëri “të fortët” hynin në punë. Në një shtet të brishtë si i yni në fillimet e tij, abuzimet me postin, hajdutllëqet sheshit, ofendimet ishin një gjë e zakonshme. Kështu që “të fortët” viktima e rregullonin vetë hesapin me “të fortët” që u kishin rënë në qafë. Është gati proverbiale ngjarja e nëntorit të 1926 tek Ura e Tabakëve në Tiranë, kur Myslym Peza dhe Lom Leka vranë Osman Balin, major i gardës së Zogut, i cili nga ana tjetër, dyshohej si vrasësi i Hasan Riza Pashës, mbrojtësit legjendar të Shkodrës. Gjithë historia kishte nisur me përvehtësimin e një kali race që kishte mbetur në familjen e Myslymit në Pezë që pas Luftës së Parë Botërore. Osman Bali kishte dashur të bënte “të fortin”, por e pësoi nga një tjetër që, me sa duket, ishte më “i fortë”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, “të fortët” u deshën sërish. Si komunistët, si kundërshtarët e tyre politikë, i përdorën trimat e tyre për të kryer atentate, për të grabitur magazina, depo armësh, për të frikësuar ata që guxonin t’i binin ndesh. Ishte kohë lufte dhe lufta, sikurse e thamë, bëhet me trima.

Komunizmi i përdori edhe ca kohë aq sa iu desh të konsolidonte pushtetin e tij në krejt territorin e Shqipërisë. Lloj-lloj kovaçësh, çobanësh, njerëzish pa familje, ose të dalë nga burgjet ordinere mbushën radhët e Policisë dhe të Sigurimit. Pastaj pak nga pak, kulti i të fortit erdhi duke u zbehur. Komunizmi ishte vetë i fortë, nuk kishte vend për rivalitet. Megjithatë, është interesante të rikujtojmë një fenomen që vazhdoi gjatë edhe në diktaturë. Kulti i të fortit fizikisht, i atij që ndeshej me grushte dhe fitonte gjithnjë, i atij që mbronte të tjerët, që ishin më të dobët, i atij që kishte si idhull Steve Rives, mbijetoi si gjysmëfshehur në lagjet e Tiranës dhe disa qyteteve të tjera të mëdha. Kush ka sot 50-60 vjet i mban mirë edhe emrat e këtyre personazheve që dukeshin sikur nuk pyesnin fare për Policinë, që, pasi kishin lënë stërvitjen e rëndë me rrota vagonësh, endeshin krenarë në rrugët e lagjeve të tyre gjithnjë të shoqëruar nga një tufë adoleshentësh që ëndërronin t’i kishin muskujt si ata. Pak nga pak, kjo kategori nisi të marrë edhe disa funksione të një disidence të heshtur. Në shumë raste, ishin ata dhe jo Policia që vendosnin rendin, kapnin hajdutët e vegjël, shuanin sherre të kota, madje edhe mbronin vajzat në territoret e tyre të përcaktuara mirë. Indiferenca që tregonin ndaj pushtetit komunist, një lloj morali me rregulla krejtësisht të tyret që s’kishin asnjë lloj lidhjeje me komunizmin, të bazuara mbi “burrninë” dhe jeta që shkonin, i dërgoi më të shumtët ndër burgje. Shumë të tjerë u arratisën.

Me këtë trashëgimi trimash e “të fortësh” na gjeti ndryshimi i sistemit. Demokracia, të paktën ajo që kemi parë, “të fortët” e saj i përdor për të ruajtur rendin, dialogun, qetësinë, jetën e qytetarëve, nuk i vendos në krye të vendit e të punëve. Mirëpo te ne, të dy palët që ndërruan pushtetin në këta 20 vjet, nuk kishin konsolidim. Me ndonjë përjashtim, qeveritë që shkonin e vinin ishin qeveri për t’u majmur për vete dhe jo për ta çuar vendin përpara. Pos kësaj, të dyja palët jo vetëm nuk i zinin besë njëra-tjetrës, por edhe kishin frikë deri në palcë nga kundërshtarët e tyre. Kështu ca nga tradita e ca nga halli i politikës “të fortët” jo vetëm mbijetuan, por edhe u bënë gati-gati të domosdoshëm. E kështu, pak nga pak ushqyen ëndrrën që të bëhen politikanë. E kuptuan se nuk do të bënin ndonjë ndryshim të madh: mjaftonte që në vend të xhupit prej lëkure të vishnin një kostum “Armani” dhe kaq mjaftonte. Sa për vështirësi të tjera të tipit shkollë e lartë, kjo sikurse dihet tashmë botërisht, nuk është aspak problem këndej nga anët tona, madje mund të marrësh edhe 2-3 diploma njëherësh. Kështu bënë përpara shumë “të fortë” majtas e djathtas. Ata, sipas rastit, dalin në pah sa herë partia e tyre është në pushtet. Nganjëherë bëjnë të urtin, por shpejt mërziten. Me tjetër jetë janë mësuar. Heshtja dhe paqja nuk është arma e tyre më e fortë. Tash që na e pranuan atë të bekuar status të vendit kandidat në BE, tash që në krye të punëve, si në pozitë ashtu edhe në opozitë i kemi vërtet do njerëz të fortë për nga mendja më së shumti, nuk ka asnjë arsye që “të fortët” e dikurshëm të dhunojnë pastërtinë e asaj demokracie që e ka ëndërr të paarritur shumica prej nesh. Fuqia e mendjes dhe drejtësia duhet t’i gjejnë vendin e duhur që meritojnë vërtet në kësi kohësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button